Rreziku i kthimit në pikën zero!

Rreziku i kthimit në pikën zero!
Rreziku i kthimit në pikën zero!

Florim Zeqa

  • 23 November 2023 - 15:08

 Shkruan: Florim Zeqa

Për 24 vjet rresht e kemi ndjerë veten të sigurtë në shtetin tonë të lirë dhe të pavarur, të mbrojtur dhe garantuar nga forcat e NATO-s. Por, për një çast gjithçka ndryshon në Kosovë! Pasi, brenda natës instalohet gjuha luftënxitëse dhe pasiguria e qytetarëve!

 Pse ekziston rreziku kur veriu i vendit “kontrollohet” nga shteti!?

 Sipas të dhënave të kryeministrit Kurti, veriu i vendit është futur nën kontrollë të plotë pas trazirave të fundit në Banjskë. Edhe përkundër kontrollit të plotë të Policisë së Kosovës, Policisë së EULEX-it dhe Forcave të KFOR-it, megjithatë kryeministri Albin Kurti paralajmëron trazira të reja, duke aluduar në riorganizimin e grupit të Radoiçiqit!

Kryeministri paranojak, gjuhën e rrezikut e arsyeton me trupat dhe artilerinë e Ushtrisë së Serbisë afër territorit të Kosovës. “Ajo vazhdon të kërcënojë sigurinë e Republikës së Kosovës me bazat e përparme operuese të Forcave të Armatosura të Serbisë përgjatë kufirit me vendin tonë. Për më tepër, Serbia ka dislokuar sistemet kundër-ajrore në afërsi të kufirit me Kosovën”, ishte konstatimi i fundit i Albin Kurtit në rrjetet sociale.

Kryeministri i vendit në vend që të reflektojë shpresë dhe siguri për qytetarët, po i bombardon ata me gjuhën kërcënuese dhe luftënxitëse në Kosovë, duke e arsyetuar me kinse përgatitjet e një lufte të re në Ballkan nga Rusia dhe Serbia!

Loja e dyfisht e Albin Kurtit, duke u thirrur në njërën anë me shtrirje të plotë të sovranitetit në veri, kurse në anën tjetër duke mbjellë frikë dhe pasiguri për qytetarët e vendit të tij, në mënyrë të tërthortë dhe të drejtëpërdrejt është duke e ndihmuar Vuçiçin në fushatën elektorale në Serbi!

 Mirëmbajtja e raporteve me SHBA-t dhe NATO-n, mbrojtja më e mirë e Republikës së Kosovës

 Sikurse që ishte çlirimi i vendit dhe njohja ndërkombëtare e shtetit të Kosovës produkt i SHBA-ve dhe NATO-s, edhe mbrojtja dhe ekzistenca e shtetit tonë është në përputhje të plotë me interesat e tyre në Ballkan. Andaj, çdo tendencë për t’u larguar nga ky realitet i krijuar paraqet rrezik për ekzistencën e shtetit tonë.

Derisa raportet me SHBA-të dhe shtetet më të fuqishme të Bashkimit Evropian ishin në nivelin e duhur, nuk e kishim asnjë kërcënim për sigurinë dhe stabilitetin në rajon.

Mirëpo, me mospërfilljen e rekomandimeve të miqve dhe aleatëve perëndimor nga ana e kryeministrit Albin Kurti, kryediplomates Donika Gërvalla e deri diku edhe të presidentes Vjosa Osmani, ka bërë që të ndodh një tërheqje e lehtë e diplomacisë perëndimore nga Kosova.

Kur jemi në këtë segment, duhet cekur zhvillimin pozitiv të ditëve të fundit, ku më në fund presidentja Vjosa Osmani ka filluar të këndellet sa i përket “Draft-Statutit” të Asociacionit, për të cilin deklaroj haur se disa anekse të këtij drafti, jo vetëm që kanë dykuptimësi, bien ndesh edhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, duke e konsideruar gabim të madh mosbërjen transparente të draftit për opozitën dhe shoqërinë civile.

Ky hap i vogël i presidentes Vjosa Osmani duhet të pasohet me hapin e radhës, me distancimin nga politika populliste dhe disfatiste e kryeministrit, i cili, çdo herë, pas një hapi para, i bën tre hapa prapa!

Për më keq se kaq, si pasojë e kryeneqësisë së kryeministrit, për herë të parë Kosova në historinë e saj ndodhet nën sanksione ndërkombëtare, duke humbur qindramiliona euro investime dhe duke e rrezikuar seriozisht anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe Liberalizimin e Vizave!

Meqenëse Kosova nuk është faktor që ndikon shumë në vendimarrjen ndërkombëtare, duhet të tregohet e kujdesshme në ruajtjen dhe kultivimin e raporteve të mira me ndërkombëtarët. Në të kundërtën, rrezikojmë kthimin në pikën zero, në atë të vitit 1999!

Këtë e dëshmon deklarata e Sekretarit të Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg: “Çdo dërgim i Forcave të Sigurisë së Kosovës duhet të marrë pajtimin e NATO-s dhe çfarëdo aksioni i Policisë së Kosovës në ato zona duhet të informohet paraprakisht KFOR-i dhe të mos e rrezikojë paqen dhe sigurinë”.

 Është fat i madh për ne, që interesat SHBA-ve dhe të Aleancës në të fuqishme ushtarake në botë (NATO-s) janë të ndërlidhura me interesat e shqiptarëve në Ballkan, përndryshe, sa për liderët shtetërorë dhe kapacitete ushtarake që kemi për të mbrojtur shtetin, që moti do ta kishim humbur atë!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".