
Lexoni edhe:
Vjen paralajmërimi: Politikanët tanë ta ndalin luftën me njëri- tjetrin dhe të bëhen bashkë për Kosovë
Shkruan: ANALISTI-Isuf Bajraktari
Padyshim është e vështirë të pranohet që Dimal Basha ka bashkautorësi me Arsovskën , një deputet prej 8 vitesh dhe tash kryetar Kuvendi ka bashkëpunuar me një autore që perceptohet si kundërshtare e çështjes shqiptare. Kjo tregon mungesë pjekurie akademike e politike në atë kohë. Megjithatë, duhet bërë dallimi: ky është një punim shkencor i para 13 viteve, jo një qëndrim i sotëm politik.
-Nëse e përdorim këtë si mjet linçimi politik, rrezikojmë të shndërrojmë debatin në një garë kush del më patriot në ekranet tona, pa reflektuar për problemin real: mungesën e kapaciteteve tona akademike për të prodhuar kundër-argumente serioze. Unë mendoj se z. Basha nuk duhet të fshihet pas heshtjes, por të tregojë maturi dhe integritet kombëtar duke e pranuar publikisht gabimin, duke u distancuar nga çdo përmbajtje që cenon UÇK-në, dhe duke kërkuar falje. Një kërkimfalje e sinqertë nuk e dobëson, por e forcon kredibilitetin e një lideri.
Problemi i vërtetë nuk është vetëm një punim i vitit 2012 apo një reagim i sotëm politik. Problemi është se për vite me radhë kemi munguar në frontin akademik e intelektual. Nuk kemi botuar libra që të argumentojnë me fakte historike dhe dokumente të pathyeshme të vërtetën e luftës sonë çlirimtare. Në vend që të ndërtojmë institucione që mbrojnë me argumente imazhin e UÇK-së, shpesh jemi marrë me grindje të brendshme dhe politikë ditore. Prandaj, sot dukemi të papërgatitur dhe reagohet me emocione e retorikë. Kosova ka nevojë për një qasje tjetër: të mbrojë historinë e saj me fakte, të kërkojë përgjegjësi morale nga liderët e saj, dhe të refuzojë ekstremizmat që mbyllin hapësirën e debatit demokratik
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".