
Lexoni edhe:
Aziri: Serbia është duke e penguar formimin e institucioneve
Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri
Siç u dëshmua nga ndërmarrja e një operacioni të përbashkët të organeve të sigurisë së shtetit të Kosovës më 5 dhe 6 prill, që rezultoi me ndalimin e 16 serbëve në katër automjete me targa të Kragujevcit të Serbisë, dhe 4 nga ata u vërtetua se ishin oficerë aktivë të shërbimeve të sigurisë së Serbisë, ky akt flet më qartë se çdo gjë tjetër për rrethanat e presionit dhe atakimeve të vazhdueshme ndaj shtetit të pavarur të Kosovës, nga ndërhyrjet me të gjitha mjetet dhe mundësitë, përfshirë edhe keqpërdorimin e kishave, manastireve dhe festave ortodokse, nga krimineli Aleksandër Vuçiq dhe Serbia hegjemoniste, në përpjekjet e tyre për të transferuar problemet e brendshme në Kosovë.
Aziri: Serbia është duke e penguar formimin e institucioneveLexoni edhe:
-Madje në bastisjen e shtëpive të pjesëtarëve të BIA-s serbe në Zubin Potok, të kamufluar si pelegrinë apo thjesht të mbuluar me petkun fetar të priftit ortodoks, sipas informatave të publikuara nga mediat dhe dëshmive të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, në shtëpitë e tyre u gjetën disa jelekë antiplumb, 2 pushkë automatike të tipit Kallashnikov, 13 karikatorë Kallashnikovi, mbi 100 plumba të armëve të ndryshme, 3 pasaporta të Serbisë, 3 radio-lidhje, 2 flamuj të Serbisë – gjë që dëshmon qartë se ata ishin në parapërgatitje për ndërmarrjen e ndonjë veprimi kundërligjor dhe destabilizimin e gjendjes në veri dhe pjesë të tjera të Kosovës.
Sipas të dhënave fillestare, dyshohet se këto grupe kishin për qëllim mbledhjen e informacioneve për caqe të caktuara si vende të mundshme të atakimeve nga grupe terroriste serbe, pasi janë gjetur dëshmi të ndërlidhjes me strukturat e inteligjencës ushtarake serbe si dhe me anëtarë të grupit terrorist të Banjskës.
Shto kësaj faktin se disa nga të arrestuarit serbë në Gjakovë dhe Prizren, edhe para gjykatës së Kosovës, kanë pranuar se janë pjesëtarë aktivë të ushtrisë dhe policisë së Serbisë, gjë që vërteton edhe njëherë më tepër se specialiteti i Serbisë për kamuflimin e aksioneve të fshehta agjenturore dhe kriminale, është keqpërdorimi i petkut të priftit, festave fetare për dërgimin e agjentëve të saj sekret si pelegrinë, si dhe keqpërdorimi i objekteve fetare për takime konspirative, grumbullim armësh dhe parapërgatitje të aksioneve terroriste në Kosovë, ashtu siç është vepruar edhe në të kaluarën e afërt.
Ndaj pas sulmit terrorist serb në Ibër Lepencë, sulmit me elemente terroriste të para pak ditëve me dy bomba dore në degën e Postës së Kosovës në Zveçan, si dhe rastet më të reja të defilimit në të gjithë territorin e Kosovës, deri edhe në Gjakovë e Prizren, të terroristëve dhe agjentëve të fshehtë të BIA-s së Serbisë, duke keqpërdorur në mënyrë të ulët edhe ditët e festave fetare e duke u kamufluar si priftërinj e pelegrinë ortodoksë serbë, reagimi i kryeministrit Kurti, ministrit të Brendshëm z. Sveçla dhe Ministrisë së Brendshme të Kosovës ishte plotësisht i qëlluar dhe konform zhvillimeve më të reja konspirative dhe agjenturore të BIA-s së Serbisë që po ndodhin në vijimësi në Kosovë.
