Qarri: Grenell duke manipuluar me fjalët e presidentes po e mbron publikisht Vuçiqin dhe Serbinë

Qarri: Grenell duke manipuluar me fjalët e presidentes po e mbron publikisht Vuçiqin dhe Serbinë
Qarri: Grenell duke manipuluar me fjalët e presidentes po e mbron publikisht Vuçiqin dhe Serbinë

Gani Qarri

  • 17 July 2025 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

Frika se angazhimet e vazhdueshme dhe përpjekjet e pareshtura të presidentes Dr. Vjosa Osmani, në të gjitha takimet me personalitetet më të shquara të SHBA-ve, NATO-s dhe fuqive tjera evropiane e botërore, do të ndikojnë për anëtarësimin e Kosovës në NATO, pa i bërë koncesione edhe më të dhembshme Serbisë hegjemoniste, të cilat ish-i dërguari i posaçëm për negociatat Kosovë-Serbi Richard Grenell mund t’i ketë premtuar personalisht Vuçiqit, ka bërë që ai të reagojë në mënyrë kaq të paskrupullt, pa shkas as arsye, kundër presidentes së Republikës së Kosovës, duke manipuluar edhe me fjalimet e saj dhe shpërndarë e keqpërdorur pjesë të nxjerra nga kontestet e deklaratave të presidentes.

 

-Në fakt, Grenell duke manipuluar jo vetëm me fjalët e presidentes, por edhe me ngjarjet dhe vitet e zhvillimit të tyre, po mbron publikisht kriminelin Vuçiq dhe Serbinë hegjemoniste, në përpjekjet e tij të paskrupullta që, përmes manipulimit të deklaratave të presidentes së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani, t’i mohojë tërthorazi edhe fjalët e z. Donald Trump, sikur nuk paska ekzistuar tentimi i sulmit ushtarak serb dhe nuk paska pasur as parandalim të sulmit të Serbisë kundër Kosovës nga Donald Trump!

Madje, ky fakt bëhet edhe më i habitshëm kur shohim se reagimit të Grenellit, gati njëkohësisht i është bashkuar edhe reagimi i Marko Gjuriqit, i cili jo vetëm se nuk e la të vetëm Grenellin, por pothuajse me përmbajtje të njëjtë reaguese u deklarua edhe vet ministri i Jashtëm i Serbisë, duke shkuar deri atje sa të propagandojë pa fije turpi se kinse vizioni i Presidentit Trump është edhe vizioni i Serbisë, sikur të kishte qenë i pajtimit edhe Presidenti Trump që Serbia ta sulmojë ushtarakisht Kosovën, derisa në fakt, Trump thotë se e ka parandaluar sulmin ushtarak të Serbisë kundër Kosovës!

Grenell po dëshmon se vërtetë është një manipulues i paskrupullt, i cili edhe sa ishte i dërguar i posaçëm për negociatat mes Kosovës dhe Serbisë, mbante hapur anën e Vuçiqit, ndaj gëzon shumë fakti se për fatin e mirë të Republikës së Kosovës, në mandatin e dytë të presidentit Trump, përveçse nuk është favorizuar me këtë funksion, ai nuk është më as i përfshirë në asnjë formë në procesin negociues ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, gjë që flet shumë, se vet administrata e SHBA-ve nuk ishte e kënaqur me rolin e tij manipulues, pasi që mbante hapur anën e Serbisë, u epte rëndësi interesave personale, duke lënë pas dore qëndrimet e SHBA-ve dhe tregohej, e tregohet edhe sot, shumë i afërt me kriminelin Vuçiq, të cilin nuk e duan më në krye të shtetit as vet serbët në Serbi, dhe tash e gati një vit po vazhdojnë protestat e pareshtura kundër tij!

Madje, sa i takon presidentes Dr. Vjosa Osmani, veçanërisht në kontest me SHBA-të, ajo në vijimësi është treguar shumë e kujdesshme në qëndrime dhe shprehjen e mendimeve dhe nuk ka manipuluar asnjëherë me ngatërrimin e datave, viteve, as domethënien e fjalëve dhe deklaratave të presidentit Trump, tash as në të kaluarën, qoftë në prononcimin e saj në fund të qershorit apo fjalët e thëna më 9 korrik në SHBA, kur presidentja e Republikës së Kosovës vetëm sa konfirmoi deklaratat e z. Trump dhe foli me admirim e dashamirësi për Amerikën dhe presidentin aktual të SHBA-ve për rolin në parandalimin së fundi të sulmit të Serbisë kundër Kosovës.

I vetmi i ashtuquajtur "gabim i pafalshëm" i presidentes ishte se ajo nuk lavdëroi, madje as nuk e përmendi me asnjë fjalë të vetme "rrezatuese" dylberin Grenell, gjë të cilën ai e mori për fyerje dhe reagoi duke manipuluar me vitet e ngjarjeve dhe ngatërruar fjalët e presidentes Dr. Vjosa Osmani, duke i shtrembëruar qëllimisht ato edhe në përmbajtje, gjë që vërtetë është e pafalshme për një ish-diplomat, megjithëse vet presidenti Trump dhe SHBA me të drejtë Grenellin e kanë lënë nën hije dhe përjashtuar nga procesi negociues Kosovë-Serbi, ku ai po përpiqet me çdo mjet e mënyrë që të imponohet edhe "përdhunshëm", madje duke përdorur edhe manipulime të tilla kontroverse, ani pse nuk është i preferuar për këtë post nga Kosova, e shihet qartë se nuk preferohet as nga vet Trump dhe SHBA-të të ketë përsëri ndonjë rol në këtë proces.

