Situata aktuale është derivat i mendësisë politike prandaj vështirë të kemi ecje të ndershme

Situata aktuale është derivat i mendësisë politike prandaj vështirë të kemi ecje të ndershme
Situata aktuale është derivat i mendësisë politike prandaj vështirë të kemi ecje të ndershme

Arsim Aziri

  • 09 July 2025 - 07:39

Shkruan: ANALISTI-Arsim Aziri

Akuza e ministrit Murati ndaj opozitës si përpjekje të kundërligjshme për të marrë pushtetin është çështje që varet nga dy kritere: Provat konkrete që mbështesin pretendimet e qeverisë dhe rrethanat kushtetuese dhe politike në të cilat zhvillohen këto përpjekje.

 

 

-Deri më tani, nëse ministri Murati nuk ka ofruar prova të pakundërshtueshme për shkelje ligjore si p.sh. tentativë për grusht institucional, presion mbi gjykatën apo marrëveshje të fshehta që anashkalojnë procedurat demokratike – atëherë akuzat mund të konsiderohen më shumë politike, me qëllim të delegjitimimit të veprimeve opozitare. Megjithatë, nëse opozita vërtet ka ndërmarrë hapa për të inxhinieruar një ndryshim të qeverisë përmes rrugëve jo të zakonshme (p.sh. përdorimi i vendimeve të mëhershme të Gjykatës Kushtetuese për të shkaktuar krizë ose vakum institucional), atëherë akuzat mund të kenë një bazë politike dhe ligjore, edhe pse duhet hetuar me shumë kujdes dhe transparencë.

Në një demokraci kushtetuese, nuk ka asgjë të paligjshme që një aktor politik të përdorë mjetet ligjore dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar ndryshim. Megjithatë, ekziston një dallim thelbësor ndërmjet legjitimitetit juridik dhe legjitimitetit demokratik.

Juridikisht, opozita ka të drejtë të shfrytëzojë çdo vendim të Gjykatës në favor të saj për të kontestuar veprime të qeverisë.

Demokratikisht, legjitimiteti i çdo qeverie rrjedh nga vullneti i qytetarëve. Nëse një ndryshim i pushtetit ndodh pa zgjedhje, por përmes interpretimesh të procedurave juridike, kjo mund të perceptohet si një “manovër” që anashkalon qytetarin sovran.

Pra, edhe nëse është “e drejtë” nga pikëpamja e procedurës, mbetet një debat nëse është etike dhe në përputhje me frymën demokratike.

Por konsideroj se situata aktuale është derivat i mendësisë politike dhe, përderisa jemi brenda kësaj logjike, vështirë të kemi ecje të ndershme politike!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".