Kompromiset e dhimbshme që i bëri Kosova!...

Kompromiset e dhimbshme që i bëri Kosova!...
Kompromiset e dhimbshme që i bëri Kosova!...

Ismail Muçiqi

  • 09 July 2023 - 17:06

Shkruan: Gazetari: Ismail Muçiqi

Kaluan dy shekuj derisa Kosova dhe populli i saj arritën lirinë dhe Pavarësinë, për të cilën u flijuan shumë gjenerata. Shpalljen e Pavarësisë të Republikës së Kosovës e pranoj edhe gjykata ndërkombëtare në Hagë. Ky ishte vendimi më sublim ndaj Shpalljes së Pavarësisë të Shtetit të Kosovës. Mjerisht që nga pas lufta Kosova bëri shumë kompromise në raport me serbinë dhe Bashkësinë Ndërkombëtare. Kompromis pas kompromisi ishin themelimi i komunave të pakicës serbe në Kosovë. Kompromis ishte edhe rezervimi i dhjetë vendeve (mandateve) të pakicës serbe në Parlamentin e Kosovës. Kompromis ishte edhe zyrtarizmi i gjuhës dhe administratës në gjuhën serbe nëpër institucionet e Kosovës.

Kompromis ishte edhe përfaqësimi i pakicës serbe në kryesinë e kuvendit, në Qeverinë e Republikës së Kosovës, në Gjykatën Kushtetuese dhe në mekanizmat tjerë institucionale. Të gjitha këto kompromise nuk u mjaftuan serbeve në pjesën veriore të Kosovës dhe politikës serbe në Beograd. Ngjarjet e fundit që ndodhën në katër komunat me shumicë të popullsisë serbe në pjesën veriore të Republikës së Kosovës pasqyruan gjendjen reale të pretendimeve të serbisë për pushtimin dhe zgjerimin e territoreve jashtë kufijve të saj. Raportet dhe pozicionet e diplomacisë ndërkombëtare karshi Kosovës janë shumë shqetësuese dhe të pa drejta ndaj një populli i cili vuajti shumë për ta fituar lirinë dhe pavarësinë. Kërcënimi i Bashkësisë Ndërkombëtare me masa ndëshkuese apo sanksione ndaj Kosovës në situatën aktuale krijojnë pakënaqësi dhe goditje ndaj qytetarëve të pafajshëm të cilët edhe kështu kanë probleme më të ndryshme ekonomiko sociale për një jetë normale.

Është i dhimbshëm përqarja e faktorit politikë në Kosovë në këto rrethana me shumë të panjohura që po ndodhin në Kosovë dhe rreth saj. Liderët partiak në vend që të ulën bashkë me përfaqësuesit e institucioneve aktuale në pushtet për ti bashkërenduar qëndrimet në interes të Shtetit të Kosovës ata po bëjnë opstrukcione të turpshme duke i fërkuar duart me shpresë që ndoshta mund të shpallen zgjidhjet e reja, për tu kthyer sërish në pushtet po të njëjtat parti të cilat i sollën shumë të këqija vendit.

Më thotë mendja se po të kishte përgjegjësi ndaj shtetit dhe qytetarëve patjetër do duhej të arrihet uniteti shtetërorë, partiak dhe institucional karshi Borelit, Lajqakut, Eskobarit dhe institucioneve tjera ndaj Brukselit, i cili po e sanksionon Kosovën e në anën tjetër po e stimulon serbinë. Politika në Kosovë e cila asnjëherë nuk u profilizua dhe nuk u ndërtua krahas nevojave dhe sfidave të Kohës tani më në fund duhet ti thuhet troç faktorit ndërkombëtarë se Kushtetuta e Republikës së Kosovës është grand i sovranitetit të shtetit dhe se askush nuk ka të drejtë ti shkel mbi bazamentin e këtij akti juridik.  Andaj kompromiset e bëra në dëmë të Kosovës u ka ardhur fundi. Këtë duhet ta dinë edhe partitë politike, Kryeministri dhe Presidentja e Shtetit se askush nuk ka të drejtë të luaj me fatin e Republikës së Kosovës të cilën e kanë pranuar 117 Shtete të Botës.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".