
Lexoni edhe:
Oroshi: Kurti deri me tash nuk ka dhënë asnjë alternativë për me dalë nga kjo krizë politike
Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri
Vetë fakti se 27-vjeçari Agon Zejnullahu është keqtrajtuar deri në vdekje, dhe të pesë policët e akuzuar, tanimë janë dërguar edhe në paraburgim, dëshmon qartë se ka shkelje të rregullave policore dhe të ligjit, gjë që minon seriozisht besimin publik ndaj Policisë dhe sistemit të drejtësisë në Kosovë. Kjo duket se ka bërë që edhe organet kompetente po hezitojnë të japin informacion të plotë për rastin, derisa familja e të ndjerit deklaron se ka dëshmi vizuale dhe fizike për përdorim të tepruar të forcës nga ana e policëve të prangosur dhe të dërguar në paraburgim.
-Madje në mbajtje janë dërguar jo një, apo dy, por të pesë policët akterë të ngjarjes tragjike, që u arrestuan për veprën penale “Vrasje nga pakujdesia” për rastin e 27-vjeçarit Agon Zejnullahu në Lipjan, për të cilin “zyrtarisht” u deklarua që dyshohej se “po sulmonte me veturë” kalimtarët në rrugën “Haradin Bajrami” në Lipjan.
Lidhur me rastin tragjik në fjalë, njerëzit kompetentë duhet të japin urgjentisht sqarime plotësuese, përndryshe dyshimet do të rriten edhe më tepër, se si është e mundur që një person i paarmatosur, i arrestuar nga pesë policë i cili, tanimë nuk përbënte asnjë rrezik për jetën e të tjerëve, megjithatë të vdesë gjatë ndërhyrjes joprofesionale, duke mos dhënë ende as detaje transparente nga institucionet përkatëse, përkundër pretendimeve për dhunë fizike ndaj viktimës, të dokumentuara edhe me video!
Në të kundërtën, nëse vërtetohet se 27-vjeçari Agon Zejnullahu është keqtrajtuar deri në vdekje, nga trajtimi joprofesional, përdorimi joproporcional i forcës, apo edhe arroganca e policëve, krijohet përshtypja publike se kemi të bëjmë me vrasje institucionale, që mund të minojë seriozisht besimin publik të qytetarëve ndaj Policisë dhe sistemit të drejtësisë.
Se disa nga policët tanë sillen vërtet shumë vrazhdë, gjë që më parë ndodhte më tepër në Shqipëri, e kam përjetuar edhe vetë, në komunikacion, mjafton të kesh targa të një shteti evropian, dhe menjëherë shfaqet dëshira e shfrenuar për ndëshkim, me arsyetimin, për mosrespektim të shenjave të komunikacionit, të cilat ose janë mezi të dukshme, apo edhe nuk ekzistojnë fare në vende të caktuara, që do të thotë se ata dikush po i ushqen sistematikisht me urrejtje, ndaj shqiptarëve, me qëndrim jashtë vendit, apo ata që sipas tyre, kinse kanë bindje tjetër “politike”, nga partitë e inkriminuara opozitare që koketojnë me të ashtuquajturën “listë serbe”!
Prandaj, në mënyrë që kjo gjendje të tejkalohet me sa më pak dhembje dhe pasoja vragëlënëse, organet kompetente duhet të jenë plotësisht të paanshme e transparente dhe të mos hezitojnë të japin informacion të plotë lidhur me rastin.
Kjo është e domosdoshme edhe për faktin e ditur publik, derisa familja e viktimës deklaron se ka dëshmi vizuale dhe fizike për përdorim të tepruar të dhunës nga ana e policëve, tanimë të dërguar edhe në mbajtje, fillimisht njëmujore, derisa drejtësia ta thotë fjalën e vet lidhur me këtë rast të rëndë tragjik, ku ka humbur jetën një i ri vetëm 27-vjeçar.
Se në pyetje është mënyra joadekuate e shkollimit dhe mangësitë e theksuara në përgatitjen praktike të këtyre policëve, flet edhe fakti se jo njëri, apo vetëm dy nga ta, por që të pesë policët u arrestuan për veprën penale “Vrasje nga pakujdesia”!
Madje, lidhur me aktin jokompetent dhe aspak profesional të arrestimit të 27-vjeçarit Agon Zejnullahu në Lipjan, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar arrestimin e të pesë policëve, megjithëse fillimisht refuzoi të japë më shumë detaje me arsyetimin se mund të dëmtohet integriteti i hetimeve.
Megjithatë, Prokuroria Themelore në Prishtinë, në përgjigjen për rastin e vdekjes së 27-vjeçarit, të cilësuar si vdekje e dyshimtë, ka konfirmuar arrestimin e pesë policëve përgjegjës, bazuar në nenin 175 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës për veprën penale “Vrasje nga pakujdesia”!
Edhe nëse i riu, Agon Fejzullahu, ishte i dehur, policët do të duhej të ishin esëll dhe të silleshin me kompetencë e profesionalizëm, e jo të “deheshin” edhe ata, deri në përmasa të pakontrolluara, sa ta mbysnin të riun, duke ia zënë frymën me gjunjë në qafë.
Policët profesionistë duhet ta kishin parasysh se edhe në rastet me të dehur, përdorimi i tepruar i dhunës, veçanërisht nga pjesëtarët e rendit publik, është i pajustifikueshëm dhe ka kufij, të cilët nuk duhet tejkaluar.
Mjerisht, rasti bëhet edhe më i dhembshëm, derisa përveç ndërhyrjes joprofesionale të policëve, tanimë në paraburgim, dëshmohet se ka dështuar edhe mjekësia, pasi që shihet publikisht se, përkundër deklaratave “pozitive” të policisë, as ekipi mjekësor nuk ka bërë përpjekjet e duhura për trajtimin e të riut, në gjendje “kome”, duke bërë që 27-vjeçari të ndërrojë jetë në vendin e ngjarjes. Ndaj dhe thuhet se janë ndërmarrë masa edhe kundër mjekes zyrtare të rastit.
Alban Zejnullahu, vëllai i 27-vjeçarit të ndjerë Agon Zejnullahu, ka deklaruar për rastin tragjik se vëllai i tij kishte shenja dhune në fytyrë e në trup, të cilat ata i vërtetuan pasi familja ishte thirrur që ta shihte trupin e 27-vjeçarit në emergjencë. “Lajmin e pranuam pas orës 01:00, na telefonoi dikush nga stacioni policor të vijmë në emergjencë…
Por kur shkuam aty, pamë një çarçaf të bardhë përmbi vëllain, i cili ishte pa shenja jete, me shenja në fytyrë sikur të kishte rrahje masive, në trup…”, madje për vdekjen e vëllait, ai tha se dëgjuan versione si “infarkt e nga ndikimi i alkoolit…”, derisa “shihet qartë se ai nuk ka vdekur nga alkooli as infarkti, por është vrarë nga disa policë… për çfarë posedojmë edhe video ku vërehet duke bërtitur në frymën e fundit derisa e godasin në fytyrë dhe aty më nuk lëvizë”, tha Zejnullahu, mes dhimbjes së madhe për vdekjen e të vëllait.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".