
Kriza aktuale politike në Kosovë është kthyer në një nyje gordiane


Zef Prenka
Nga: Zef Prenka
Kriza aktuale politike në Kosovë është kthyer në një nyje gordiane, ku çdo ditë që kalon vetëm sa e shtrëngon më shumë litarin e bllokadës. Kuvendi është i paralizuar, seancat dështojnë njëra pas tjetrës, opozita dhe pushteti nuk komunikojnë veçse me akuza, ndërsa qytetarët përballen me pasojat e drejtpërdrejta të mosfunksionimit institucional. Në këtë realitet, edhe një gjest i thjeshtë, por i fuqishëm, mund të bëhet çelësi i zhbllokimit.
Një nga shkaktarët kryesorë të tensionit është vetë gjuha fyese që ka përdorur Kryeministri Albin Kurti ndaj opozitës, me shprehje të tilla si “hajvana, hajvanati”. Këto fjalë nuk janë vetëm ofendim personal ndaj deputetëve apo partive, por shndërrohen në vulë ofenduese për elektoratet e tyre, duke e bërë të pamundur afrimin dhe kompromisin. Nëse Kryeministri do të tërhiqej publikisht nga këto fjalime dhe do të kërkonte falje, kjo nuk do të ishte dobësi, përkundrazi, do të ishte një shenjë force morale, pjekurie politike dhe përgjegjësie shtetërore.
Në politikë, kërkimfalja ka kuptim të veçantë: ajo është një akt simbolik që i rikthen dinjitetin palës tjetër, por është edhe akt praktik që rehabiliton elektoratet. Një opozitë që merr një falje publike ka hapësirë morale për të pranuar kompromisin, pa e humbur fytyrën para votuesve të vet. Kjo është thelbësore, sepse pa këtë rehabilitim, çdo lëshim shihet si tradhti. Prandaj, një falje publike nga Kurti do të funksiononte si balancues politik, duke i dhënë opozitës mundësinë të heqë bllokadën dhe duke i kthyer palët në një normalitet politik, ku konfliktet ekzistojnë, por institucionet nuk mbahen peng.
Një gjest i tillë do të mundësonte zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit dhe hapjen e rrugës për funksionalizimin e institucioneve. Për më tepër, në sy të ndërkombëtarëve, një hap i tillë do të shihej si dëshmi se Kosova ka lidership të aftë të kapërcejë tensionet me përgjegjësi dhe maturi. Kjo do të rritte kredibilitetin e vendit dhe do të forconte besimin se Kosova është e gatshme për të ecur në rrugën evropiane.
Në fund, duhet kuptuar se zgjidhja nuk qëndron në fjalosje, në sharje apo duke ra në shpatë ( si Aleksandri i Madh që ndau më dysh nyjen gordiane!), por në gjeste të thjeshta dhe të mençura. Kërkimfalja është një prej tyre: ajo shëron plagë, rehabiliton elektorate, ul tensionet politike, i jep oksigjen institucioneve dhe kthen shoqërinë nga kaosi i sotëm drejt një normaliteti të nevojshëm politik. Vetëm kështu nyja gordiane e Kosovës mund të zgjidhet jo me forcë,jo me “shpatë”, por me urtësi.Në fund të fundit edhe në politikë vlenë parimi- jemi vëllezër të gjeneve e të gjakut dhe interesi kombëtarë na obligon mbi çdo interes tjetër.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".