Askush mbi të drejtën ndërkombëtare

Askush mbi të drejtën ndërkombëtare
Askush mbi të drejtën ndërkombëtare

Prof. Dr. Mehdi Hyseni

  • 06 October 2022 - 16:19

Barometri diplomatik

Prof.Dr.Mehdi HYSENI

-Ndryshe, ekuilibri i marrëdhënieve ndërkombëtare përherë do të mbetet i brishtë dhe i  paperspektivë.

Për t’i hyrë në thelb kësaj “teme” të rëndësishme për  qetësimin, përkatësisht shpëtimin  e botës nga konfliktet e armatosura dhe nga luftërat e përgjakshme agresive me prapavijë kolonialiste dhe hegjemoniste të fuqive të mëdha ndaj popujve të vegjël, të pambrojtur, të pazhvilluar dhe në zhvillim, është me interes të vimë në dukje faktin se, që në periudhën kalimtare të feudalizmit në kapitalizëm, zënë fill përpjekjet pioniere për formulimin e konceptit borgjez të së drejtës ndërkombëtare.

Gjatë kësaj periudhe historike, krahas shfaqjes problemeve të shumëta ekonomike, sociale e tregtare në shoqërinë feudale, shpërfaqen edhe koncepte dhe kërkesa për të drejtën ndërkombëtare, që konsiderohej si instrument ligjor për rregullimin e marrëdhënieve mes shteteve në kuadrin e  sistemit të marrëdhënieneve ndërkombëtare. 

Pikërisht, në shekullin XVII, në frymën e kësaj ideologjie borgjeze zë fill edhe “ shkolla e së drejtës natyrore” me përfaqësuesit e saj, Hugo Grocius dhe  Christian Wolf . Sipas doktrinës së tyre “të drejtat dhe detyrimet e shteteve, janë  të pandashme nga qenia e tyre jurdike”. Sipas kësaj teorie  të “shkollës së drejtës natyrore” , konsidrohej që lufta të zhvillohej kundër forcave regresive shoqërore të sistemit të së drejtave dhe detyrimeve të shteteve, që duhej të krijonte bazën e rendit juridik borgjez ndërkombëtar.

Në këtë vështrim, përpjekje  të tilla janë bërë edhe gjatë Revolucionit Francez (1789), të cilat kishin për qëllim fitoren e borgjezisë, në mënyrë që kjo të shprehte qëndrimet dhe pikëpamjet e veta mbi të drejtën ndërkombëtare si parim unik  juridik ligjor për rregullimin e marrëdhënieve ndërmjet shteteve të ndryshme. Këtë e dëshmoi edhe “Deklarata mbi të Drejtat e Njeriut dhe të Qytetarit (1793)”, e cila përacktonte statusin e individit në shoqërinë borgjeze. Në këtë kontekst, është e vlefshme për t’u përmendur edhe “Deklarata mbi të Drejtën Ndërkombëtare, e propozuar nga Abe Gregoire (1795)”. Kjo deklaratë përcaktonte parimet borgjeze mbi statusin e shteteve në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Gjithashtu, në dispozitat e saj janë sanksionuar, edhe  disa nga formulimet  e para  të së drejtës së popujve për pavarësinë e tyre, si dhe parimi i respektimit të sovranitetit, parimi i mospërzierjes në çështje të brendshme të shteteve, parimi i përmbajtjes nga agresioni, si dhe parimi i zbatimit dhe i respektimit të traktateve ndërkombëtare… etj., që përbëjnëbazën thelbësore të koekzistencës aktive paqësore, si një nga parimet e së drejtës ndërkombëtare.

Duhet  të përmendim faktin se gjatë kohës, kur  për herë të parë janë formuluar këto parime të së drejtës ndërombëtare, zotëronin interesa të ndryshme të borgjezisë në luftën e saj kundër feudalizmit. Si rrjedhojë, veprimi i forcave borgjeze progresive thelbësisht ndryshoi rolin  e tyre në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare, përkatësisht në krijimin e rregullave dhe të parimeve të së drejtës ndërombëtare. Ky  ndikim i madh pozitiv i forcave progresive borgjeze pati efektet e tij, edhe në krijimin e domosdoshmërisë   së marrëdhënieve ekonomike ndërkombëtare të shteteve dhe, të ndarjes së punës në dimensione botërore. Prandaj, është e natyrshme që zhvillimi  i marrëdhënieve politike, ekonomike, si dhe ruajtja e koherencës së ndërlidhurisë së tyre nga ndikimi i madh i evolucionit  të tregut botëror, është arritur që në fillm të shekullit XIX, por apogjeun e kishte arritur në periudhën e imperializmit në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX. Kjo  është periudha, kur u formua sistemi klasik i së drejtës borgjeze ndërkombëtare, dhe, kur nën ndikimin e zhvillimit të pabarabartë të kapializmit janë formuar  forcat shoqërore kontradiktore, që kanë luftuar mes veti, duke marrë për bazë interesat e  tyre ekonomiko-shoqërore, si dhe të bartësve të tendencave të ndryshme politike në sferën e marrëdhënieve ndërkombëtare. Kështu, për shkak të zhvillimit të pabarabartë të kapitalizmit, gjithnjë  është thelluar edhe diferenca mes  vendeve të zhvilluara dhe atyre të pazhvilluara, si dhe atyre në zhvillim.

