
Lexoni edhe:
'KOSOVA SOT' ka qëndruar e palëkundur si një mburojë e qytetarit dhe një shpatë kundër padrejtësisë për 27 vite me radhë
Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri
Kombëtarja “KOSOVA SOT”, është e përditshme informative e pavarur dhe një ndër emrat më të njohur të gazetarisë në botën shqiptare, që solli standard të ri në informim me plasimin e paanshëm të lajmeve reale dhe autentike, numri fillestar i të cilës, vetëm pas rreth një viti përpjekjesh e peripecish, arriti të shohë dritën duke u botuar për herë të parë, më 12 shtator të vitit 1998, për të vijuar pandalshëm atëherë e sot, si një gazetë ndryshe dhe e përditshme informative-shembull, që këto ditë feston me krenari edhe përvjetorin e saj të 27-të, një rrugëtim ky i gjatë dhe i suksesshëm, që ka ndikuar dukshëm në zhvillimin e mendimit të lirë dhe informimit të drejtë e të pavarur në Kosovë, e jashtë saj, kudo jetojnë shqiptarët.
-E përditshme me të cilën kemi filluar mëngjesin dhe kaluar ditën deri në mbrëmje të vonë nën shoqërinë e saj, mediumi pinjoll i vendit që ka arritur të funksionojë, duke mbijetuar edhe vitet më të vështira të okupimit klasik të Kosovës nga Serbia fashiste, veprimtaria shumëdimensionale e të cilës iu përkushtua në tërësi, informimit publik përmes gazetës dhe botimit të teksteve shkollore, për edukimin e gjeneratave të reja, të cilat sot përbëjnë një armatë të tërë intelektualësh e profilesh nga më të ndryshmet në vend, si dhe idealit të shenjtë të lirisë, me të cilin, sikur kanë ditëlindje të njëjtë, pasi që edhe kjo vetë, pothuajse njëkohësisht dhe po aq bujshëm, erdhi “në jetë”, si e përditshme e pavarur në Kosovë.
Prandaj, për ta finalizuar krimin gjenocidal, regjimi okupator serb zgjodhi pikërisht ditën e bombardimeve të NATO-s, kundër caqeve të policisë dhe ushtrisë okupatore serbe në Kosovë, 24 marsin e vitit 1999, duke bombarduar objektin dhe shtypshkronjën e gazetës "KOSOVA SOT" si të parën, për t’u hakmarrë barbarisht kundër saj, ngase ndikimi në opinionin e brendshëm dhe të jashtëm publik i gazetës "KOSOVA SOT" ishte një uragan i pandalshëm dhe goditja më e madhe mediatike, që përmes informimit të shpejtë e real, asokohe mund t’i bëhej "legalisht" regjimit okupator serb të Sllobodan Millosheviqit.
E themeluar në ditët më të rënda të terrorit serb dhe territ të plotë informativ, kulmi i të cilave arriti në vitin 1998, edhe e përditshmja "KOSOVA SOT", ka kaluar pengesa e sfida të panumërta, përfshirë periudhat më të vështira të zhvillimit të luftës dhe përpjekjet titanike për jetësimin e lirisë, të cilës iu dogj e shkrumbua objekti dhe e gjithë makineria publikuese e saj, por që ajo nuk ra, as nuk u dorëzua dhe u ringjall sërish, si feniksi nga hiri i vet, për të vijuar përpjekjet e pareshtura në shërbim të kombit dhe shtetit të Kosovës, si para, edhe pas çlirimit të atdheut, duke mbetur gjithmonë zë i fuqishëm dhe pinjoll i fjalës së lirë të gazetarisë investigative.
