Nana e braktisur!

Nana e braktisur!
Nana e braktisur!

Florim Zeqa

  • 11 March 2023 - 16:00

Shkruan: Florim Zeqa

Nana dhe vendlindja janë të shenjta dhe të pazavendësueshme në jetën e njeriut. Emri i nanës dhe vendlindjes janë dy nocionet me të dashura, më kuptimplote dhe vlerëmëdha për çdo qenje njerëzore. Sikurse njëra (Nana) edhe tjetra (vendlindja) nuk braktisen për asnjë çmim dhe për asnjë pasuri të kësaj bote.

 Zbrazja e Kosovës, brengë që po ma gërryen shpirtin

 Brenga e largimit të rinisë nga Kosova është brengë e larë me lot, e rënduar me dhimbje dhe plagë të rënda shpirtërore. Kjo është brengë e cila po ma gërryen shpirtin nga brenda. Cila do të jetë Kosova nesër pa të rinj dhe pa popullatën e saj autoktone. Do të jetë Kosova “multietnike” e projektuar nga armiqtë shekullorë, me sa më pak shqiptar autokton brenda saj.

Shtrohet pyetja logjike, në duar të kujt do të mbetët Kosova më etnike në Ballkan!

Mirëpo, nëse vazhdohet trendi i largimit të të rinjëve edhe për pak vite, shqiptarët e Kosovës do të kthehen në pakicë etnike.

Çka do t’na duhet Kosova pa arterien më të shëndoshë dhe më të padjallëzuar, pa pasurinë më të madhe që e kishim- rininë e pastër si loti e të kthjellët si kristali!?

Pse po e braktisin Nanën Kosovë të rinjët shqiptarë!?

Po ikin se janë lodhur duke jetuar në një vend pa përspektivë zhvillimore dhe pa shpresë për ardhmëri, vend në të cilin, të drejt jete luksoze kanë vetëm politikanët dhe familjarët e tyre. Të tjerët që nuk janë të lidhur me korporatat fitimprurëse-partitë e inkriminuara janë të detyruar të ikin natën, ngase vendi i tyre nuk ju afron më asgjë!

Si pasojë e braktisjes së Kosovës, po braktisen edhe prindërit që i dhanë shpirtë dhe jetë këtij vendi, të cilët po mbeten në vetmi në mëshirën e Zotit. Po zbrazen lagje e fshatra nga të rinjët, po boshatisen shkolla e çerdhe, por nuk po hapen strehimore (nga shteti) për pleqt e braktisur.

Shteti i Kosovës, duke u thirrur në normat ndërkombëtare, më shumë po kujdeset për qenët endacak të rrugëve sesa për të moshuarit e braktisur!

Deri në këtë deregje e kanë sjellë shtetin e Kosovës kusarët politikë!

Ku janë tradita tona fisnike të përkujdesjes për të moshuarit?

Ku janë doket dhe zakonet e lashta popullore?

Ku na mbeti dashnia dhe respekti për prindërit tanë!?

Na i mori Serbia!

JO, i braktisëm vet, duke u larguar nga çdo normë dhe vlerë njerëzore.

 Ëndërra e parealizuara për riatdhesim

 Të rinjëve që ju ka ardhur koha që të krijojnë familje, me të ardhurat që mund të sigurojnë me djersën e tyre këtu nuk mund të mbajnë as veten, e lërë më familjen! Të rinjët nga mërgata kanë provuar të riatdhesohen, por në disa raste janë zhgënjyer keq, siq ishte rasti i rrëfimit të një bashkatdhetari; “Djali im mbaroj studimet dhe masterin me notën më të lartë në Zvicër, dhe me insistimin tim u kthye në Kosovë. Mendoja që Kosova ka nevojë për të. Por çfarë ndodhi, dy vjet e gjysmë mbeti duke bredhur në kërkim të një vendi pune, mbeti pa shpresë për t’u punësuar, sepse nuk ishte anetarë i asnjë partie politike. Biri im kishte të drejtë kur thoshte; “duhet të vlerësohet dija ime e jo përkatësia politike (partiake)”. Tek pas dy vite e gjysmë, biri im dhe unë e kuptuam se partitë politike janë vetëm korporata fitimprurëse e liderve partiak dhe çerdhe e të paditurve dhe militantëve injorant partiak”.

Mirëpo, njëjtë si bashkatdhetari nga Zvicëra nuk vepruan disa bashkatdhetarë të tjerë, të cilët, për punësimin e djemve dhe familjarëve të tyre ju bashkuan grupeve të inkriminuara dhe korruptive, duke kalëruar si kuajt në tabelën e shahut, duke kaluar nga njëra parti tek tjetra, nga krahu djathtist në majtist apo anasjelltas!

Të barabartë me profiterët e luftës janë edhe Sekserët e Diasporës, të cilët, njëjtë e trajtuan shtetin e Kosovës si plaçkë lufte për interesa përsonale e jo si atdhe të tyre.

 Kosova po zbrazet me këtë klasë kusarësh politikë

 Brengat dhe shqetesimet e mia për zbrazjen e Kosovës janë brenga të të gjithë atdhetarëve dhe secilit njeri të ndershëm të këtij vendi.

Problemet e akumuluara ndër vite nuk janë të kësaj qeverie, por e keqja është se edhe kjo qeveri rreshqiti në nepotizëm dhe korrupsion, duke devijuar skajshmërisht nga premtimet e dhëna elektorale për respektim të dijes dhe aftësive profesionale të individëve që konkurojnë për një vend pune!

Sikurse pushtetet paraprake, për fatin e keq edhe kjo qeveri rreth vetes tuboj familjarë, “dajë dhe teze” injorant dhe militant partiak duke lënë anash ekspert të fushave përkatëse, si të: ekonomisë, shëndetësisë, arsimit, bujqësisë, xehetarisë, gjeologjisë dhe teknologjisë minerare, të artit dhe kultures, si dhe të çdo segmenti tjetër të rëndesishëm për zhvillimin dhe forcimin e shtetit.

Ne kemi nevojë për njerëz të dijes dhe guximit qytetarë, për politikan të përgjegjshëm dhe të ndërgjegjshëm, kemi nevojë për njerëz të fjalës dhe besës e jo për mashtrues dhe intrihant me premtime boshe.

Para lufte, truri i Kosovës u largua nga dhuna dhe represioni serb, një pjesë e tyre u vranë në luftë, pjesa tjetër pas lufte, kurse pjesa më vitale dhe më e shëndoshë po largohet nga kusarët dhe matrapazët politikë, të cilët po e kontrabandojnë vullnetin e elektoratit për interesa personale.

Atdheu ynë Kosova është sikurse Nana biologjike, e cila as nuk braktiset dhe as nuk harrohet, nuk përbuzet dhe as nuk mallkohet shkaku i kësaj klase kusarësh politikë, pa dallim pushtet dhe opozitë, të cilët, për dikë e bënë shtetin nanë, e për dikë tjetër njerkë!

 Vargun emblematik të këngëtarit Dervish Shaqa, të thurur dekada më parë, “Ani moj Shqipni mos thuj o mbarova, se djemt e tu ende janë gjallë, n’kamë janë çue rreptë Kosova e bajnë luftën ballë o përballë”, ta kthejmë në kushtrim për t’i dalë zot Kosovës Nanë për ta penguar zbrazjen dhe çkombtarizimin. Tokën e ujitur me gjak ta ushqejmë me jetë. Mos e braktisni Nanën, kthehuni në tokën që ju rriti! Shteti i ri i Kosovës nuk po i ngjet më një femije në rritje e siper, por më shume po i ngjet një Nane të braktisur!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".