Së këndjemi, janë ndryshuar  edhe bartësit e  parimeve demokratike të së drejtës ndërkombëtare, të krijuar gjatë kohës së luftës revolucionare të borgjezisë.

Po ashtu, edhe në kohën më të re, pas përfundimit të Luftës së Parë(1914-1918)  dhe të Luftës së Dytë Botërore (1939-1945), gjatë zhvilimit të një procesi të tillë, bartësit e parimeve demokratike të së drejtës ndërkombëtare, me qëllim të dominimit të ineteresave të veta ekonomike dhe politike jashtë kufijve të shteteve  të tyre, me forcë shpërfillën kërkesat e popujve  kolonialë në Afrikë, në Azi dhe në Amerikën Latine, të cilët me të drejtë luftonin për shkolonizimin, përkatësisht për pavarësimin, për sovranitetin  dhe  për të drejtën e vetëvendosjes së tyre. Kjo kontradiktë e thellë mes shteteve kolonialiste dhe atyre antikolonialiste, që luftonin për liri dhe për pavarësi, pati ndikim negativ, sepse shtetet e vegjël të pazhvilluar (përkundër kryengritjeve dhe luftërave të tyre antikoloniale) nuk arritën të bëhen subjekte të së drejtës ndërkombëtare, por, edhe më tej mbeten objekt i procesit të kolonializmit të  fuqive të mëdha të zhvilluara kapitaliste, të cilat zotëronin “mbretëri koloniale”.

Së këndejmi, edhe në fushën e së drejtës ndërkombëtare  u shpërfaqën kundërti dhe mospajtueshmëri të thella mes vendeve kapitaliste dhe atyre socialiste, lidhur me përkufizimin, me  mbrojtjen dhe me zbatimin e parimeve demokratike  si institucione të domosdoshme juridike të së drejtës ndërkombëtare.

  As Rusia e as Serbia ligjërisht nuk mund të jenë mbi OKB-në

Të luftojmë dhe të sakrifikojmë për paqen, për sigurinë dhe për mirëqenien e njerëzimit, JO luftërat, dhe agresionet pushtuese hegjemoniste, sepse ato janë humnera e pafund e njerëzimit. Për mënjanimin e kësaj  katastrofe gjithënjerëzore nga luftërat, është angazhuar edhe ish-presidenti i SHBA-së, John F.Kennedi, duke pohuar se "Njerëzimi duhet t'i japë fund luftës, ose lufta do t'i japë fund njerëzimit”.(https://www.loc.gov/item/2015648099/).

 

Prandaj, ky konkluzion aksiomatik i John F. Kennedit, është bërë më se i qartë qysh para 60 vitesh, se të gjithë popujt e botës, duhet të sakrifikojnë, të luftojnë dhe të angazhohen për arritjen e pajtimit, të bashkëpunimit, të paqes, të integrimit, të solidarësisë, të tolerances, të demokracisë, të kompromisit dhe të kultivimit të vlerave universale të njeriut, ashtu siç thuhet edhe në Preambulën e Kartës së Kombeve të Bashkuara: “NE,  POPUJT E KOMBEVE TË BASHKUARA, TË VENDISUR

 t’i ruajmë brezat e ardhshëm nga murtaja e luftës, që dy herë gjatë një jete njeriu i ka shkaktuar njerëzimit vuajtje të papërshkrueshme,

të shpallim përsëri beimin tone në të drejtat themelore të njeriut, në dinjitetin dhe në vlerën e personalitetit të tij, në barazinë e të drejtave midis burrit dhe gruas, si edhe midis kombeve të mëdha e të vogla,

të krijojmë kushtet e domosdoshmepër ruajtjen e drejtësisë dhe respektimin e deyrimeve të lindura nga traktatet dhe burimet e tjera të së drejtës ndërkombëtare,

të nxisim përparimin shoqëror dhe të krijojmë kushte jetese më të mira në liri më të madhe.”( Karta e Kombeve të Bashkuara dhe Statuti i Gjykatës Ndërkombëtare,  “Qendra e Infromacionit e Kombeve të Bashkuara”, Tiranë, 1987, f.7.).

