Populli i Kosovës nuk guxon më të mbetet spektator i heshtur i këtyre lojërave të pista të deputetëve maskarenj

Populli i Kosovës nuk guxon më të mbetet spektator i heshtur i këtyre lojërave të pista të deputetëve maskarenj
Populli i Kosovës nuk guxon më të mbetet spektator i heshtur i këtyre lojërave të pista të deputetëve maskarenj

Gani Qarri

  • 23 July 2025 - 07:40

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

Sikur në fushatën parazgjedhore të 9 shkurtit t’u kishin treguar qytetarëve të sinqertë se: “Ne kërkojmë votën tuaj për t’u bërë deputetë, por në rast se i fitojmë këto poste, nuk do të votojmë për konstituimin e Kuvendit, as për mbrojtjen dhe avancimin e interesave tuaja”, nuk besoj se kllounë të tillë – të cilët marrin pagat kot, duke mos marrë pjesë në votim e duke mos kontribuar me asnjë veprim për krijimin e institucioneve legjitime të shtetit të Kosovës, që është edhe obligim kushtetues – do të merrnin vota për postin e deputetit.

 

-Akterë konspirativë, që përveç shkeljes së Kushtetutës me mospjesëmarrjen në votim për konstituimin e Kuvendit, po bëjnë tradhti të hapur edhe ndaj votuesve të vet. E për aq më keq, mospjesëmarrja në votim për të 50-tën herë me radhë është edhe moralisht shumë e ulët dhe një turp i paprecedent, derisa në seancat e Kuvendit janë të pranishëm 104 deputetë, por vetëm 50–54 prej tyre votojnë, ndërsa rreth 50 deputetë të tjerë, edhe pse të pranishëm në sallë, çuditërisht nuk pranojnë, as për të 50-tën herë, ta kryejnë obligimin kushtetues për konstituimin e Kuvendit.

Matrapazët politikë kanë bastarduar aq keq shenjtërinë e legjislativit të shtetit tonë të ri, sa që edhe po të konstituohet Kuvendi, në sytë e qytetarëve të frustruar nga sjelljet e paprecedent të tyre, ata nuk do të shihen më si deputetë të vërtetë dhe nuk do të merren kurrë seriozisht nga opinioni publik dhe qytetarët, tani e deri në fund të mandatit.

Për aq më tepër, duke njohur sjelljet e tyre, megjithëse seanca e radhës është caktuar për të mërkurën në orën 11:00, nëse nuk arrihet ndonjë marrëveshje konstruktive ndërmjet VV-së dhe Nismës, edhe në seancën e 51-të pritet të dështojë sërish konstituimi i Kuvendit.

Prandaj, ajo që pas gjithë këtyre dështimeve vret ndërgjegjen publike dhe dëshpëron pafundësisht qytetarët dhe mbarë opinionin në Kosovë është fakti se matrapazëve të tillë, përkundër të gjitha bllokadave dhe dështimeve, fatkeqësisht nuk do t’u dështojnë edhe rrogat e majme – për vetëm 5 minuta qëndrim së koti në parlament – të cilët, pa asnjë meritë, marrin mbi 800 euro “rrogë”, apo mbi 223 mijë euro në muaj, para “haram” nga shteti i Kosovës. Dhe tash e mbi tre muaj, ata i tregojnë "gishtin" e mesëm shtetit, duke e lënë me vetëdije Kosovën, që nga 15 prilli, pa Kuvend të konstituuar dhe pa institucione legjitime.

Kështu që situata e krijuar nuk ka më asnjë kuptim. E përderisa nuk ka asnjë indikacion se do të ndryshojë diçka në këtë drejtim, me dështimin e përsëritur për të 50-tën herë me radhë për konstituimin e Kuvendit – nga deputetë që kanë marrë guximin të mos e kryejnë as obligimin kushtetues për të kontribuar në krijimin e institucioneve më jetike shtetërore – një çmenduri e paprecedent si kjo flet më tepër se qartë, se këta janë deputetët më abuzues të parasë publike, të cilët, përveçse e kanë kthyer parlamentin në një cirk qesharak, kanë hyrë edhe në “histori” për pengimin konstant të formimit të institucioneve legjitime të shtetit të Kosovës, duke krijuar qëllimisht krizën më të thellë politike që nga paslufta.

Këto janë aktrime të qëllimshme, me rrezik të paprecedent edhe për vetë shtetin e Kosovës, të cilat krijojnë bindjen se parti dhe individë të caktuar kontrollohen direkt nga Millan Radojçiqi dhe diktohen sistematikisht nga Serbia se si të sillen dhe të veprojnë, për ta lënë sa më gjatë të jetë e mundur Republikën e Kosovës pa Kuvend të konstituuar dhe pa institucione legjitime të dala nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

Prandaj, ka ardhur koha që ky akt i stërzgjatur konspirativ, për asnjë arsye, të mos falet e as zbukurohet më. Sepse të gjithë po e shohim me sytë tanë se me këtë bllokadë të pafund po rrezikohet hapur edhe funksionimi normal i shtetit, dhe mbarëvajtja ekonomike dhe politike e Republikës së Kosovës.