Vrulli i ndërgjegjes kombëtare dhe vendosmëria e shqiptarëve për t’u çliruar përfundimisht nga kthetrat e okupimit klasik serb, të Serbisë fashiste të Sllobodan Millosheviqit, me ministër të informimit presidentin aktual serb, kriminelin Aleksandër Vuçiqin, ata dënuan Kosovën dhe qytetarët e saj në format dhe mënyrën më të rëndë, duke u mbyllur, në fund të shekullit XX, të gjitha shkollat në gjuhën shqipe, Universitetin dhe mediat shqipe në Kosovë, si dhe u ndalua me forcë shtypi i lirë, ku pas presionit dhe tiranisë së papërshkrueshme nga okupatori, shqiptarëve nuk u mbeti rrugëdalje tjetër, përveç organizimit të kryengritjes për çlirim kombëtar dhe territorial të Kosovës nga Serbia fashiste.
Ishte veprimtaria e gjithanshme dhe madhështore mediatike e publicistike e kombëtares "Kosova Sot", ajo që përkundër mbylljes së shkollave dhe të gjitha institucioneve shtetërore, edhe në kohët më të rënda të okupimit klasik të Kosovës nga Serbia e Millosheviqit, nxënësit, studentët dhe mësuesit shqiptarë nuk mbetën pa libra dhe materiale mësimore, pra "KOSOVA SOT" është ajo që na rikujton edhe sot, në këtë përvjetor, përkushtimin, punën e vendosur dhe rolin e pazëvendësueshëm që dëshmoi në ato vite të trishta, duke u shndërruar edhe në Ent për Botimin e Librave dhe të Teksteve Mësimore për të gjitha klasat dhe nivelet shkollore në mbarë Kosovën, duke mos lejuar që të shkaktohet asnjë boshllëk dhe as të krijohet ndonjë hendek ndërmjet gjeneratave, siç e kishte planifikuar okupatori serb në ato vite të errëta për shqiptarët nën okupimin e Serbisë hegjemoniste.
Andaj fillimi i botimit të kombëtares "Kosova Sot", pikërisht në ato vite të vështira, kur në terren zhvillohej edhe lufta për çlirimin e vendit, jehonën e të cilës e përhapte në çdo cep të atdheut, pikërisht kombëtarja "Kosova Sot", besoj se ishte kulmi i suksesit gjatë 27 viteve të ekzistencës dhe historisë së "KOSOVA SOT", ishte dëshmi e trimërisë së stafit punues dhe vula e vendosmërisë së treguar të vetë botuesit të "Kosova Sot".
Ishte vepër më vete, që përveç informimit orë e çast, konsiderohet edhe si moment i shënuar në ndikimin ndaj opinionit publik shqiptar, akt historik që e bën "KOSOVA SOT" të veçantë dhe dritare të pazëvendësueshme në peizazhin e tkurrur mediatik të kohës për shqiptarët, vite të rënda e shumë problematike kur pothuajse nuk ekzistonte shtyp i lirë fare, ndaj "KOSOVA SOT", edhe nën ato kushte tmerri e deri më tani, arriti ta ruajë standardin e lartë profesional, të bëhet shembull i informimit të guximshëm dhe gazetarisë së paanshme për më shumë se një çerek shekulli.
Me një ekip të përkushtuar gazetarësh dhe redaktorësh, për 27 vite me radhë "KOSOVA SOT" u bë burim i pazëvendësueshëm dhe nga më të rëndësishmit të lajmeve jo vetëm për qytetarët e Kosovës por edhe për mbarë shqiptarët anembanë botës, duke mbuluar një gamë të gjerë tematikash të përditshmërisë që nga politika, ekonomia, kultura, sporti, dhe deri te ngjarjet ndërkombëtare. Pra, "KOSOVA SOT" arriti ta ruajë gjithmonë një standard të lartë të profesionalizmit, duke ofruar informata të sakta, të shpejta e të paanshme dhe me thellësi superiore analitike, shkaku i të cilave edhe nga pushtetarët e inkriminuar dhe mafio-oligarkë e nëntokës kriminale, tentuan që edhe pas çlirimit, t’ia mbyllnin gojën, për shkak të politikës së pavarur editoriale nga kasta e kriminalizuar politike.
