Qarri: Qytetarët e Kosovës nuk hanë bar dhe nuk do të lejojnë që vullneti i tyre të shkilet

Qarri: Qytetarët e Kosovës nuk hanë bar dhe nuk do të lejojnë që vullneti i tyre të shkilet
Qarri: Qytetarët e Kosovës nuk hanë bar dhe nuk do të lejojnë që vullneti i tyre të shkilet

Gani Qarri

  • 09 July 2025 - 07:29

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

Duke pasur parasysh përputhjen e madhe të qëndrimeve të opozitës me ato të të ashtuquajturës “Listë Serbe”, akuzat e ministrit Murati ndaj opozitës për përpjekje të kundërligjshme për të marrë pushtetin janë të argumentuara në themele të qëndrueshme dhe prova konkrete, edhe për faktin se deklaratat e opozitës, fatkeqësisht, tingëllojnë si moderim i akuzave të Vuçiqit dhe koincidojnë fort me akuzat që vijnë nga Serbia dhe Beogradi, kundër shtetit të Kosovës dhe Qeverisë Kurti.

 

-Madje, jo vetëm që nuk është e drejtë të përdhoset vota e qytetarëve të Kosovës nga opozita me përpjekjet meskine që ajo ta ndryshojë situatën përmes manovrave juridike, duke shfrytëzuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese nëse ato janë në favor të saj, por besoj se kjo do t’i kthehet në bumerang të rëndë opozitës. Sepse qytetarët e Kosovës nuk hanë bar dhe nuk do të lejojnë që vullneti i tyre të shkilet me të dy këmbët nga opozita, sipas motos së Isa Mustafës, se "populli nuk mund të vendosë për Qeverinë", duke lënë edhe Kosovën pa Kuvend të konstituuar dhe qeveri legjitime dhe rrezikuar më se 900 milionë euro të BE-së, ndihma për qytetarët dhe shtetin e Kosovës, për shkak të mungesës së institucioneve legjitime shtetërore, nga bllokada e krijuar opozitare.

Vetëm për Serbinë do të tingëllonte “legjitime” që opozita të kërkojë të fitojë pushtetin në tryezë dhe jo përmes procesit të zgjedhjeve, duke shmangur vullnetin e qytetarëve, ngase qytetarët kanë votuar me shumicë për pozitën dhe jo për opozitën, e cila po përpiqet që t’ua humbë legjitimitetin edhe zgjedhjeve të lira demokratike, si dhe ta përdhosë verdiktin e votës së qytetarëve shqiptarë, që është dëshirë e Aleksandër Vuçiqit dhe dorës së zgjatur të Serbisë në Kosovë, të të ashtuquajturës “Listë Serbe”.

Andaj, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, e ka akuzuar me plot të drejtë opozitën për përpjekje të kundërligjshme për të marrë pushtetin në mënyrë klandestine, duke e shkelur vullnetin e qytetarëve të shprehur në zgjedhjet e lira dhe demokratike, të cilat ishin aq të qeta e të kulturuara sa që janë duartrokitur nga përfaqësuesit e huaj në Kosovë, si dhe nga faktori ndërkombëtar, duke u bërë shembull për mbarë rajonin.

Të nëpërkëmbet me kaq arrogancë vullneti i qytetarëve dhe të përdhoset me kaq nënçmim e përbuzje të ulët vota e qytetarëve nga opozita, jo vetëm që është shumë e dhembshme dhe ua humb tërësisht kuptimin zgjedhjeve të lira, por nuk është as e tolerueshme dhe veprime të tilla mund të nxisin edhe revoltën e qytetarëve të Kosovës!

Kjo edhe ka bërë që, para nisjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, ministri Hekuran Murati të theksojë edhe njëherë faktin se opozita, përkundër aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese, nuk ka reflektuar, madje edhe ka vijuar me tentativa të kundërligjshme për të ndryshuar situatën dhe marrë pushtetin me argumente juridike, përkundër asaj që qytetarët nuk ia kanë dhënë votën.

“Ndaj dhe sot po shohim se opozita, përkundër aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, të cilin vetë e ka kërkuar, as që ka reflektuar, dhe tendenca e tyre është që përmes manovrave juridike të arrijnë përdhunshëm atë që nuk ua ka dhënë populli, duke tentuar ta çojnë gjithçka në Gjykatën Kushtetuese, përkundër faktit se vetë Gjykata Kushtetuese ka thënë se votimi i fshehtë është në përputhje me Kushtetutën.”

Kështu që, ministri Murati ka theksuar edhe njëherë se opozita po tenton të arrijë pushtetin në tryezë, duke e shmangur vullnetin e shprehur të qytetarëve dhe atë që populli nuk ua ka dhënë me votë, po tentojnë ta marrin në tavolinë.

Prandaj është mëse e natyrshme që një opozitë e tillë edhe aty do të dështojë me turp, sepse Qeveria as Kuvendi nuk mund të merren me zor, siç ka përfunduar edhe z. Hekuran Murati.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".