
Kur 'kollitet' Amerika, partitë politike zgjohen nga gjumi 'dogmatik'!


Fadil Maloku
Nga Fadil Maloku
Nëse përmes lenteve të sociologjisë së zhvillimit përpiqemi ta dekodojmë deklaratën e ish-zyrtarit amerikan, Christopher Hyland, se: “Konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë së Kosovës do të bëhet”, atëherë, si linjë udhërrëfyese analitike, nuk mund të anashkalojmë as qasjen teorike, e as analizën e ndërvarësisë politike dhe institucionale që karakterizon realitetin politik të Kosovës.
Kjo thënie mund të interpretohet në disa plane:
1. Nga këndvështrimi funksionalist;
Nga perspektiva funksionaliste (Durkheim dhe Parsons), një deklaratë e tillë pasqyron, ndër të tjera, nevojën e patjetërsueshme për ruajtjen e rendit dhe stabilitetit institucional. Për një diplomat të përvojshëm si Hyland, i cili ka qenë pjesëmarrës aktiv në ngritjen e kapaciteteve shtetërore të Republikës së Kosovës, vijimësia institucionale është esenciale për mbijetesën e sistemit politik.
Kjo deklaratë gjithashtu përçon qartë mesazhin se paraliza institucionale, përveçse bie ndesh me interesat amerikane, nuk përbën një opsion të pranueshëm për një shtet që pretendon të jetë demokratik.
2. Nga këndvështrimi konstruktivist dhe i presionit ndërkombëtar;
Deklarata e apostrofuar mund të shihet si një paralajmërim me funksion mobilizues, që duhet të kuptohet nga të gjithë aktorët e përfshirë në krizën institucionale. Sipas këtij interpretimi (Berger & Luckmann), zyrtari amerikan synon të “prodhojë” një realitet të ri politik, duke krijuar bindjen se ky ngërç do të marrë një epilog pozitiv.
Pra, nuk kemi të bëjmë thjesht me një vlerësim, por me një akt performativ që synon të ndikojë direkt në zhvillimet politike, duke e shndërruar fjalën në vepër.
3. Nga këndvështrimi i teorisë së varësisë (Dependency Theory);
Kjo deklaratë mund të interpretohet gjithashtu si shprehje e pabarazisë së sovranitetit real, ku Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të luajnë një rol paternalist ndaj Kosovës, veçanërisht në momente të krizës politike.
Ky paternalizëm, i shprehur hapur në këtë rast, zbulon një asimetri të thellë të fuqisë, ku proceset vendore demokratike për t’u realizuar shpesh duhet të marrin garancitë dhe ndërhyrjet e jashtme . Kjo pasqyron një indikator të qartë të një tranzicioni të papërfunduar të shtetformimit, ku autonomia politike dhe institucionale është ende e brishtë.
4. Nga këndvështrimi Weberian mbi legjitimitetin;
Në mungesë të një konsensusi të brendshëm politik dhe të një kulture të konsoliduar demokratike, legjitimiteti simbolik dhe moral i SHBA-ve vazhdon të mbetet adresa e vetme e stabilitetit politik në Kosovë.
Kosova, si një ndër shtetet më pro-amerikane, bashkë me klasën e saj politike, i referohet SHBA-së jo vetëm si partner strategjik, por edhe si arbitër final në çështjet madhore të shtetësisë dhe funksionalitetit institucional.
Në këtë kuptim, deklarata e zyrtarit amerikan nuk duhet interpretuar si një vërejtje e zakonshme diplomatike apo thjesht si një pohim konstatues, por si një akt normativ dhe pritshmëror dhe si një mesazh që bart në vete presion, detyrim dhe orientim institucional.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".