Arrestimi i 16 serbëve, tregues se Serbia nuk ka hequr dorë nga destabilizimi

Arrestimi i 16 serbëve, tregues se Serbia nuk ka hequr dorë nga destabilizimi
Arrestimi i 16 serbëve, tregues se Serbia nuk ka hequr dorë nga destabilizimi

Skender Mulliqi

  • 09 April 2025 - 07:40

Shkruan: ANALISTI-Skender Mulliqi

Arrestimi i 16 serbëve të dërguar si spiunë serbë të Vuçiqit dhe Radoiçiqit në Gjakovë dhe në Prizren është tregues se Serbia nuk ka hequr dorë nga destabilizimi i Kosovës. Tash si duket kanë ndryshuar skenarë, duke tentuar që në brendësi të Kosovës të veprojnë me ndonjë akt terrorist. Është folur edhe për hedhjen e një granate dore në Postën e Kosovës në Zveçan. Thuhet se katër persona të arrestuar në Gjakovë janë pelegrinë, njëri toger i policisë dhe tjetri kapiten në ushtrinë serbe.

 

-Sikur edhe në vitet ’90 të shekullit të kaluar, pushteti serb në bashkëpunim me Kishën Ortodokse Serbe kanë kryer krimet më mizore në BH dhe në Kosovë. Edhe tash, pas shumë vitesh nga përfundimi i luftës në ish-Jugosllavi, po veprojnë së bashku në Bosnje, Mal të Zi dhe në Kosovë, në tentimin që me dhunë të rrumbullakojnë projektin fashist “të gjithë serbët në një shtet”. Siç thuhet në raportin policor, janë gjetur dëshmi të lidhjes me strukturat e inteligjencës serbe dhe me anëtarët e grupit terrorist të Banjskës.

Meqenëse Vuçiqi nuk ra nga pushteti në protestat masive (që nuk do të thotë se nuk do të bie një ditë), së bashku me terroristin tjetër, Milan Radoiçiq, po tentojnë me çdo kusht që gjoja në emër të mbrojtjes së minoritetit serb në Kosovë të veprojnë me shpërthime të ndryshme të akteve të dhunës ndaj shqiptarëve, për të treguar para botës demokratike se serbët gjoja po kërcënohen nga shqiptarët.

Qeveria me kryeministrin Albin Kurti u ka ngushtuar fushën e veprimit në veri të Kosovës, duke i shpartalluar shumë nga këto banda terroriste, duke vendosur për herë të parë rendin dhe ligjin edhe në këtë pjesë të vendit. Por kjo nuk do të thotë që Serbia, me garniturën e çetnikëve në pushtet, do të heqë dorë nga dhuna brutale ndaj çdo gjëje shqiptare.

Fakti se organet tona kanë arritur t’i zbulojnë dhe arrestojnë këtë grup kriminelësh të Vuçiqit flet për efikasitetin e policisë dhe organeve të tjera të sigurisë kombëtare. Kjo është një tregues i vigjilencës, duke mos lënë vend për asnjë befasi, kur dihet për motivet fashiste të presidentit serb për ndarje etnike të veriut të vendit, edhe me luftë.

Rrjedhat politike në Serbi me protesta dhe gjendja jo stabile në Evropë me shpërthimin e luftës në Ukrainë, janë duke u parë nga rusët dhe serbët si një mundësi e mirë për zgjerim territorësh. Dodik në Bosnje dhe Vuçiq në Serbi janë vënë në ballë të secesionizmit në BH dhe në Kosovë, por edhe në Mal të Zi. Janë duke u përpjekur që me çdo kusht të gjejnë zbatim elaboratet famëkeqe nga e kaluara dhe nga pikat e miratuara të Kuvendit Gjithëserb në Beograd, që iu prinë peshkopët e kishës serbe.

Republika Serpska po tenton të shkëputet nga BH-ja dhe në Kosovë patëm në vazhdimësi akte të dhunës serbe, duke kulmuar me dy aktet terroriste në Banjskë dhe në Zveçan. Në Banjskë, terroristët e Radoiçiqit gjetën strehim në kishë, ku me shumë mundësi kishat serbe po shfrytëzohen si depo të armatimit. Sigurisht që këtë qëllim e kishte edhe grupi i arrestuar në Gjakovë dhe në Prizren nga Policia e Kosovës. Edhe ky grup hyn në sfondin e grupit sulmues terrorist. Edhe kësaj radhe, si edhe më parë, presidenti serb u përpoq që përgjegjësinë ta hedhë mbi Kosovën.

Lufta speciale serbe është në bashkëpunim të ngushtë me luftën speciale ruse. Ky grup i kapur nga organet tona ka zgjedhur momentin kur ende nuk janë formuar organet e reja të pushtetit. Kjo çka po dëgjojmë dhe po shohim është pjesëmarrje e drejtpërdrejtë në operacionet terroriste serbe ndaj Kosovës për destabilizimin e saj. Edhe ky episod i strukturave kriminale sekrete serbe ka një vazhdimësi.

Sfidë e BE-së, e cila edhe pati krijuar një ekip hulumtues për rastin Banjskë, është ekstradimi i terroristit Radoiçiq dhe sulmuesve të tjerë në Kosovë. Vuçiq, Dodik, Sheshel, Vulin, Mandiq, etj., po shfaqen si destabilizues aktivë të Ballkanit. Të gjitha incidentet, edhe ky i fundit, pasqyrojnë marrëdhëniet midis Rusisë dhe Serbisë në njërën anë, dhe Perëndimit në anën tjetër. BE-ja shumë e ka humbur besueshmërinë për shkak të oportunizmit apo edhe mbajtjes së anës së pushtetit kriminal të Serbisë.

Në Kosovë, Vuçiqi dhe Putini po dëshirojnë të përfitojnë përmes operacioneve të ndryshme kriminale. Qëllimi tjetër i Serbisë, siç e tha edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është që të ndikojnë minoritetin serb nga Beogradi për të mos pranuar pushtetin legjitim të Prishtinës, në këtë kontekst për t’i bojkotuar edhe të gjitha zgjedhjet që mbahen në Kosovë. Organet e reja të shtetit duhet të krijohen sa më parë që të mos mbetet vakum institucional, i cili mund të shfrytëzohet nga Serbia për të futur grupe të ndryshme terroriste në Kosovë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".