Dy dekada me politikan të shantazhuar në pushtet, u amnistuan krimet e Serbisë, nuk menduan për shtet

Dy dekada me politikan të shantazhuar në pushtet, u amnistuan krimet e Serbisë, nuk menduan për shtet

Gani Qarri

  • 11 May 2022 - 13:05

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

Shërbimin më të madh,Serbisë dhe qeveritarëve të kriminalizuar pasardhës të Millosheviqit, ua kanë bërë politikanët e inkriminuar, të dështuar e të shantazhuar të cilët fatkeqësisht e qeverisën Kosovën për dy dekadat e kaluara dhe nuk e morën guximin asnjëherë për të ngritur padi kundër Serbisë për krimet e luftës, gjenocidin,djegiet dhe shkatërrimet e pasurisë shoqërore dhe private.

Presidenti Serb Aleksandër Vuçiq, krahu i djathtë i Millosheviqit, ka marr me shumë lehtësi dhe gjakftohtësi pyetjen e një gazetari gjerman lidhur me përgjegjësin e tij dhe shtetit serb për gjenocidin në Kosovë, duke deklaruar se për këtë çështje nuk ka asnjë vendim dhe interpretim gjyqësor, e për aq më tepër nuk ka as procedurë të iniciuar, prandaj sipas Vuçiqit, de fakto e de jure, ato që thuhen nuk qëndrojnë, përderisa lidhur me këto akuza, ato ende janë të pa adresuara në ndonjë gjykatë kundër Serbisë.

Por ato që politikanët e inkriminuar të cilët për dy dekada ishin në pushtet dhe nuk e kanë marr guximin kurrë të ngritin padi, as t`ia thonë Vuçiqit në fytyrë, këtë e kanë bërë gazetarët gjermanë, Nicole Bastian dhe Mathias Brüggmann. Madje ata, ia kanë kujtuar presidentit serb, Aleksandër Vuçiq në Berlin se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, qysh në vitin 2010 kishte vendosur se pavarësia e Kosovës nuk ishte shkelje e të drejtës ndërkombëtare, pasi Serbia kishte kryer gjenocid ndaj kosovarëve. Konstatim i njohur tek gjithë faktori vendimmarrës ndërkombëtar me të cilin ata nuk hezituan, si ish politikanët e inkriminuar të Kosovës,ta sfidonin hapur Vuçiqin në një intervistë për gazetën gjermane, Handelsblatt, të cilin me gjithë tendencën e Vuçiqit për ta kundërshtuar, vendimi i GJND-së pro Pavarësisë së Kosovës, mbetet fakt që nuk mundë të mohohet.

Madje me qenë se nuk është ngritur padi kundër Serbisë, nga politikanët e kriminalizuar të Kosovës për gjenocid ndaj shqiptarëve, Vuçiq u shpreh se kinse gjoja; “Nuk ka pasur gjenocid në Kosovë, pasi që nuk ka një vendim gjykate që e sheh atë ashtu”, në intervistën për medien gjermane, argument të cilin fatkeqësisht, ja kanë mundësuar vet politikanët e shantazhuar të Kosovës. Vetëm ky fakt, mjafton për tu dëshmuar se sa të dobët, të pa ndershëm e totalisht të pa fytyrë e të përgjegjshëm ishin ish qeveritarët e shantazhuar të cilët u treguan të fortë vetëm kundër shqiptarëve duke i sunduar barbarisht me qeverisjen e tyre korruptive e kriminale.

Dhe pavarësisht faktit që kanë premtuar për ta paditur shtetin serb për krimet e luftës, jo vetëm që asgjë në këtë drejtim nuk kanë vepruar,por madje për fat të keq, më shumë edhe e kanë penguar ngritjen e saj, nga frika se do të prishen m e Vuçiqin. Prandaj, jo vetëm që është shumë urgjente, por dhe top prioritet për qeverinë e tanishme që të mbledhë sa më parë, ekspertë e fushës dhe pa asnjë vonesë të mëtejme ta adresojë këtë çështje kaq me rëndësi dhe shumë serioze, për të cilën kujtohen e flasin edhe gazetarët ndërkombëtar, por e kanë lënë në harresë profiterët e luftës të cilët uzurpuan për dy dekada pushtetin dhe gjatë gjithë kohës bënë lojëra të pista edhe me shtetin e Kosovës.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".