Maloku: Kadri Kryeziu ka të drejtë, Kosova nuk është shtet multietnik por, është shtet unitar !

Maloku: Kadri Kryeziu ka të drejtë, Kosova nuk është shtet multietnik por, është shtet unitar !
Maloku: Kadri Kryeziu ka të drejtë, Kosova nuk është shtet multietnik por, është shtet unitar !

Fadil Maloku

  • 08 September 2025 - 07:50

Nga Fadil Maloku

“Betejat” titanike që ai po zhvillon me shumë individë analfabetë funksionalë, si në sferën publike ashtu edhe në atë politike dhe juridike, më provokuan ndjeshëm dhe më prishen qetësinë e rezervuar për disa tekste që po mundohem t’i përfundoj në mënyrë që, si thuhet, të lë ca gjurmë në jetën publike intelektuale. T’i kthehem “betejave” që po zhvillon kolegu dhe arkitekti i Kushtetutës që kemi aktualisht. Dorën në zemër, më duhet ta ripërsëris: kjo Kushtetutë, me gati tri dekada jetëgjatësi, është bërë një “këmishë e ngushtë” për shtetin dhe shoqërinë e Kosovës.

Por, pse them se Kadri Kryeziu ka të drejtë?
Fillimisht, duke u bazuar në perspektivën sociologjike, duhet theksuar se shoqëria dhe shteti nuk janë koncepte e as termA të njëjta, prandaj edhe kompleksi i multietnicitetit shfaqet ndryshe në secilën nga këto paradigma sociopolitike.
Ja shkurtazi disa argumente:

a. Shoqëria multietnike (multi-ethnic society)
Ka të bëjë me strukturën dhe kushtet e marrëdhënieve shoqërore dhe bashkëjetesën e komuniteteve të ndryshme etnike brenda një territori, duke pasqyruar shumëllojshmëri identitare dhe ndërveprim sociopolitik e kulturor.

b. Shteti multietnik (multi-ethnic state)
Ka të bëjë kryesisht me proceset e organizimit politik dhe zhvillimet juridike, sidomos rregullat dhe normat institucionale që e njohin, respektojnë dhe menaxhojnë praninë e etnive të ndryshme përmes Kushtetutës, ligjeve, administratës dhe politikave publike.

Karakteristikë e shoqërive multietnike është se ato krijohen shpesh si produkt i rrethanave historike, proceseve migratore, luftërave pushtuese, kolonizimeve apo martesave të përziera. Një shembull është Bosnja, ku përmes Marrëveshjes së Dejtonit u përcaktuan serbët, boshnjakët dhe kroatët.

Shteti multietnik synon stabilitet politik dhe përfaqësim institucional, duke operuar përmes marrëdhënieve vertikale pushtet–qytetarë, ku secila etni ka një status të caktuar. Qëllim ky që realisht është duke e pretenduar që nga shpallja e Pavarësisë Serbia, përmes Lista "Serpska".

Në rastin e Kosovës, de facto dhe de jure mungon komponenta kruciale për një shtet multietnik. Megjithatë, Lista Serpska, përmes kontestimit të konstituimit të Kryesisë së Parlamentit, është përpjekur në vazhdimësi të krijojë ndarje juridike dhe kushtetuese (si kuota, autonomi lokale, zyrtarizim të gjuhës, të drejta të veçanta, Zajednica, e tashmë edhe varësi për konstituimin e Kryesise së Parlamentit), duke ngritur struktura të reja që sfidojnë kompetencat e shtetit. Direktivat e Aleksandër Vuçiqit për braktisjen e institucioneve të Kosovës ishin politikisht të gabuara.

Kështu që braktisja ose largimi i serbëve nga institucionet kosovare, që zgjati dy dekada, tregoi se një minoritet që përbën vetëm rreth 3% të popullsisë nuk mund të ndërtojë një shoqëri stabile dhe multietnike. Termi “multietnik” u frymëzua nga Projekti Ahtisari, por ndikimi i tij praktik ka qenë i kufizuar. Ai u tentua të bëhej një “urë” për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, por kjo nuk ndodhi.

Tani po kuptohet edhe publikisht se, megjithëse minoriteti serb është i vogël demografikisht, përmes manipulimeve dhe kontestimeve të vazhdueshme po kërkon të zotërojë dhe të kontrollojë 25% të territorit të Kosovës, në mënyrë që duke shfrytëzuar kompetencat e Asociacionit të paralizoj sa më shumë funksionimin normal të Parlamentit.

Mirëpo, do theksuar se kjo status quo që tashmë po ilustron qartë se paradigma e “multietnicitetit” në Kosovë, me shumicë shqiptare 95%, ka mbetur kryesisht edhe një iluzion politik dhe një mjet për të menaxhuar tensionet ndërkombëtare, por jo një realitet funksional brenda vendit. Andaj, kolegu Kadri Kryeziu ka të drejtë, kur thotë "Dispozitat themelore të kushtetutës e përkufizojnë qartë që Kosova është shtet unitar dhe nuk është shtet multietnik"! Dhe bë shumë mirë që bë kujdestari online rreth proceseve dhe zhvillimeve aktuale në skenën politike të Kosovës...
Shpërndajeni shlirë...

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".