
Lexoni edhe:
E thotë analisti: Gjykata Kushtetuese, ka dhënë një përgjigje ekuivoke për t’i dhënë mundësi opozitës
Shkruan: ANALISTI-Florim Zeqa
Dështimi për herë të 50-të, për ta konstituar legjislaturën e nëntë, të dalë nga zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 9 shkurt 2025, e shpërfaq dështimin dhe delegjitimimin e kësaj legjislature, e cila e ka humbur mbështetjen morale të qytetarëve.
-Deputetët po tallen me qytetarët e Kosovës, të cilët pritën në radhë për t'i votuar, derisa sot ata e kanë kthyer Kuvendin e Kosovës në një 'cirk' kllounësh dhe servilësh të liderëve partiakë.
Mungesa e propozimeve për komisionin zgjedhor është shenjë e mungesës së vullnetit për bashkëpunim mes subjekteve politike, por edhe strategji njëkohësisht për të bllokuar procesin demokratik në Kuvendin e Kosovës.
Kjo qasje destruktive e deputetëve në Kuvend dhe ky ngërç institucional po e dëmton besimin e qytetarëve në sistemin demokratik të Kosovës, pasojat e të cilit do të ndikojnë në stabilitetin afatgjatë politik në vendin tonë.
Ata që e kanë penguar për të 50-tën herë formimin e Kuvendit të Kosovës nuk e meritojnë qeverisjen me vendin. Kjo bllokadë e koordinuar për interesa personale nuk guxon të kalojë pa ndëshkim nga qytetarët.
Pas dështimit të 50-të në Kuvendin e Kosovës, lirisht mund të themi se liderët partiakë dhe deputetët kalkulantë, përveçse pa legjitimitet qytetar, kanë mbetur edhe pa dinjitet njerëzor, pasi janë duke luajtur bixhoz me gjakun e dëshmorëve, ekzistencën e shtetit dhe fatin e qytetarëve.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".