Kosova është futur në një krizë të thellë politike ku nuk ka as parlament, as qeveri

Kosova është futur në një krizë të thellë politike ku nuk ka as parlament, as qeveri
Kosova është futur në një krizë të thellë politike ku nuk ka as parlament, as qeveri

Nue Oroshi

  • 01 August 2025 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Nue Oroshi

Kosova tash është në anarki, pa parlament dhe pa qeveri. Pas dështimit të seancës konstituive, ku deputetët nuk mundën të themelojnë Parlamentin pas 54 tentimeve të dështuara, Kosova është futur në një krizë të thellë politike ku nuk ka as parlament, as qeveri. Në këtë situatë të rëndë politike, Gjykata Kushtetuese ka dy rrugë:

 

-a)T’i japë dritën e gjelbër në aspektin juridik Presidentes së Kosovës, znj. Vjosa Osmani, që të shpallë zgjedhje të jashtëzakonshme.

Pas shpalljes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme, Gjykata Kushtetuese duhet t’ua ndalojë kandidimin 120 deputetëve të Parlamentit të pakonstituar të Kosovës, për shkak të pasojave juridike dhe ndjekjeve penale nga gjykatat e Republikës së Kosovës, për dëmtim të shtetit të Kosovës. Unë mendoj se këta hapa juridikë, me pasoja penale, do t’i vetëdijësojnë edhe deputetët e rinj që do të dalin nga zgjedhjet e jashtëzakonshme, që siç duket do të mbahen këtë vit, që të mos luajnë lojëra me institucionet e Republikës së Kosovës, të cilat i krijuam pas një qëndrese një shekullore me gjak, me mijëra vite burgim, me protesta dhe demonstrata të ndryshme, me mund e me aktivitete të pandërprera kombëtare.

b) Nëse Gjykata Kushtetuese nuk sheh mundësi ligjore që Presidentja të thërrasë zgjedhje të jashtëzakonshme pa u themeluar Parlamenti i Kosovës, atëherë ajo duhet të bëjë interpretime ligjore në rrethana të jashtëzakonshme. Nëse partia e parë dështon në formimin e Parlamentit për shkak të mungesës së vullnetit politik  dhe mungesë e vullnetit politik është edhe mosdëshira për të ndërruar kandidatin për kryetar të Parlamentit, si dhe këmbëngulja për votim të fshehtë  atëherë kjo i jep mundësi Gjykatës Kushtetuese që të veprojë njëjtë sikurse në rastin e formimit të Qeverisë. T’i japë mundësinë ligjore që të themelohet Parlamenti i Republikës së Kosovës nga grupi politik që mund të bëjë shumicën në Parlament, konkretisht nga ai grup politik që i bën 61 vota.

Ky veprim nuk është zgjidhje e përhershme, por unë mendoj se është vetëm një zgjidhje e përkohshme që të kemi një Parlament i cili do t’i kryejë veprimet kushtetuese deri në zgjedhjet e reja parlamentare, si dhe një qeveri kalimtare. Kjo nuk është zgjidhja, por mund të jetë zgjidhja e përkohshme për të penguar anarkinë që e ka kapluar Kosovën.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".