Në skenën politike të Kosovës vazhdon të dominojë një lodhje e përgjithshme

Në skenën politike të Kosovës vazhdon të dominojë një lodhje e përgjithshme
Në skenën politike të Kosovës vazhdon të dominojë një lodhje e përgjithshme

Zef Prenka

  • 30 July 2025 - 14:07

Nga Zef Prenka

Ndërsa në skenën politike të Kosovës vazhdon të dominojë një lodhje e përgjithshme me subjektet aktuale dhe një kërkesë e vazhdueshme për “parti të reja”, pyetja e vetme që duhet të shtrojmë sot është:

A kemi nevojë për më shumë emra të rinj apo për më shumë përmbajtje reale, për më shumë besueshmëri, më shumë drejtësi politike dhe më shumë evropianizëm në qeverisje?

Dhe përgjigjja e vetme e qëndrueshme në këtë pikë është: Kosova ka nevojë për një reformim të sistemit zgjedhor dhe një rikthim të partive të cilat qëndrojnë mbi vlera të pranuara ndërkombëtarisht, siç është Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës (PSHDK).

Demokristianët – një familje politike e pranueshme dhe e fuqishme në gjithë Evropën

(Dy Eurodeputetë e thonë) :

“Evropa ka CDU-në – Kosova ka PSHDK-në”

PSHDK nuk është vetëm një emër historik në pluralizmin politik të Kosovës – ajo përfaqëson një vlerë evropiane të provuar.

Në të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian, partitë demokristiane janë shtylla e stabilitetit politik dhe moral, duke qeverisur me ekuilibër mes shtetit social, familjes tradicionale, ekonomisë së lirë dhe përkujdesjes për të dobëtit.

Mjafton të përmendim CDU-në në Gjermani, Partinë Popullore në Austri, ose PPE-në në nivel të Parlamentit Evropian – ku partitë simotra të PSHDK-së janë udhëheqëse.

A nuk është koha që edhe Kosova të ketë një alternativë politike që gëzon pranim ndërkombëtar, që ka rrënjë të pastra në themelet e pluralizmit dhe që nuk mban asnjë njollë nga korrupsioni institucional?

Zgjidhja përfundimtare ndaj ngërçeve politike: 

Kosova me 7 zona zgjedhore

Për të hapur rrugë të barabartë për të gjitha partitë që gëzojnë mbështetje në zona të caktuara, sistemi aktual – një zonë e vetme zgjedhore – është bllokues dhe përjashtues.

Ai i jep përparësi partive që kanë dominim nacional përmes mediave dhe parasë, duke mbyllur derën për partitë që kanë fuqi lokale, integritet moral dhe përfaqësim komunitar.

Ndryshimi drejt 7 zonave zgjedhore nuk është vetëm një kërkesë teknike – është çelësi për stabilitet afatgjatë në Kosovë.

-Me 7 zona, çdo pjesë e Kosovës ka mundësi të ketë përfaqësuesin e vet real.

-Mbaron dominimi absolut i partive të mëdha nga Prishtina.

-Rritet besimi i qytetarit në procesin zgjedhor.

-Dhe mbi të gjitha: ngërçi politik parlamentar zhbëhet përgjithmonë.

Nuk do të ketë më “bllokada numrash”, sepse shumica reale do të ndërtohet mbi bazën e përfaqësimit të drejtë e të barabartë. Kjo është mënyra si funksionon demokracia në BE – dhe nëse duam të bëhemi pjesë e saj, duhet të sillemi si të tillë.

Nuk duhen shpikur alternativa – duhen pranuar ato që kanë qëndruar të pastra

Në vend që të kërkojmë shpikje të reja politike që nganjëherë janë thjesht projekte personale për pushtet, të gjithë duhet të reflektojmë pse partitë që s’janë përlyer, si PSHDK, nuk kanë marrë kurrë hapësirën që meritojnë.

Në demokracitë evropiane, partitë e vjetra e të ndershme vlerësohen, mbështeten, ndihmohen nga sistemi. Në Kosovë, ato shpesh heshtën e injorohen.

Kjo duhet të marrë fund.

Koha për fjalë të mëdha ka kaluar – është koha për veprim konkret.

-Hapje të sistemit zgjedhor përmes 7 zonave.

-Përkrahje të alternativave që përfaqësojnë vlerat evropiane.

-Kthim i besimit në shtet përmes partive që nuk kanë abuzuar kurrë me popullin.

Vetëm kështu Kosova mund të hyjë me dinjitet në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Dhe për këtë, PSHDK është gati – me vizion, pa ngarkesë, dhe mbi të gjitha: me duar të pastra.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".