Mirëpo, këto parime dhe qëllime të sanksionuara në Kartën e OKB-së (1945-2022), presidenti i Fedeeratës Ruse, Vladimir Putin i shpërfilli në mënyrë flagrante, ashtu sikurse normat e së drejtës ndërkombëtare, me rastin e invadimit të Ukrainës (24 shkurt 2022), si dhe së fundi, aneksoi edhe rajonet e saj: Donjetsk, Luhansk, Zaporozhje dhe Kherson, duke u mbështetur në referendumet e mbajtura më 30 shtator 2022, të cilat Moska zyrtare i njohu përmes vendimit të aprovuar të dy Dhomave të Dumës Ruse, më 3 tetor 2022.

Megjithatë, këto referndume ( Donjetsk, Luhansk, Zaporozhje dhe Kherson)   të Putinit, që nënkuptojnë zgjerimin e kufijve territorialë imperialistë të Rusisë, Amerika, BE-ja, NATO-ja dhe OKB-ja i kanë hedhur poshtë si të pavlera në kuptimin juridik ndërkombëtar, duke qenë se bien ndesh me normat dhe me parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe të Kartës së Kombeve të Bashkuara.

Pushtimi i Ukrainës sovrane, nuk mund të justifikohet me kërcënimin e përdorimit të armëve bërthamore të Vladimir Putinit

Prandaj, faktorët relevantë të bashkësisë ndërkombëtare, domosdoshmërisht duhet të jenë unikë në veprimin e tyre ( sipas Kartës së OKB-së) për parandalimin preventiv të çdo rreziku eventual të shpërthimit të luftës bërthamore nga ana e regjimit militarist të presidentit Vladimir Putinit. Pra, në këtë rast të kërcënimit me armë bërthamore nga ana e Rusisë, Kombet e Bashkuara, duhet urgjentisht të vënë në veprim mekanizmat e diplomacisë preventive paqësore në transformimin e politikës së forcës në marrëdhëniet politike ndërkombëtare, në mënyrë që të pengojnë dhe paralizojnë të gjitha përpjekjet, që po bëhen për asgjësimin e njerëzimit.

Edhe pse këta faktorë relevantë bashkësisë ndërkombëtare kanë karakter kushtëzues të veprimit të tyre, pikësëpari nga raportet e zhvillimit ekonomiko-shoqëror dhe politik të bashkësisë ndërkombëtare. Megjithë këtë kushtëzim, ndikimi i tyre mund të jetë pozitiv në arritjen e bashkëpunimit dhe të kompromisit politik në arenën e marrëdhënieve politike ndërkombëtare, me qëllim të shuarjes së konflikteve dhe të vatrave nevralgjike të krizave në rajone të ndryshme të këtij planeti.

Në këtë vështrim, nevojitet ta rikujtojmë këtë mesazh të filozofisë politike realiste dhe paqësore të ish-presidentit të SHBA-së, John F.Kenndey : “Together we shall save our planet, or together we shall perish in its flames.” (“Së bashku do të shpëtojmë planetin tonë, ose së bashku do të vdesim në flakët e tij.”).

Zbatimi i së drejtës ndërkombëtare garanton sigurinë dhe paqen  botërore 

Prandaj, Kombet e Bashkuara janë sprovë të  madhe të momentit historik, që të marrin masa konkrete ligjore sipas Kartës së tyre dhe, sipas së drejtës ndërkombëtare, që t’i pengojnë përpjekjet  e Rusisë së Vladimir Putinit për përdorimin e armëve bërthamore., sepse ai do të ishte fatalitet, jo vetëm për Ukrainën, për Evropën, por edhe për mbarë botën. Sikur  Putini të urdhëronte përdorimin e “5600 kokave bërthamore, efekti i tyre do të ishte tragjik, sepse 6 herë do të digjte planetin e tokës”.

Sa më sipër, të gjithë, duhet të punojmë për drejtësi, për paqe dhe për demokraci, sepse vetëm kështu mund të arrihet bashkëpunimi, mirëbesimi, toleranca dhe kompromisi për ruajtjen dhe mbrojtjen e vlerave universale të njerëzimit, që sigurojnë fitoren e sigurt, stabilitetin, zhvillimin dhe përpairmin ekonomik e shoqëror të gjithë bashkësisë ndërkombëtare. Pa dyshim se, një përcaktim i këtillë pozitiv  në kuadrin e Kombeve të Bashkuara, do të asgjësonte politikën e forcës dhe çdo përpjekje për përdorimin e armëve dhe të arsenalit ushtarak qoftë atij  klasik të shkatërrimit në masë, apo qoftë atij bërthamor për shkatërrimin e njerëzimit.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".