
Lexoni edhe:
Një përçarje të madhe në mërgatë po e bëjnë partitë politike nga Shqipëria, Kosova dhe nga viset e tjera shqiptare
Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri
Fillimisht dua të cek, që në hyrje të tekstit, se me katapultimin e Lumir Abdixhikut, nga jashtë partisë, në krye të Partisë së dr. Ibrahim Rugovës, pas uzurpimit praktik të këtij subjekti politik, përveç spastrimit të kuadrove shumëvjeçare nga Llapi dhe Dukagjini, deri te përfolja për skemat kriminale për manipulimin e votave edhe brenda vetë partisë, Abdixhiku me merakliun e qejfit dhe dashamirin e rakisë së fortë, Lutfi Haziri, ia kanë humbur edhe atë grimë dinjiteti – ish-shtetformues, që deri me ardhjen e Abdixhikut e kishte ende, ish-LDK!
Madje, nisur nga vetë sjelljet e Abdixhikut, qytetarët kanë filluar të binden se njerëz të caktuar nga Lugina, me gjithë qëllimin e mirë të shtetit të Kosovës, që të vazhdojë me favorizimin e tyre, duke i emëruar, vendosur, apo në raste të caktuara edhe katapultuar, pa e pasur fare radhën, si në rastin e LDK-së, në pozita me rëndësi, pas marrjes së pozitave, ata po bëhen aq kapriciozë, sa që po mendojnë se janë të pazëvendësueshëm dhe mbivendosin ligjet e veta, jo vetëm në pozita dhe kryesi të partisë, por për shkak të "inatit" personal, në vend të vendimeve të arsyeshme politike, nuk ua ndien fare, se me sëmundjet e mendjemadhësisë dhe tekeve të tyre të ulëta të sjella nga periferia e tyre, po rrezikojnë jo më, thjesht vetëm partinë, por edhe konstituimin, qëndrueshmërinë dhe konstelacionet institucionale të shtetit të Kosovës.
Ndaj është momenti vendimtar, që të marrë fund kjo praktikë dhe Kosova, si dhe politika vendore, prioritet t’u japë jo më rajoneve dhe prejardhjes së personave, si manekini i Luginës, i cili pas hipjes në post, merr guximin që edhe çështjen e Kosovës ta matë me hijen e vet minore, por interesave të shtetit, të cilat duhet të jenë të parat dhe mbi të gjitha, për udhëheqës dhe partitë që veprojnë në Kosovën e lirë!
Në anën tjetër, derisa në parlament edhe sot kemi deputetë që kanë miratuar faljen e tokave të Kosovës vendeve fqinje, kanë votuar "zajednicën" kundërkushtetuese njëetnike serbe, si dhe Gjykatën Speciale, në mesin e të cilëve pas PDK-së, vendin e dytë e zënë deputetët e LDK-së, është plotësisht e qartë se njerëz të tillë nuk janë të vullnetit që të konstituohet edhe Kuvendi e të formohen institucionet e reja të Republikës së Kosovës, ndaj Kosova medoemos duhet të shkojë sa më parë në zgjedhje të reja në mënyrë që sovrani, me rivotim, ta korrigjojë votimin e mëparshëm, të krijojë situata më të qarta politike dhe të zgjidhë ngërçin e krijuar me votat e 9 shkurtit!
Ndërsa sa i takon presidentes, unë nuk besoj se ajo po dështon, por fakti është se me lojën aktuale – "deputetçe", janë të kënaqura të gjitha partitë, ngase deputetët e tyre po marrin rrogat dhe mëditjet edhe për dështimet, që për të 11-tën herë me radhë, po dëshmojnë me moskonstituimin e Kuvendit, kurse dr. Vjosa Osmani deri më tani nuk ka marrë asnjë kërkesë nga partitë politike për përdorimin e autoritetit të saj kushtetues në zgjidhjen e krizës që po krijojnë deputetët e pamerituar me mosvotimet e tyre, ani pse kanë marrë besimin nga qytetarët dhe janë të obliguar ligjërisht për konstituimin e institucioneve të shtetit.
Edhe Gjykata Kushtetuese e vendit tonë, realisht është një garantuese e rendit kushtetues, deri në momentet kur merr vendime të pavarura, vepron drejt, paanshëm e në bazë të ligjit dhe kompetencave që ka. Përndryshe, kur merr vendime të ndikuara politikisht, ajo vërtetë kthehet vetëm në një “filozofe” të së drejtës pa fuqi reale veprimi, e cila krijon mosbesim dhe fut huti edhe në opinion!
E këto ditë ne jemi dëshmitarë, se nga deputetët jomeritorë po keqshfrytëzohet në mënyrën më brutale edhe boshllëku ligjor, si dhe mungesa e grupeve parlamentare si justifikim për të zvarritur qëllimisht formimin e institucioneve, duke kaluar edhe seanca e 11-të me radhë, pas të cilës duket se, për shkak të papërgjegjësisë totale dhe oportunizmit spektakular të subjekteve aktuale, do të zgjasë edhe më tej drama e moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Andaj, për situatën e palakmueshme në të cilën ka rrëshqitur fatkeqësisht vendi ynë, duke qenë se nga deputetët e kësaj legjislature ende, deri më tani, nuk janë formuar as Grupet Parlamentare, siç ka deklaruar Kadri Kryeziu, ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, të drejtë ankese në Kushtetuese dhe mundësinë e parashtrimit të pyetjeve në këtë institucion, lidhur me gjendjen e paprecedentë të shkaktuar në Kuvend nga papërgjegjësia e partive politike, e ka vetëm presidentja e vendit, zonja dr. Vjosa Osmani.
Kështu që, siç shprehet edhe z. Kryeziu, nëse gjatë procedimit ose zgjedhjes së Kuvendit mund të ketë shkelje kushtetuese, është koha e fundit që presidentja e shtetit të shfrytëzojë autoritetin e saj dhe t’i drejtohet kësaj Gjykate, që ajo ta japë mendimin e vet ligjor dhe të bëjë interpretimin kushtetues se si të veprohet më tej, sipas Rregullores, qoftë më tepër të karakterit të filozofisë së së drejtës, sesa karakterit pragmatik të së drejtës, edhe nëse nuk ka të drejtë të përcaktojë data dhe afate, të cilat pastaj i përcakton vetë Kuvendi, si mundësia më praktike për dalje nga situata aktuale.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".