Presidentja Dr. Vjosa Osmani ka folur në mënyrë plotësisht koncize mbi rastin, duke cituar deklaratën e presidentit Trump dhe vërtetuar përmbajtjen e fjalëve të tij, ashtu siç deklaron vet z. Trump, se ai së fundi ka shmangur një luftë të mundshme, madje presidentja Osmani ka cekur edhe vitin aktual dhe kohën konkrete, por nuk ka aluduar në vitet 2019, 2020 as 2023, duke shtuar me qartësi se nuk bëhet fjalë për ato vite, siç përpiqet t’i ngatërrojë qëllimisht dylberi Grenell.

Kështu që, presidentja e Kosovës përveçse nuk e ka "keqpërdorur" imazhin e presidentit Donald Trump për qëllime të brendshme politike, ajo thjesht ka reflektuar një realitet aktual diplomatik dhe ka falënderuar SHBA-të e lavdëruar veprimin konkret të presidentit Donald Trump për parandalimin e kësaj lufte, gjë që i bën shumë të panevojshme dhe tepër destruktive manipulimet e ulëta të Grenellit.

Ndërhyrja e paskrupullt e Richard Grenellit në diskursin politik të Kosovës, duke mos qenë i emëruar më nga vet Donald Trump për të merret me çështjen e Kosovës, është një luftë hibride e modelit ruso-serb dhe përpjekje e dështuar e tij për të rishkruar narrativën amerikane për Ballkanin në favor të Serbisë dhe kriminelit Aleksandër Vuçiq, i cili edhe ai njihet për manipulimet e ulëta politike dhe ishte edhe ministër i kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq, i vdekur në Tribunalin e Gjykatës së Hagës, derisa vazhdonte gjykimi kundër tij për krimet e luftës dhe gjenocidin shtetëror të Serbisë, të ushtruar ndaj shqiptarëve të pambrojtur të Kosovës.

Reagimi i ashpër i Richard Grenell është shprehje edhe e zhgënjimit të tij personal për faktin se administrata shtetërore e SHBA-ve e ka margjinalizuar tërësisht rolin e tij dhe përjashtuar nga përfaqësimi në negociatat Kosovë-Serbi, andaj derisa ai nuk është zëdhënës i SHBA-ve, nuk ka as pse të kacavaret në marrëveshjen e Uashingtonit, ngase nëse ka anashkalime, sot flet dikush tjetër zyrtarisht në emër të SHBA-ve, e jo siç përpiqet të imponohet "përdhunshëm" duke u prononcuar privatisht si misionari i dështuar Richard Grenell.

Grenell, apo emisari për "misione të posaçme", bën keqpërdorimin më të rëndë diplomatik të fjalës zyrtare kur thotë se kinse Dr. Vjosa Osmani po i manipulon fjalët e presidentit amerikan, derisa presidentja e Kosovës deklaroi decidivisht që ashtu siç u shpreh presidenti i SHBA-ve Donald Trump, edhe ajo mund të konfirmonte se së fundmi është parandaluar një sulm i Serbisë kundër Kosovës, gjë që vetëm pse akuzohet Serbia për tentim sulmi, duket se i dhemb shumë dylberit Grenell.

Në fakt, Grenell duke manipuluar me ngjarjet dhe vitet e zhvillimit të tyre, po mbron Vuçiqin dhe Serbinë hegjemoniste në përpjekjet e tij që përmes manipulimit të fjalëve të presidentes së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani, t’i mohojë tërthorazi edhe deklaratat e z. Donald Trump, sikur nuk ekzistonte tentimi i sulmit ushtarak serb dhe nuk paska pasur as parandalim të sulmit të Serbisë kundër Kosovës nga Donald Trump!

Kështu që, manipuluesi faktik i fjalëve të presidentes së Kosovës Dr. Vjosa Osmani dhe të vet presidentit Donald Trump është Richard Grenell, i cili për t’i përgënjeshtruar në mënyrën më brutale manipuluese deklaratat e z. Trump lidhur me parandalimin e sulmit ushtarak të Serbisë kundër Kosovës, ai keqpërdor në mënyrën më të paskrupullt një pjesë të deklaratave të z. Vjosa Osmani mbi rolin e presidentit Trump për paqe në rajonin e Ballkanit Perëndimor, edhe pse të shprehura tërësisht qartë nga presidentja, për kohë e vite koncize, me përmbajtje dashamirëse personale dhe falënderime shtetërore ndaj presidentit Trump dhe SHBA-ve.

Manipulimet e Grenellit kanë detyruar presidenten Osmani që edhe gjatë qëndrimit në SHBA ta konfirmonte se Trump e parandaloi një sulm nga Serbia kundër Kosovës, duke saktësuar se sipas fjalëve të presidentit amerikan, kjo ka ndodhur “javëve të fundit” dhe jo në vitet 2019, 2020 apo 2023, siç përpiqet të manipulojë Grenell, madje zonja Osmani ka sqaruar në mënyrë konkrete se nuk bëhej fjalë për ngjarje të vjetra, por për “zhvillime shumë të fundit”, manipulime qëllimkëqija për të cilat presidentja e Republikës Dr. Vjosa Osmani ka deklaruar se do mbajë edhe një konferencë shtypi sapo të kthehet në Kosovë!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".