Qarri: Deputetët trushpëlarë, me rroga mbi 1770 euro po zhvatin në mënyrën më të paturpshme buxhetin e shtetit

Qarri: Deputetët trushpëlarë, me rroga mbi 1770 euro po zhvatin në mënyrën më të paturpshme buxhetin e shtetit
Qarri: Deputetët trushpëlarë, me rroga mbi 1770 euro po zhvatin në mënyrën më të paturpshme buxhetin e shtetit

Gani Qarri

  • 04 June 2025 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

Derisa vendet me kulturë të lartë politike zgjidhin të gjitha problemet përmes bashkëpunimit ndërpartiak dhe eliminojnë çdo lloj krize politike, në rast nevoje duke krijuar qeveri edhe ndërmjet dy partive më të mëdha kundërshtare – si në Gjermani, CDU&CSU dhe SPD – në Kosovë vazhdon koketimi i partive të inkriminuara opozitare, për të keq, duke bllokuar qëllimisht për të 25-tën herë konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe hapur rrugë dështimit të 26-të. Një situatë kjo vërtet e paprecedentë politike, që kur e mendon njeriu se pikërisht për shkak të partive shqipfolëse, të cilat kanë votuar me aklamacion "Zajednicën" kundërkushtetuese serbe, Gjykatën Speciale dhe faljen e 8300 hektarëve tokë të Kosovës shtetit xhuxh të Malit të Zi, të gjithë qytetarët – madje edhe ata më inferiorët – mbesin pa fjalë!

 

 

-E mu në kohën kur Kuvendi vazhdon të jetë jofunksional e pengohet formimi i qeverisë dhe institucioneve funksionale të shtetit, deputetët trushpëlarë, me sjelljet e tyre pa asnjë përgjegjësi, me rroga mbi 1770 euro dhe mëditjet e paprecedentë çdo 48 orë, po zhvatin në mënyrën më të paturpshme buxhetin e shtetit dhe keqpërdorin në mënyrën më të ulët taksat e votuesve dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës, duke mbajtur qëllimisht të paralizuar jetën parlamentare dhe duke penguar formimin e institucioneve funksionale të shtetit të Kosovës!

Deputetë pa dinjitet, të opozitës së inkriminuar, të cilët me bllokimin e konstituimit të Kuvendit dhe pengimin e krijimit të institucioneve funksionale të shtetit, në koordinim me dorën e zgjatur të Serbisë në Kosovë – të ashtuquajturën "listë serbe" – jo vetëm që po e thellojnë gjithnjë e më shumë krizën institucionale, por me vetëdije të plotë kanë bllokuar edhe 880 milion euro të BE-së, të parapara për Republikën e Kosovës, për shkak të mungesës së institucioneve funksionale, duke rrezikuar qëllimisht edhe mirëqenien e qytetarëve, sigurinë politike dhe atë sociale në vend.

Gjendje e habitshme, që me gjithë vetëdijen praktike të secilit deputet se vetëm bashkëpunimi ndërpartiak mundëson zhbllokimin e situatës dhe rikthimin e funksionimit normal të institucioneve, fatkeqësisht qëndrimi i tyre alarmues, përveçse po reflekton mungesë të thellë të konsensusit politik, gatishmërisë për bashkëpunim ndërpartiak dhe vullnetit për zgjidhjen e ngërçit politik, kjo sjellje e papërgjegjshme e deputetëve po shkel me të dy këmbët mbi besimin e votuesve dhe të gjithë qytetarëve, duke rrezikuar procesin demokratik, stabilitetin institucional dhe duke dëmtuar rëndë imazhin e shtetit të Kosovës para miqve tanë dhe faktorit ndërkombëtar.

E nëse kjo gjendje vazhdon të përsëritet çdo 48 orë, dhe deputetët e opozitës nuk shkojnë në Kuvend për të votuar dhe kryer obligimin e tyre ligjor e kushtetues, por vetëm sa për t’u shënuar si të pranishëm për disa minuta dhe për të marrë mëditjet e majme çdo dy ditë, kjo vërtet është një precedencë e patolerueshme, e dëmshme dhe e rrezikshme për qytetarët dhe shtetin e Kosovës, të cilës urgjentisht duhet t’i thuhet: STOP!

Qëndrimi i ngurtë i deputetëve opozitarë, si i mumieve egjiptiane, po rrezikon jo vetëm konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë, por po kërcënon hapur edhe gjendjen sociale dhe stabilitetin politik në vend. Me vetëdije, duke marrë paga të majme dhe mëditje të larta çdo 48 orë nga taksat tona, pa votuar dhe pa shpenzuar asnjë fjalë të vetme në parlament, po e fusin Kosovën në krizë besueshmërie para faktorit ndërkombëtar. Për çdo dështim të inskenuar 48 orësh nga këta deputetë të papërgjegjshëm, po dëmtohet gjithnjë e më shumë buxheti i shtetit dhe imazhi ndërkombëtar i Republikës së Kosovës.

