BE-ja të lirohet nga procedurat e tepruara…

BE-ja të lirohet nga procedurat e tepruara…

Gani Qarri

  • 21 June 2022 - 07:28

Shkruan:ANALISTI - Gani Qarri

Pas vendimit plotësisht të arsyeshëm të Komisionit Evropian, që dha rekomandim pozitiv për statusin e kandidatit jo vetëm për Ukrainën e cila nga 24 shkurti i këtij viti po përballet me luftime të ashpra me okupatorët rus, në mbrojtje të territorit të saj sovran, por edhe për Moldavinë, është mese e domosdoshme dhe tejet e nevojshme që përfundimisht të ndryshojë politika e zgjerimit të BE-së edhe sa i takon integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, pas zvarritjeve të deritanishme dhe lëvizjes së parë që u bë, duke tejkaluar qasjen e deritashme të ngurtë dhe shumë të burokratizuar.

Ndryshimi në procesin integrues të BE-së duhet të ndodhë edhe pas reagimeve mbështetëse që kanë ardhur, pro vendimit pozitiv, të Komisionit Evropian, të cilat me të drejtë kërkojnë dhënien e dritës së gjelbër për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe shkurtimin e agjendës integruese për vendet e Ballkanit Perëndimor.Një reagim i tillë i shpejtë erdhi edhe nga Ministrja austriake për Evropën, Karoline Edtstadler, e cila pas rekomandimit nga Komisioni Evropian për dhënien e statusit të vendit kandidat për Ukrainën dhe Moldavinë, kërkon që Bashkimi Evropian të mos përdorë më standarde të dyfishta as për vendet e Ballkanit Perëndimor por ta miratojë modelin e njëjtë të vendosjes edhe për këto vende, duke liberalizuar vizat për Kosovën, dhënë statusin e vendit kandidat Bosnjës, e cila sipas mendimit tim, paraprakisht duhet ta njoh pavarësinë e Kosovës, si dhe të hapen negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Prandaj, tanimë kur pas agresionit rus në Ukrainë, e gjithë situata në Evropë, ka ndryshuar tërësisht, është moment vendimtar që “lëvizja e gurit” nga Komisioni Evropian për Ukrainën, të përdoret edhe si presion ndaj BE-së, që i njëjti veprim të koordinohet në aspektin politik dhe diplomatik edhe për vendet e Ballkanit perëndimor, duke bërë inkorporimin e përshpejtuar të tyre në bllok, për frenim e menjëhershëm dhe më të sigurt të ndikimit rus, me liberalizimin e qasjes politike ndaj integrimit të këtyre vendeve në familjen e madhe të Bashkimit Evropian.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".