Deputetët e Kosovës përmes sjelljes së tyre po tregojnë një mospërfillje ndaj vullnetit të qytetarëve

Deputetët e Kosovës përmes sjelljes së tyre po tregojnë një mospërfillje ndaj vullnetit të qytetarëve
Deputetët e Kosovës përmes sjelljes së tyre po tregojnë një mospërfillje ndaj vullnetit të qytetarëve

Arsim Aziri

  • 24 July 2025 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Arsim Aziri

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, përmes sjelljes së tyre të papërgjegjshme dhe dështimit për ta konstituuar Kuvendin, po tregojnë një mospërfillje të hapur ndaj vullnetit të qytetarëve që pritën në radhë për të votuar. Ky ngërç institucional tregon se vendi është duke kaluar një krizë të thellë institucionale e politike, e cila nuk buron vetëm nga mospajtimet procedurale, por nga mungesa e vullnetit për bashkëpunim dhe përgjegjësi politike. Kjo logjikë mandej ul edhe matjet demokratike që bëhen prej organizatave ndërkombëtare dhe vendit tonë më së paku i shërbejnë. Kjo gjendje është thënë disa herë se reflekton edhe mentalitetin e dobët demokratik, dhe përderisa vazhdojmë të qëndrojmë në këtë situatë, vendi do të cungohet edhe më shumë!

 

-Ndërsa, sa i përket mungesës së propozimeve për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, është një simptomë tjetër e kësaj krize, që sinjalizon qartazi se subjektet politike nuk janë të gatshme të vënë interesin e shtetit mbi atë partiak, dhe në disa raste duket të jetë edhe strategji e qëllimshme për të bllokuar proceset demokratike.

Ky bllokim po e dëmton rëndë besimin e qytetarëve në demokraci, duke krijuar zhgënjim, pasivitet politik dhe duke rrezikuar stabilitetin institucional e politik të vendit, në një moment kur Kosova ka nevojë për konsolidim të brendshëm dhe përfaqësim të fuqishëm në skenën ndërkombëtare.

Dështimi për konstituimin e Kuvendit i shkakton Kosovës dëm të madh institucional, politik, ekonomik dhe ndërkombëtar.

Institucionalisht, paralizohen ligjet dhe funksionimi i shtetit; politikisht, minohet demokracia kjo çfarë është dhe rritet mosbesimi te qytetarët; si dhe ekonomikisht, ndalet zhvillimi, dëmtohen investimet dhe buxheti; ndërsa ndërkombëtarisht, Kosova shihet si jostabile dhe e papërgjegjshme karshi zhvillimeve të veta.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".