
Lexoni edhe:
Loja me heronjtë, pasojë e edukimi dhe emancipimit të dështuar në shoqërinë Kosovare
Shkruan: ANALISTI-Arsim Aziri
Ndonëse është një reagim i vonuar i Brukselit më në fund mundë të themi se kryeqendra evropiane po zgjohet, madje edhe e nervozuar nga loja e Serbisë, nga sjelljet e pa përgjegjshme në dialogun me Kosovën, e deri në kërcënimet për ndërhyrje dhe destabilizim. Më në fund Brukseli morri guximin që ti përgjigjet Kryeministrit të Serbisë lidhur me Kosovën, duke i tërhequr vërejtjen që të mos bëjnë deklarata që vënë në pikëpyetje marrëveshjet me Kosovën. Ky reagim I Brukselit erdhi pasi që Kryeministri serb Millosh Vuçeviq deklaroi dje në Parlamentin e vendit të tij që “Republika e Serbisë nuk e ka pranuar marrëveshjen franko-gjermane”.
-Sipas reagimeve të fundit nda kryeministrit serb, duket që Brukseli kësaj radhe ishte kujdestar më aktiv duke reaguar ndaj deklarimeve të tilla që mohojnë atë për të cilën Serbia është pajtuar . Jo rastësisht zëdhënësi i Komisionit Evropian tha për mediet se Unioni ju bën thirrje përfaqësuesve të Serbisë të përmbahen nga këto deklarata që e vënë në dyshim marrëveshjen, ndërsa përsëriti se rruga e Serbisë, ashtu si e Kosovës, për në BE kalon përmes kësaj marrëveshje. “Siç e kemi thënë shumë herë më parë, Marrëveshja për Rrugën e Normalizimit është e vlefshme dhe e detyrueshme në tërësinë e saj si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë. Zbatimi i saj është një pjesë integrale e rrugëve të tyre përkatëse evropiane, e cila u konfirmua së fundmi përmes përfshirjes së saj në kapitullin 35 të negociatave të pranimit të Serbisë.
Loja me heronjtë, pasojë e edukimi dhe emancipimit të dështuar në shoqërinë KosovareLexoni edhe:
Nëse progresi në pranimin e saj në BE është vërtet në interesin strategjik të Serbisë, ne ftojmë përfaqësuesit serbë të përmbahen nga deklaratat që vënë në dyshim vlefshmërinë e Marrëveshjes dhe të fillojnë zbatimin e detyrimeve të tyre”, ka deklaruar zëdhënësi I BE-së . Pra tani po bëhet shumë e qartë që Serbia nuk mundë të llogaris e të vazhdon të luaj në dy fysha loje, të përfiton edhe nga Rusija edhe nga Evropa. BE i rikujton Serbisë se marrëveshja është pranuar nga ana e presidentit serb Aleksandër Vuçiq, edhe pse nuk është e nënshkruar, prandaj edhe si e tillë është obligative edhe në formë ligjore. “Për të kujtuar qëndrimin konsistent publik të BE-së, Marrëveshja me aneksin e saj të zbatimit është bërë ligjërisht e detyrueshme përmes deklaratës me shkrim të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së të datës 18 mars 2023. Kjo u pranua nga presidenti Vuçiq dhe kryeministri Kurti”. Sidoqoftë, BE nuk u ka dhënë ndonjë paralajmërim nëse do të ketë ndëshkime ndaj Serbisë për mohimin e marrëveshjes. Kryeministri serb, duke thënë se nuk e kanë pranuar marrëveshjen që doli nga plani franko-gjerman, tha se lëvizjet që i bëjnë është vetëm për të mbrojtur interesin e Serbisë për të mos u ndëshkuar. “Edhe njëherë. Po e them shumë qartë. Është duke u incizuar, qoftë në audio, qoftë në transkriptë: Republika e Serbisë nuk e ka pranuar marrëveshjen franko-gjermane. Edhe njëherë, ne nuk e kemi pranuar planin franko-gjerman. Ne nuk e kemi nënshkruar atë dhe ne kemi bërë deklarata përcaktuese dhe e kemi thënë shumë qartë që çdo implikim, implicit ose eksplicit, pavarësia e të ashtuquajturës Kosovë është e papranueshme. Është një vijë e kuqe për Republikën e Serbisë. A mund të flasim? Ne do të flasim. Ne kërkojmë të përdorim çdo hapësirë manovrimi në mënyrë që vendi ynë të mos varroset përsëri pas disa herë në historinë e fundit, që nuk persekutohet, ndëshkohet apo sanksionohet.
Kështu që ne të mos humbim diçka të vlefshme, duke mbrojtur diçka që është shumë e vlefshme për qytetarët e Serbisë. Dhe kuptoni pak që ne nuk duhet që gjithmonë të shfaqim kartat tona publikisht, sepse kjo është kundraproduktive për pozicionin e Serbisë”, tha ai. Pas kësaj ofensive serbe kanë reaguar me të drejtë qeveritarët e Kosovës , e ku deklaratën e kryeministrit serb, të përkthyer në anglisht, e ka shpërndarë zëvendëskryeministri Besnik Bislimi duke shtruar disa pyetje. “Kryeministri i Serbisë pyet Përfaqësuesin Special të BE-së dhe Shërbimin e Jashtëm të BE-së: Çfarë tjetër nevojitet për t’ju bindur se për Serbinë nuk ka Marrëveshje Bazike? Se pjesëmarrja e tyre në dialog falsifikohet vetëm për të shmangur sanksionet eventuale? Sa drafte të tjera të planit të sekuencimit na duhen përpara se të zbulojmë të vërtetën për të gjitha shtetet anëtare?”, ka shkruar kryenegociatori Bislimi në X. Tashmë po shihet se ishte shumë i drejtë edhe qëndrimi i Kryeministrit Albin Kurti në takimet e fundit që pati në Bruksel, që vendosi pikërisht kushtin e nënshkrimit të marrëveshjes nga ana e Serbisë dhe tërheqjen e letrës së ish-kryeministres serbe, Ana Bërnabiq, për të pasur një takim trilateral ku planifikoheshin diskutimet për zbatimin e marrëveshjes. Tashmë po qartësohet botërisht se është koha e fundit që BE ta ndalon përkëdheljen ndaj Serbisë dhe ta adreson saktë dhe pa asnjë kufizim nivelin e përgjegjësisë për të gjitha abuzimet dhe eskivimet që janë bërë dhe po bëhen në funksion të ikjes nga përgjegjësia e zbatimit të marrëveshjeve të dakorduara, por duke kërkuar nga pala Kosovare që ti përmbush ato pika që shkojnë në interes të shtetit dhe ambicieve serbe për defunksionalizim dhe dështim të shtetit të Kosovës.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".