Megjithatë, një ndër karakteristikat më të veçanta që përherë e ka shquar këtë gazetë me gazetat tjera, mbetet qasja e saj ndaj gazetarisë hulumtuese, e cila
përkundër kërcënimeve, ka vijuar ta denoncojë korrupsionin, krimin e organizuar, keqmenaxhimin dhe çështje të tjera që në vijimësi e kanë shqetësuar opinionin publik, qasje kjo që ka kontribuar në krijimin e një hapësire optimale për debat dhe reflektim të gjerë shoqëror, duke ndihmuar në përhapjen eksplicite të informimit real dhe ndikuar në formimin e opinionit kombëtar e publik, si dhe përhapjen e shpresës për mbarëvajtjen pozitive të çështjeve më të rëndësishme shtetërore.
Kështu që, nga një gazetë e përditshme e shtypur, ajo është transformuar në një platformë multimediale, ndaj dhe ndjekësit e rregullt të gazetës "KOSOVA SOT", përgjatë këtyre 27 viteve, flasin me pozitivitet të theksuar për evoluimin e saj, e cila duke iu përshtatur teknologjisë dhe ndryshimeve përgjatë kohës në media, vazhdon të informojë rregullisht publikun përmes formatit online dhe kanaleve të tjera digjitale, si dhe të mbajë në fokus gjithmonë misionin e shenjtë të informimit të shpejtë e të drejtë dhe ofrimit të lajmeve të besueshme, të paanshme dhe të argumentuara.
Në këtë përvjetor të rëndësishëm, "KOSOVA SOT" nuk përfaqëson më vetëm suksesin e një institucioni mediatik, por edhe faktin e qëndrueshmërisë duke argumentuar në mënyrën më autentike vazhdimësinë e saj dhe rëndësinë e madhe të gazetarisë së lirë e të pavarur në shoqërinë kosovare, ku rol të veçantë, pa asnjë dyshim, ka luajtur dhe vazhdon të luajë "Kosova Sot", e cila me raportime të guximshme dhe informim të paanshëm, edhe tani, luan rol kyç në formësimin e peizazhit mediatik e kulturor të Kosovës dhe më gjerë të botës shqiptare, duke qenë gjithmonë pranë lexuesve të saj besnikë.
E ndër arsyet kryesore të lexuesve, të cilët edhe 27 vite pas vijojnë t’i mbeten besnikë të përditshmes informative "Kosova Sot", është përkushtimi i vetë stafit të kësaj gazete, për të sjellë informata të sakta, e të paanshme, larmi temash e shkrime analitike, si dhe editoriale që shpesh sjellin këndvështrime të ndryshme, duke e ndihmuar lexuesin shqiptar të krijojë një botëkuptim më të thelluar dhe më të gjerë mbi ngjarjet, risitë dhe zhvillimet e përditshme politike, sociale, kulturore, sportive, etj., në vend dhe botë.
Në kombëtaren "Kosova Sot", lexuesi shqiptar, përveç të tjerash, ka gjetur hapësirë edhe për shfaqjen e mendimit kritik, paraqitjen reale të zhvillimeve në terren dhe pasqyrimin e aktualitetit autentik të ngjarjeve me ofrimin e analizave të pavarura, në një atmosferë profesionale për debate të rëndësishme e të paanshme mbi përditshmërinë, të tashmen dhe të ardhmen e vendit tonë, duke bërë që edhe pas 27 viteve, "KOSOVA SOT" të mbetet një nga dritaret më të rëndësishme dhe e përditshme me besueshmëri të lartë të informimit publik, reflektim real mbi zhvillimet e sfidat e Kosovës e të rajonit dhe me një platformë të veçantë për të ardhmen e gazetarisë cilësore ndër shqiptarët, pa dallim.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".