
Klasa politike po vepron më shumë për interesa të ngushta personale


Zef Prenka
Nga Zef Prenka
Nëse zhvillimet politike, shoqërore dhe institucionale në Kosovë vazhdojnë në të njëjtën trajektore si sot, rreziku për një përplasje të brendshme me përmasa të rënda është real dhe i afërt. Sinjalet paralajmëruese janë tashmë të dukshme në tre fusha kyçe:
Nëse vazhdon logjika e përfitimit personal e deri tek grabitja e pasurisë publike pa frikë nga ndëshkimi, atëherë besimi i qytetarëve te shteti dhe ligji do të shkatërrohet përfundimisht. Një shoqëri ku dominon mentaliteti “çdokush për vete” humbet kohezionin dhe bëhet terren i favorshëm për përçarje dhe destabilitet.
Klasa politike po vepron më shumë për interesa të ngushta personale ose të grupeve të vogla sesa për interesin kombëtar. Kryeneqësia, inati politik dhe mungesa e gatishmërisë për kompromis e kanë shndërruar skenën politike në një arenë përplasjeje të pandalshme, ku vendimet strategjike për shtetin merren në bazë të hakmarrjes politike e jo analizës së ftohtë.
Një drejtësi që nuk guxon të thotë fjalën e saj të paanshme dhe që nuk garanton ndëshkimin e të korruptuarve, cilido qoftë pozicioni i tyre, e minon vetë bazën e rendit kushtetues. Mosfunksionimi i drejtësisë çon drejtpërdrejt në vetëgjyqësi, e kjo është një nga hallkat e para të shpërbërjes së paqes sociale.
Dy blloqe politike dhe mediatike tashmë kanë hapur “frontet” e tyre të luftës së fjalës, duke i dhënë konfliktit një dimension të përditshëm në opinion publik. Ky përshkallëzim verbal, i kombinuar me propagandë, dezinformim dhe nxitje të urrejtjes, e përgatit terrenin për konfrontim fizik.
Nëse nuk ndodh një kthesë politike dhe shoqërore, brenda 7 deri në 9 muajsh Kosova mund të përballet me një konflikt civil, i cili për nga përmasat dhe tragjedia mund të tejkalojë ngjarjet e viteve 1998-1999. Ky nuk do të ishte konflikt për pavarësi, por për pushtet dhe ndikim të brendshëm – gjë që e bën edhe më të rrezikshëm dhe shkatërrues.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".