Ndërhyrjet e Serbisë në Kosovë nuk janë të parat dhe ndoshta as të fundit. Madje të gjithë jemi dëshmitarë se ndikimi i tyre tashmë është shtrirë deri në pengesat për (mos)formimin e institucioneve, përmes shantazhimit dhe joshjes së deputetëve të pakicave jo-serbe, si deputetes së asimiluar Duda Balje, Berisha, përfaqësuesit të të ashtuquajturve "Goran" – Adem Hoxha, i cili deri vonë ishte pjesë e dorës së zgjatur të Serbisë në Kosovë – të ashtuquajturës “Listë Serbe”, por edhe te partitë shqiptare, për të penguar formimin e Qeverisë dhe institucioneve tjera jetike shtetërore, si dhe për të komplikuar më tej tërë politikën e brendshme të Kosovës.
Prandaj Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme, konform gjendjes, për t’i hetuar me kohë, parandaluar dhe penguar të gjitha veprimet e mundshme konspirativo-agjenturore të Serbisë në vendin tonë, siç u pa edhe me arrestimin e agjentëve të BIA-s dhe bashkëpunëtorëve e oficerëve të policisë dhe ushtrisë së Serbisë, të cilët, të kamufluar si priftërinj dhe pelegrinë ortodoksë, kishin depërtuar deri në Gjakovë e Prizren. Po të mos ishin zbuluar me kohë nga organet e sigurisë së shtetit tonë, kush e di çfarë veprime kishin planifikuar dhe me çfarë pasojash do të përballej vendi dhe ndërkombëtarët.
Deputetja britanike Alicia Kearns, qysh në fillim të korrikut të vitit 2023, pati paralajmëruar Kosovën dhe alarmoi edhe faktorin ndërkombëtar, se Serbia po kontrabandonte armë me autoambulanca në kisha e manastire ortodokse në Kosovë. Ajo theksoi se për këtë ishte në dijeni të plotë edhe vetë KFOR-i.
Pas publikimit të deklaratave të saj – të cilat vetëm pak muaj më vonë u konfirmuan me sulmin terrorist në Banjë të Zveçanit – ajo u kërcënua drejtpërdrejt nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, vetëm pse guxoi të fliste hapur për agresionin e Serbisë dhe kontrabandën e armëve në Kosovë, nga një njeri që dikur ishte ministër i informimit i qeverisë së Millosheviqit dhe që njihet për manipulime dhe metoda rusosovjetike për kamuflimin e akteve kriminale.
Se Serbia po vazhdon të ndërhyjë brutalisht në politikën e brendshme të Kosovës, përveç Këshillit të Sigurisë së Kosovës, kjo u dëshmua edhe në javën e parë të prillit, kur Kryeministri Kurti zhvilloi takime me partitë e komuniteteve jo-serbe, dhe nga deklarimet absurde e kushtet e papranueshme që i janë parashtruar atij, u bë e qartë se Serbia po ndërhyn edhe te këto grupe për të sabotuar formimin e institucioneve.
Kështu që është momenti vendimtar që çdo ndërhyrje e Serbisë të ndalet përfundimisht, siç kërkoi edhe Këshilli i Sigurisë së Kosovës, i cili, me ftesë të Kryeministrit Kurti, u mblodh në Prishtinë dhe konfirmoi se Serbia po ndikon jo vetëm te komuniteti serb, por edhe te disa deputetë të komuniteteve të tjera jo-serbe, për të sabotuar themelimin e institucioneve të reja.
Vlerësimi i Kryeministrit dhe i Këshillit të Sigurisë ishte njëzëri: Serbia po ndërhyn vazhdimisht dhe brutalisht në Kosovë, me qëllim që ta destabilizojë vendin përmes tensioneve ndëretnike dhe përplasjeve politike të brendshme. Këto veprime janë ndërhyrje të drejtpërdrejta në sovranitetin, funksionimin demokratik dhe integritetin institucional të Republikës së Kosovës, dhe ndaj tyre duhet të ndërmerren masa të menjëhershme për t’i ndalur.
Duke qenë se të gjithë kriminelët dhe terroristët serbë që kanë marrë pjesë në sulme terroriste apo janë kapur në planifikim të akteve të tjera, janë të lidhur direkt apo indirekt me “Listën Serbe”, atëherë siç u shpreh edhe zëvendësministri i Drejtësisë, z. Blerim Sallahu, duhet të shqyrtohet urgjentisht shpallja e “Listës Serbe” si organizatë terroriste. Përndryshe, vetë drejtësia e Kosovës do të bëhej palë e cenimit të sigurisë, integritetit territorial dhe vazhdimësisë së shtetit të Kosovës.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".