Qytetarë, biznesmenë dhe politika në Kosovë: Mundësoni daljen në shtypin e shkruar të gazetës 'Kosova Sot'!
Skender Kapiti
Shkruan: Skënder Sadri KAPITI
Është e pabesueshme që si ka mundësi që Kosova si shtet është unikal në botë që nuk del asnjë gazetë në shtypin e shkruar. Si ka mundësi ky terr informativ në këto kohë moderne, si ka mundësi një antiintelektualizëm dhe injorim i tillë i shtypit të shkruar, një mohim i asaj vlere të jashtëzakonshme që ka pasur në shekuj pena dhe shkrimi që pa to nuk do kishte arritur këtu qytetërimi.
Po cuditen në Shqipëri kur mësojnë se në Kosovë nuk dalin në shtyp të shkruar gazetat.
Unë u ndala dhe si shëmbull po marr se si është e mundur që nuk del në Kosovë Gazeta e madhe “KOSOVA SOT” e cila ka kontribute të jashtëzakonshme që shquhet dhe që ka hipotekuar shëmbullin më të mirë të rezistencës dhe të përballjes me guxim të pashoq patriotik e intelektual, që ka sfiduar makinerinë kriminale e genocidiste të serbo-sllavisë; si ka mundësi që nuk del në shtypin e shkruar kjo gazetë e cila ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm intelektual e mediatik në të mirë të shtetndërtimit ligjor e modern të Kosovës; si ka mundësi që nuk del kjo gazetë që është përballur aq fort në sfidë kundër korrupsionit, hajnisë dhe tradhtisë së politikës dhe kundër cdo pushteti abuziv e korruptiv.
”Kosova Sot” kaq shumë e munguar jo vetëm në Kosovë por edhe në Shqipëri, dhe kur ka kaq shumë etje e nevojë lexuesi për të, si ka mundësi që ajo nuk mbështetet financiarisht nga qytetarët që kanë mundësi të kontribuojnë, as nga bizneset por as nga pushteti e shteti për atë kontribut të madh të saj në mirëinformimin dhe për edukimin patriotik,ligjor dhe letrar, demokratik e akademik,kur nga ana tjetër është për t’u habitur se si ka mundësi që gjendet paraja dhe financohen media e televizione për programe dhe emisione të pavlera dhe madje edhe për emisione të pa kulturë dhe antivlerash e reklamash turli llojesh e gjithfarëshe që disa janë edhe kundramorale, antipatriotike dhe përcarëse shoqërore, politike e fetare. Si ka mundësi që gjënden paratë për fabrikime e promovime të personazheve VIP (Veri(shumë) Injorant Personash) dhe nuk ka mundësi financimi dhe mbështetjeje nga qytetarë,biznese dhe nga qeveria të një gazete informative, intelektuale, kombëtare, të lirë dhe të paanshme si “KOSOVA SOT” .
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".
