
Marrëdhëniet Kosovë–Shqipëri: nga vëllazërimi historik te ftohtësia politike


Zef Prenka
Shkruan: Zef Prenka
Që nga përfundimi i luftës së Kosovës, marrëdhëniet mes dy shteteve shqiptare nuk kanë qenë asnjëherë më të tensionuara dhe më të pashëndetshme sesa sot. Fajtorët nuk mungojnë, por përgjegjësia kryesore i takon qeverive aktuale në Prishtinë dhe Tiranë – të cilat, në vend që të ndërtojnë ura të forta bashkëpunimi kombëtar, kanë ngritur mure të panevojshme për interesa të ngushta politike dhe personale.
Ardhja në pushtet e Lëvizjes Vetëvendosje dhe e Albin Kurtit ka shënuar një kthesë të fortë në retorikën dhe praktikën politike të Kosovës ndaj Shqipërisë. Kurti, me gjithë premtimet për bashkim shpirtëror e politik, ka ndërtuar një model marrëdhënieje ku interesat e tij politike vendosen mbi interesin kombëtar. Në shumë aspekte, sjellja e tij i ngjan një udhëheqësi që synon kontroll të plotë, duke përdorur petkun demokratik si justifikim për një qasje autoritare.
Nga ana tjetër, Edi Rama – dhe më herët Sali Berisha – kanë treguar se në vend që të mbajnë një raport korrekt dhe të balancuar me çdo qeveri në Prishtinë, ata shpesh kanë pasur “të preferuarit” e tyre për udhëheqje të Kosovës. Kjo qasje jo vetëm që e minon parimin e mos–ndërhyrjes në politikën e brendshme, por edhe e zvogëlon mundësinë për të ndërtuar një bashkëpunim afatgjatë e të qëndrueshëm, të bazuar mbi interesin e përgjithshëm kombëtar.
Rezultati i kësaj llogarie të ngushtë politike është një marrëdhënie Kosovë–Shqipëri që, në vend që të zbutë “akullin” e mbetur nga dekadat e ndarjes dhe ndikimi i ish–diktaturës komuniste, po e trash më tej atë. Populli, që historikisht e ka parë veten si një trup të vetëm, sot përballet me një realitet ku vëllazëria ka mbetur në nivel folklorik, ndërsa në praktikë dominon mosbesimi, rivaliteti dhe ftohtësia institucionale.
Për më tepër, kjo atmosferë e prishur politike reflektohet edhe në shoqëri: sjellje kaotike, incidente të shpeshta për motive të ulëta, dhunë në komunikacion, dhe një ndjenjë e përgjithshme acarimi mes njerëzve. Nuk është rastësi – kur elitat nuk kultivojnë kulturë bashkëpunimi dhe respekti reciprok, edhe shoqëria humbet sensin e solidaritetit.
Në traditën shqiptare, vëllezërit e vërtetë respektohen dhe ndihmohen pa kushte. Kjo duhet të vlejë edhe për dy shtetet shqiptare, pavarësisht ndarjes administrative. Interesi kombëtar nuk mund të matet me suksesin elektoral të një partie apo popullaritetin e një lideri; ai matet me aftësinë për të krijuar një hapësirë të përbashkët politike, ekonomike dhe kulturore ku shqiptarët e të dy anëve të kufirit ndihen njësoj në shtëpi.
Nëse Prishtina dhe Tirana vazhdojnë ta shohin njëra–tjetrën si arena për përplasje politike, në vend që ta shohin kufirin si një vijë simbolike që duhet tejkaluar, atëherë ftohtësia e sotme do të thellohet, dhe brezat e ardhshëm do ta trashëgojnë këtë përçarje artificiale si një peng të hidhur.
Një tjetër faktor që ka gërryer marrëdhëniet ndërvëllazërore mes Kosovës dhe Shqipërisë është edhe përvoja e hidhur e turizmit. Për dekada, shumë pushues nga Kosova – veçanërisht mërgimtarët – janë keqtrajtuar në mënyrë sistematike nga një pjesë e shërbimeve hoteliere, restoranteve dhe tregtarëve shqiptarë. Jo vetëm me shërbim të dobët, por edhe me çmime abuzive të justifikuara nën mashtrimin e famshëm të “lekut të vjetër” dhe të ri. Nga këto dhe shumë tjera deshpërime të “ turistit kosovar”, për pasojë, këta të fundit kanë zgjedhur vënde tjera ketë vit ( e mbase do vazhdojë edhe në të ardhmën?!), në destinacione të ndryeshme jashtë Shqipërisë, ku kamarieri e konsideron “ mbret” turistin dhe çmimi nuk ndryshon nga ajo që është shënuar në ofertë.Ndryshe në Shqipërinë e të gjithë shqiptarëve kanë ndodhur dhe akoma vazhdojnë mashtrime e vedhje, si psh:
Një 10–lekësh shitej për 100, një 100–lekësh për 1000, duke e kthyer pushimin veror në një eksperiencë të shtrenjtë dhe plot hidhërim. Shembujt janë të pafund: një misër i pjekur që duhej të kushtonte 30 lekë, një kosovar e paguante 300 – pra, çmimin e 10 misrave për të marrë vetëm një.
Këto mashtrime të vogla në dukje, në fakt kanë efekt të madh në krijimin e një ndjenje mosbesimi e madje armiqësie të fshehtë. Kur për vite me radhë një pjesë e tregtarëve shqiptarë kanë parë tek kosovari “shansin për fitim të shpejtë” në vend të mysafirit vëllazëror, është e natyrshme që kjo të lërë gjurmë negative në kujtesën kolektive. Dhe kështu, urat e bashkëpunimit kulturor e shoqëror janë gërryer nga etja për përfitim të menjëhershëm, në vend që të forcoheshin përmes korrektësisë e respektit reciprok.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".