Kosova në zgjedhjet nacionale, ka nevojë shumë më shumë për deputet 'ujq', se sa deputet 'dele'!
Fadil Maloku
Shkruan: Fadil Maloku
1. Akti dhe fakti i “rekrutimit” të kandidatëve (si: anonimusa, si analistë, si i tik-tokera, si bigbrodhera, si futbalera, i kangëtarë, i…, e jo edhe si intelektualë e meritokrat që tashmë i kemi me bollëk!) për t’i hyrë garës në zgjedhjet nacionale, dëshmon më së miri se partitë tona politike e meritojnë vërtetë nga një “testimonium paupertatis racio” (certifikatë të varfërisë së mendjes). Themi kështu për shumë arsye. Por, ajo kryesore është se të gjithë këta të”rekrutuar” nuk janë “produkt” i ndonjë kontributi të veçant në afirmimin dhe hartimin sundimit të ligjit, pastaj luftimin e krimit, apo korrupsionit. Veçantia apo poenta e gjithë këtij procesi selektiv, qëndron në ate se shumicën e kandidaturave edhe kësaj radhe i ka hartuar, i ka imponuar dhe i ka përzgjedhur lideri i partisë s’bashku me grupet klanore dhe ato të interesit. Mënyra e këtillë e seleksionimit, (që i ka secila parti e jona garuese) më së miri e dëshmojnë si mënyrën e funksionimit tonë politik, ashtu edhe nivelin e emancipimit në shkallë kombëtare. Dhe jo vetëm kaq, ky listim me faktin dhe aktin e vazhdimit të “odisejades” së përzgjedhjes së kandidatëve nepotist e mbi të gjitha pakurrizor e poltronist (!?) që si thotë populli e “shikojnë vetëm çka thotë goja e liderit”, e jo edhe mendja, dija dhe bashkë idetë e tyre profesionale, na e dëshmon edhe katandisjen e sotme sociale e kulturore.
2. Kosova, me shumicën e kandidatëve poltronista të përzgjedhur absolutisht në mënyrë selektive nga autokracia partiake dhe lideri karizmatik dëshmon më së miri për (pa)përgjegjësinë dhe dështimin e instalimit të mekanizmit të përfaqësimit qytetar, nga ana e subjekteve politik, shoqërisë civile dhe medieve sociale. Involvimi i autokracive politike, në sistemin aktual zgjedhor, dosido dëshmon më së miri se ata nuk janë ende të përgaditur as për menaxhim, as për udhëheqje institucionale të shtetësisë, e as për ballafaqim me Serbinë, as me Washingtonin e as me Brukselin…
3. Pastaj, si mund të shquhen këto zgjedhje demokratike, kur kemi vetëm një njësi zgjedhore me gjitha këto komuna e nënkomuna, e kur votuesi do hutohet me mënyrën e përzgjedhjes së kandidatit i cili duhet denjësisht ta përfaqësoj interesin qytetar, në vend të atij klanor e partiak që ia ka servuar lideri!? Me këtë rast, ne edhe më tej nuk do kemi deputet që votohen nga njësia prej nga graviton dhe njihet kandidati, por, deputet që do i përzgjedhë autokracia partiake s’bashku me liderin! Parlamenti, gjithashtu do shndërrohet jo në aulë të ballafaqimit të argumenteve legjislative pro et contra, por, në shembëlltyrë të liderit! Ku kandidati për deputet, në vend që të futet në aranzhime e obligime ekskluzive qytetare, ai do nbetet peng klientelës partiake. Ky tip kandidati, tani llogaridhënien nuk do e marr si obligim qytetar, por, si obligim sadomazohist ndaj partisë dhe liderit karzmatik e autokrat. Pra, sikur kandidatët për deputet të përzgjidheshin nga zonat ku ata gravitojnë, ashtu siç është në demokracitë e avanauara, obligimet e tyre do ishin shumë më racionale, shumë më produktive, madje edhe shumë më dobiprurëse jo vetëm për partinë por edhe për interesin e gjithmbarshëm kombëtar…
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".