Ndaj është momenti vendimtar që populli i Kosovës urgjentisht të ngrihet në demonstrata e protesta masive për defaktorizimin e plotë dhe heqjen e mandateve këtyre kuasi-deputetëve tërësisht të paaftë, aspak seriozë, të cilët po tregohen zhvatësit më të paskrupullt të taksave të qytetarëve të Kosovës. Madje, duke u paguar "rrast" nga paratë tona, nuk po mërziten fare që me vetëdije po kërcënojnë mirëqenien e qytetarëve, rrezikojnë qëllimisht stabilitetin politik e social dhe turpërojnë Kosovën para miqve tanë dhe bashkësisë ndërkombëtare.

Për aq më keq, pas dështimit për të 25-tën herë, shihet publikisht se partitë e inkriminuara, në koketim me Vuçiqin dhe të ashtuquajturën "listë serbe", duan ta kthejnë ngërçin në një krizë të vazhdueshme spirale, me synim që ta lënë vendin për kohë të pacaktuar pa Kuvend të konstituuar, pa institucione valide dhe pa qeveri funksionale, duke cenuar ligjet, kushtetutshmërinë dhe vetë themelet e shtetit të Kosovës!

Prandaj, duke qenë se kjo legjislaturë turpi po tregohet tërësisht e paaftë për të zgjidhur ngërçin politik, duhet urgjentisht të defaktorizohet. Deputetëve të tillë, pa vlera morale e ndjesi atdhetare, duhet t’u hiqen menjëherë mandatet e pamerituara, t’u ndalen pagat dhe të kërkohet kthimi i mëditjeve 48-orëshe – të pashoqe në botë – derisa këta të ashtuquajtur deputetë shkelin ligjin dhe Kushtetutën e vendit, duke mos votuar dhe duke mos kontribuar qoftë edhe minimalisht për të mirën e këtij vendi dhe për ardhmërinë e fëmijëve tanë.

Krejt loja që po bën opozita e inkriminuar në koordinim me të ashtuquajturën "listë serbe", edhe 4 muaj pas zgjedhjeve, nuk ka të bëjë më me emrin e Albulena Haxhiut apo me Lëvizjen Vetëvendosje, por është një marrëveshje e koordinuar e opozitës me Vuçiqin, me argatin e tij në SHBA "dylberin" Grenell dhe dorën e zgjatur të Serbisë – "listën serbe" – për të bllokuar Kuvendin dhe formimin e qeverisë, duke shkaktuar kaos politik dhe social, në kohën kur BE pret konstituimin e Kuvendit për të dërguar 880 milion euro në ndihma, grante, subvencione dhe kredi afatgjata për qytetarët dhe zhvillimin e shtetit të Kosovës.

Edhe seanca e 25-të parlamentare ishte vazhdim i të njëjtit skenar konspirativ të partive të inkriminuara. Tashmë po shihet hapur se ngërçi politik është shndërruar në një mision për të shkaktuar paralizë totale të shtetit dhe për të rrezikuar seriozisht gjendjen sociale dhe të sigurisë në vend.

Duke qenë se LDK ka refuzuar hyrjen në koalicion me LVV-në, dhe partitë opozitare PDK, LDK, "lista serbe" dhe AAK-NISMA nuk kanë arritur konsensus për krijimin e një shumice parlamentare, po vazhdojnë bllokimin e konstituimit të Kuvendit, duke e lënë Kosovën pa institucione legjitime. Sjelljet e deputetëve të papërgjegjshëm, të cilët marrin paga dhe mëditje të majme pa kontribuar fare, përbëjnë shkelje të rëndë të Kushtetutës, e cila kërkon prej tyre pjesëmarrje aktive dhe përgjegjësi.

Bllokimi konstant i Kuvendit është një strategji e ulët konspirative, një akt antishtetëror dhe antikombëtar. Edhe Gjykata Kushtetuese, pas një muaji, nuk ka kthyer përgjigje për këtë situatë. Deputetët, ndërkohë, vazhdojnë të paguhen rregullisht, duke bërë që edhe më i varfri prej tyre, brenda një viti, të bëhet milioner nga taksat tona, pa folur, pa votuar dhe pa kontribuar asgjë. Këto para, realisht, janë "HARAM".

Duke parë që përpjekjet për konstituim po dështojnë njëra pas tjetrës, ndërkohë që deputetët nuk i kushtojnë asnjë rëndësi përgjegjësisë që mbajnë, mbetet vetëm kërkesa që kjo legjislaturë e dështuar të defaktorizohet dhe vendi të shkojë në zgjedhje të reja sa më parë.

Mungesa e Kuvendit, qeverisë dhe institucioneve, përveçse ka zbehur kredibilitetin ndërkombëtar të Kosovës, ka dëmtuar marrëdhëniet me BE-në, SHBA-të dhe NATO-n. Edhe pse këtë vit ishte planifikuar që Komanda e Ushtrisë Amerikane dhe ushtrimet "Defender 2025" të mbaheshin në Kosovë, bllokada po pengon gjithçka: ekonominë, ligjet, drejtësinë, reformat dhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës, BE e NATO. Ky është një akt i pafalshëm, për të cilin deputetët dhe partitë duhet të mbajnë përgjegjësi.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".