
Detaje nga sulmi terrorist në kanalin Ibër-Lepenc dhe pasojat e tij në dialogun Kosovë-Serbi


Florim Zeqa
Shkruan: ANALISTI-Florim Zeqa
Sulmi terrorist në kanalin Ibër-Lepenc, një objekt vital dhe strategjik për furnizimin me ujë dhe energji elektrike, ka rënduar më tej jetën e qytetarëve dhe ka shkaktuar frikë dhe pasiguri në mesin e popullatës në të dyja anët e lumit Ibër.
-Ky akt ka vështirësuar akoma më shumë vazhdimin e dialogut dhe ka përkeqësuar mundësitë për zgjidhjen e problemeve të akumuluara në veri të Kosovës.
Nëse nuk ofrohen prova konkrete, si nga Kosova ashtu edhe nga Serbia, për sulmin në kanalin Ibër-Lepenc, e vërteta e këtij akti terrorist mund të mbetet e errët dhe e pasqaruar.
Përderisa të dyja palët, Kosova dhe Serbia, e akuzojnë njëra-tjetrën për këtë sulm terrorist, e vërteta do të mbetet një enigmë e pazgjidhur dhe një "nyje gordiane" e vazhdimit të dialogut mes dy vendeve në Bruksel.
Pa uljen e tensioneve politike, dialogu nuk do të sjellë asnjë rezultat konkret. Ndërkohë, presionet ruse mund të rrisin tensionet dhe të kontribuojnë në destabilizimin e Kosovës, veçanërisht pas dështimit të Perëndimit për të ndëshkuar Serbinë për sulmin terrorist në Banjskë, në shtatorin e vitit të kaluar.
Pas sulmit të fundit “enigmatik” në kanalin Ibër-Lepenc, nuk pritet përparim substancial në dialogun Kosovë-Serbi as brenda këtij viti, as në fillim të vitit të ardhshëm, derisa të formohet qeveria e re në Prishtinë.
Edhe pse Beogradi ka vazhduar angazhimin e tij të hapur për destabilizimin e Kosovës, veçanërisht përmes veriut, BE dhe SHBA kanë hezituar të reagojnë dhe ta ndëshkojnë Serbinë për këto veprime.
Sulmet e pandëshkuara paraqesin një rrezik permanent për përsëritjen e këtyre akteve, të cilat mund të jenë të planifikuara dhe të shfrytëzojnë çarçet e caktuara për të minuar procesin e dialogut dhe për të penguar arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare mes dy vendeve, të cilat kanë një histori të gjatë armiqësie në zemër të Ballkanit.
Administrata e re amerikane, që pritet të marrë detyrën në janar, do të angazhohet fillimisht për të menaxhuar vatrat e luftës dhe parandalimin e përhapjes së tyre, ndërsa do t’i vie radha Kosovës dhe Serbisë. Prezenca e trupave të NATO-s, përkatësisht KFOR-it, konsiderohet e mjaftueshme për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon për një kohë relativisht të gjatë.
Për këtë arsye, nuk mund të pritet një angazhim urgjent nga administrata e re amerikane për vazhdimin e dialogut para muajit mars të vitit të ardhshëm, kur Kosova do të ketë një qeveri të re, e cila mund të ketë një qasje më pragmatike ndaj Perëndimit dhe më tolerante në raport me dialogun Kosovë-Serbi në Bruksel.
Ky zhvillim nënkupton se nuk priten rezultate reale në dialog dhe as progres drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve, e aq më pak një njohje të ndërsjellë, pa zbatimin e plotë të marrëveshjeve të nënshkruara me ndërmjetësimin ndërkombëtar.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".