Shteti nuk është lojë numrash

Shteti nuk është lojë numrash
Shteti nuk është lojë numrash

Isuf Bajraktari

  • 21 June 2025 - 16:14

Nga Isuf Bajraktari

Ndërkohë që të hënën në orën 10:30 Kuvendi i Kosovës mblidhet për herë të 36-të për të zgjedhur kryetarin e ri të Kuvendit, situata politike në vend ngjan më shumë me një bllokadë institucionale sesa me proces demokratik. Partia fituese nuk i ka numrat, partitë e tjera ashtu, ndërsa vendi rrotullohet rreth të njëjtës krizë: mungesës së vullnetit për kompromis, për bashkëpunim dhe për maturi politike.


Në rrugë, populli e përkthen këtë realitet me një shprehje të thjeshtë por tronditëse: “Ta kam ma keq” një filozofi e përhapur politike ku palët, në vend që të bashkëpunojnë për të mirën e përbashkët, përpiqen t’ia bëjnë njëra-tjetrës më keq, edhe nëse në këtë proces e dëmtojnë vetë shtetin. Kjo logjikë hakmarrjeje dhe inati nuk ndërton institucione, nuk sjell stabilitet dhe sigurisht, nuk krijon shtet.

 

Politika nuk bëhet me instinkte, por me aleanca

Ndërsa bota përballet me një krizë të re në Lindjen e Mesme, një reflektim i domosdoshëm duhet të ndodhë edhe në Kosovë: çfarë do të thotë të duash shtetin tënd në kohë krize? Kush janë miqtë tanë? Dhe a kemi ne vërtet politikë shtetformuese?

Lindja e Mesme u përpoq të niste një proces paqeje me “Marrëveshjet e Abrahamit”, duke vendosur dialogun përpara urrejtjes së trashëguar. Por Irani, i frikësuar nga afrimi i Arabisë Saudite me Izraelin, e sabotoi këtë përpjekje përmes Hamasit dhe Hezbollahut. Më 7 tetor 2023 shpërtheu dhuna që sot ka përfshirë gjithë rajonin.

Paqja, siç po shihet, është e brishtë. Por është e domosdoshme. Dhe mbi të gjitha, është rezultat i strategjisë, jo ndjenjës.

Vetëvendosje dhe rruga e humbur mes pushtetit dhe protestës

Po Kosova çfarë strategjie ka? A e kemi të qartë ne se kush janë aleatët tanë dhe kush janë ata që nuk e duan ekzistencën tonë? A e kuptojnë liderët tanë që nuk mund të ketë shtet pa diplomaci të pjekur?

Irani nuk e njeh Kosovën. E quan pjesë të Serbisë. Dhe megjithatë, sot e shohim një pjesë të opinionit publik shqiptar të rreshtuar verbërisht pas tij, në emër të “çështjeve të mëdha” që as nuk i kuptojnë plotësisht, as nuk i ndihmojnë askënd, përveç armiqve tanë.

Ky është efekti i mungesës së vetëdijes kombëtare dhe dështimit të politikës për të edukuar qytetarin me bindje të shëndosha shtetërore.

Për më keq, kjo gjendje nuk është vetëm në popull. Është në majë të shtetit. Në retorikën e qeverisë, sidomos të partisë në pushtet, Vetëvendosjes, ndonjëherë ndjehet më shumë zemërim se mençuri, më shumë kokëfortësi se diplomaci.

Kur je në pushtet, nuk ke më luksin të jesh “kundër të gjithëve”. Nuk je më aktivist, je shtetar. Dhe shtetari nuk punon për ta ruajtur veten nga kritikat, por për ta ruajtur shtetin nga rrëshqitja në vetminë ndërkombëtare.

Ndërsa izraelitët po kthehen në atdhe për ta mbrojtur shtetin e tyre në krizë, shqiptarët janë të ndarë për gjithçka madje edhe për kush është armiku i tyre. Dhe kjo është një rrezik i madh. Sepse siç thotë Carl Schmitt: “Politika fillon me dallimin mes mikut dhe armikut”.

Nëse nuk e bëjmë këtë dallim si shtet dhe si popull, atëherë dikush tjetër do ta bëjë për ne. Dhe historia ka treguar se gjithmonë ka të tjerë të gatshëm ta vendosin fatin tonë në tryezën e tyre.

Strategjia: Çfarë duhet të ndryshojë urgjentisht

Situata aktuale ndërkombëtare është një pasqyrë brutale për vendimmarrësit në Kosovë. Në veçanti, për ata që mbajnë përgjegjësinë e qeverisjes. Në këtë kontekst, Vetëvendosje si parti në pushtet, dhe veçanërisht ish-kryeministri Albin Kurti, duhet të ndalen dhe të reflektojnë:

• A po e udhëheqim Kosovën drejt forcimit të shtetësisë, apo drejt izolimit të saj?

• A kemi aleatë që na besojnë? Apo po i largojmë me çdo deklaratë arrogante?

• A jemi duke ndërtuar diplomaci afatgjate, apo thjesht duke konsumuar një narrativë populiste për konsum të brendshëm?

Irani dhe Rusia e dinë shumë mirë që njohja ndërkombëtare e Kosovës është kërcënim për qëllimet e tyre. Ata nuk na njohin. Ata veprojnë kundër nesh në çdo forum. Dhe për ironi, disa prej nesh flirtojnë me kauzat e tyre, në emër të “opozitarizmit global”. Ky është vetëshkatërrim ideologjik.

Qeveria duhet të kuptojë se shteti nuk funksionon si protestë permanente. Protesta ishte mjet për të ardhur në pushtet. Por shtetformimi kërkon fleksibilitet, dialog, aleanca, maturi.

Rekomandimet kyçe për Vetëvendosjen

Rikonfirmimi publik i aleancës me Perëndimin, sidomos me ShBA. Jo me fjalë të përditshme, por me veprime konkrete diplomatike dhe ndërtim të besimit të dëmtuar. Distancim i qartë nga ideologjitë e huaja që nuk e njohin shtetin tonë, dhe që përpiqen ta shfrytëzojnë Kosovën si arenë për betejat e tyre gjeopolitike. Ndërtimi i një politike të jashtme konsistente dhe profesionale, jo të varur nga imazhi personal i liderit. Ndryshim toni dhe përmbajtjeje në komunikim publik, sepse arroganca e ka çmimin e vet: izolimin.

Kujtesë për gjithë spektrin politik: shteti nuk është lojë personale

Kjo analizë nuk është sulm ndaj një partie apo lideri. Është thirrje për kthjellim. Sepse Kosova nuk ka më kohë për të gabuar. Rreziqet janë reale. Bota është në riorganizim. Dhe vetëm ata që dallojnë armikun nga miku, e mbajnë gjallë shtetin në këtë epokë të errët.

 

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".