
A po e çmontojnë vetë politikanët shtetin që ndërtoi populli me sakrificë?


Isuf Bajraktari
Nga Isuf Bajraktari,
Kur një diplomat me përvojë si Carl Bildt, ish-kryeministër dhe një nga zërat më të fuqishëm të diplomacisë evropiane, ngre publikisht pikëpyetje mbi aftësinë e Kosovës për të krijuar një qeveri funksionale, duhet të na shqetësojë të gjithëve. Komenti i tij i fundit, i bërë publikisht në rrjetin “X”, nuk është thjesht një mendim individual, por një sinjal alarmi që vjen nga përtej kufijve tanë: “A do të ketë Kosova ndonjëherë një qeveri të re? Pamundësia për të ecur përpara po dëmton besueshmërinë e vendit, dhe kjo është e keqe për të gjithë.”
Kjo deklaratë nuk ka nevojë për interpretim të thellë. Ajo flet qartë për krizën e thellë në të cilën ndodhet shteti i Kosovës – një krizë që po shkon përtej bllokimit parlamentar, duke rrezikuar vetë themelet e rendit kushtetues dhe autoritetit institucional.
Politika në kolaps moral
Jemi në ditët e fundit të afatit kushtetues 30-ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, me vendimin KO124/25, që kërkon konstituimin e Kuvendit të Kosovës deri më 26 korrik 2025. Megjithatë, në vend të përgjegjësisë, kemi një skenë politike të bllokuar, ku përpjekja e 50-të ka dështuar dhe nesër do të mbahet mbledhja e 51-të – pa ndonjë shenjë të qartë se do të ketë ndryshim kursi.
Mungesa e një marrëveshjeje për formimin e qeverisë nuk është më çështje taktike midis partive. Ajo ka marrë dimensione të thella morale dhe shtetformuese. Po e themi qartë: Nëse një klasë politike nuk arrin të prodhojë një Kuvend funksional, ajo nuk është më në shërbim të qytetarëve, por në mbrojtje të interesave të ngushta e personale.
Çmimi i mosveprimit
Çdo ditë e kaluar pa institucione përfaqësuese është një ditë e humbur për shtetin. Demokracia nuk është vetëm proces zgjedhor, por aftësi për të funksionuar pas zgjedhjeve. E kur ky funksion dështon, rrëshqitja drejt një krize legjitimiteti dhe ndërprerjeje të proceseve demokratike bëhet e pashmangshme.
Ky kolaps institucional nuk do të mbetet pa pasoja. Ai dobëson pozitën ndërkombëtare të Kosovës, i jep argumente kundërshtarëve të shtetësisë sonë dhe ngadalëson rrugëtimin tonë drejt integrimit euroatlantik. Partnerët ndërkombëtarë që dikur qëndruan krah nesh me bindje, sot po pyesin në heshtje: A jeni vërtet të gatshëm për shtet?
Një përgjegjësi historike
Kjo krizë nuk ka lindur nga mungesa e rregullave, por nga mosrespektimi i frymës së përgjegjësisë politike dhe qytetare. Deputetët që nesër do të marrin pjesë në mbledhjen e 51-të të Kuvendit mbajnë mbi vete një barrë që shkon përtej votave dhe partive: ata mbajnë përgjegjësinë për fatin e një shteti të vogël, por me aspirata të mëdha.
Prandaj, ky nuk është më një moment për taktika politike. Është momenti i kthesës – ose për të shpëtuar rendin demokratik të vendit, ose për ta çuar atë në krizën më të thellë të pasluftës.
Carl Bildt nuk flet kot
Carl Bildt është një diplomat që nuk flet për efekt mediatik. Kur ai e ngre zërin për Kosovën, ai e bën këtë sepse di se çfarë rreziku mbart mosveprimi. Ai ka qenë dëshmitar dhe pjesëmarrës në proceset më të ndjeshme të ndërtimit të paqes dhe shtetit në Ballkan, dhe fjalët e tij duhet të lexohen si një thirrje për vetëdijesim politik, jo si një kritikë e rastit.
Përfundim
Kosova është vendi i sakrificës dhe i shpresës. Por nëse politika vazhdon të mos përfaqësojë popullin, ajo rrezikon të kthehet në armikun e vetvetes. Nesër, në mbledhjen e 51-të, nuk do të votohet thjesht për Kryetar Kuvendi apo për hapjen e rrugës drejt qeverisë. Do të votohet për besimin në shtetin tonë, për respektin ndaj Kushtetutës, dhe për të ardhmen e vendit që na bashkon të gjithëve.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".