E për rrjedhojë të kësaj bllokade dhe çmendurie permanente, deputetë të tillë partiakë – tash e mbi tre muaj – po kujdesen që të mos konstituohet Kuvendi, e të mos i hapet rrugë as krijimit të qeverisë dhe institucioneve të tjera shtetërore. Megjithëse më 26 korrik përfundon edhe afati i dhënë nga Kushtetuesja, “avangarda” e arixhinjve më primitivë që ka njohur populli ynë deri më tani, me të ashtuquajturit deputetë, vazhdojnë lojën e tyre meskine duke lënë shtetin pa institucione legjitime dhe duke e rrezikuar qëllimisht e me vetëdije gjithë vendin. Askush nuk e di saktë se, me njerëz të tillë, pas 26 korrikut çfarë do të ndodhë e si do të procedohet më tej, nëse Presidentja nuk parashtron në Kushtetuese pyetjen tashmë konkrete: çfarë dhe si, pas gjithë kësaj katrahure kllounësh aspak parlamentare?

Populli i Kosovës duhet të punojë për të ndërtuar një Kuvend më të denjë, duke ditur për kënd të votojë dhe ta kuptojë përfundimisht se nuk guxon më, në asnjë mënyrë, të mbetet spektator i heshtur i këtyre lojërave të pista të deputetëve maskarenj, të cilët me urdhër të partive të veta, me qëndrimin e tyre 5-minutësh në parlament – pa kontribuar asnjëherë dhe me asgjë për konstituimin e Kuvendit – e kanë shndërruar atë në arenën më qesharake të palaço-cirkuzantëve të këtij legjislativi aspak normal.

Kllounë të nënshtruar partiakë dhe pa uni personal, të cilët jo vetëm që nuk mbajnë përgjegjësi për këtë bllokadë të jashtëzakonshme që po e turpëron mbarë Kosovën edhe në arenën ndërkombëtare, por përkundër të gjitha prapësive që po krijojnë qëllimisht në Kuvend, marrin për çdo muaj mbi 223 mijë euro paga të pamerituara nga taksapaguesit e sinqertë të shtetit të brishtë të Kosovës.

Kuazideputetë irrealistë, që me mosvotimet e tyre për konstituimin e Kuvendit, edhe për të 50-tën herë me radhë, kanë zhgënjyer rëndë qytetarët me qëllim të futjes së gjithë shtetit në një krizë sa më të thellë spirale. Duke votuar vetëm certifikimin e vetes si deputetë dhe duke bllokuar tash e mbi tre muaj konstituimin e Kuvendit, me qëllimin e keq për t’i dështuar jo vetëm të gjitha seancat, por për ta destabilizuar edhe shtetin, ata vetëm me nga pesë minuta prezencë të kotë çdo të dytën ditë në sallë – pa asnjë kontribut, punë apo angazhim – deri më tani e kanë varfëruar buxhetin e shtetit të Kosovës për rreth 700 mijë euro!

Duke pasur parasysh faktin tragjik se këta deputetë matrapazë po tallen edhe me popullin e urtë të Kosovës dhe qytetarët shembullorë që pritën në radhë për t’i votuar, këta “matrapazë” politikë – pa asnjë fije dinjiteti e respekti për shtetin dhe votuesit – e kanë kthyer Kuvendin e Kosovës në një 'cirk' kllounësh. Këtë e vërteton edhe dështimi i përsëritur për të 50-tën herë në konstituimin e Kuvendit, duke shkaktuar krizën më të thellë politike deri më tani në Kosovë.

Për këtë, shkelësit e Kushtetutës, deputetët bllokues dhe penguesit e krijimit të institucioneve legjitime të shtetit tonë, përfundimisht nuk duhet vetëm teorikisht të mbajnë përgjegjësi, por edhe penalisht të përgjigjen para ligjit dhe qytetarëve të Kosovës.

Vetë mungesa e propozimeve për komisionin zgjedhor është shenja më domethënëse e mungesës së vullnetit politik për bashkëpunim mes subjekteve parlamentare, dhe një strategji konspirative për të bllokuar sa më gjatë proceset demokratike në vend. Ky ngërç i qëllimshëm institucional, që shkon vetëm në interes të Serbisë fashiste dhe dëmton rëndë besimin e qytetarëve, është një akt konspirativ për qëllime të errëta që dëmton rëndë sistemin demokratik të vendit, përkeqëson jetesën e qytetarëve tanë dhe mund të ketë pasoja serioze edhe për funksionimin normal të shtetit dhe stabilitetin politik të Republikës së Kosovës.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".