
Lexoni edhe:
E trishtë: Kjo është nëna kosovare dhe vajza e saj që humbën jetën në një aksident tragjik
Shkruan:ANALISTI-Gani Qarri
Pas marrjes së statutit të anëtarit të Asociuar në Asamblenë parlamentare të NATO-s, Kosova është një hap më afër edhe për anëtarësim me të drejta të barabarta në këtë Aleancë. Madje vet Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci deklaroi këtë fund jave se anëtarësimi Kosovës në NATO është nevojë urgjente për sigurinë e shtetit tonë. Prandaj Republika e Kosovës duhet medoemos dhe ka nevojë parësore të investojë akoma më shumë për profesionalizimin dhe pajisjen e FSK-s, me armatim të standardeve të NAT-os, për kapacitetet solide që i ka ushtria e Kosovës, në mënyrë që ambiciet e Kosovës për anëtarësim në NATO të mos mbeten fontanë dëshirash por sa më shpejtë edhe të bëhen realitet.
Sipas ministrit, Kosova ka bërë hapa të mëdhenj edhe në aspektin e përgatitjes, për të qenë pjesë e aleancës veri-atlantike, ndërsa avancimi i statusit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATOs, do të ndihmojë shumë edhe në arritjen e këtij qëllimi madhor për vendin tonë. Pas avancimit të statusit, ministri Maqedonci thotë se deputetët kosovarë të cilët do të jenë pjesë e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, do të kenë mundësi të paraqesin rezoluta të ndryshme për sigurinë në Ballkan. Kurse sa i takon aspektit të mbrojtjes dhe të sigurisë, siç sqaron Ministri i Mbrojtjes, Kosova ka ndërtuar kapacitetet sipas standardeve të NATO-s, andaj ky është avantazh plus për shkurtimin e rrugës drejtë anëtarësimit në këtë Aleancë. “Kosova ka bërë hapa shumë të mëdhenj në aspektin e përgatitjes për të qenë pjesë e NATO-s, përderisa edhe institucionet tona kanë bërë veprime të vazhdueshme, që është një përparësi, për një vend demokratik si Kosova, një vend që përfaqëson të gjitha vlerat e vendeve të NATO-s.
Po ashtu edhe në çështjen sesi duket shteti i Kosovës në aspektin politik, ne si shtet i pavarur, i kemi të gjitha parametrat që të jemi pjesë e NATO-s, veçanërisht në aspektin e mbrojtjes dhe të sigurisë, ne i kemi ndërtuar në vazhdimësi kapacitetet mbrojtëse të vendit tonë, sipas standardeve të NATO-s. Ne trajnojmë pjesëtarët e FSK-së sipas standardeve dhe shkollës së NATO-s”, ka deklaruar ministri, sipas të cilit, Forca e Sigurisë së Kosovës ka kapacitete të mjaftueshme luftarake për të qenë pjesë e aleancës më të madhe ushtarake në botë, pasi që “FSK-ja të gjithë organizimin e saj dhe strukturën ushtarake e ka të dizajnuar në atë format që të jetë i mundshëm ndërveprueshmëria më vendet e NATO-s. Trajnimet që i zhvillojmë në nivel taktik, doktrinën tonë ushtarake dhe të gjitha dokumentet i kemi të sinkronizuara me ato të vendeve të NATO-s, përdorim po ashtu kalibrat e municionit dhe sistemet e armatimit që përdorën edhe në vendet e NATO-s. Kjo i jep mundësi FSK-së, që gjatë operimit të përbashkët me vendet e NATO-s, të ketë mundësi të ndërveprimit me ushtritë e vendeve të NATO-s. Pra FSK, ka kapacitete të mjaftueshme si luftarake, ashtu edhe kapacitete të mbështetjes ushtarake për autoritetet civile, që janë parë shumë herë në FSK-në, si deminimi, kërkim shpëtimi etj, që janë kapacitete të gatshme për të qenë pjesë e NATO-s”, theksoi Maqedonci.
E për aq më tepër Oficerët dhe ushtarakët e trajnuar të FSK-s po operojnë me sukses edhe me dronët ushtarak, të cilët tanimë, janë bërë pjesë përbërëse e inventarit dhe sistemit të armatimit të FSK-së, derisa tashmë ka filluar edhe pajisja me raketat më të avancuara antitank amerikane Javelin, këto janë pajisjet e ushtrisë me sistemet më moderne të armatimeve të sofistikuara, në shërbim të mbrojtjes dhe të sigurisë së Kosovës dhe për ta ruajtur paqen në vend e rajon si dhe për të kontribuuar edhe në kuadër të NATO-s, kudo që ajo shpreh nevojën për angazhim paqeruajtës dhe ushtarak, në botë!
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".