
Vjen reagimi i ashpër: Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka ndërmarrë një veprim të kontestueshëm


Qani Shabani
Shkruan: ANALISTI-Qani Shabani
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka ndërmarrë një veprim jashtëzakonisht të kontestueshëm me nismë vetjake (ex officio) dhe mbi kërkesë të përfaqësuesve të Listës Serbe, ajo ka pezulluar përkohësisht funksionimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës deri më 30 shtator. Ky vendim nuk është neutral. Ai përfaqëson një veto të heshtur institucionale dhe krijon precedent të rrezikshëm për funksionimin demokratik të shtetit. Gjykata Kushtetuese, në këtë rast, nuk ka vepruar si garant i rendit kushtetues, por është kthyer në dorë të zgjatur të Listës Serbe dhe agjenturave të jashtme, të cilat synojnë dobësimin e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe pengimin e rrjedhës së procesit demokratik.
-Në qendër të kësaj krize është moszgjedhja e kandidatit të Listës Serbe për nënkryetar të Kuvendit. Ai është propozuar, por nuk ka marrë votat e nevojshme nga deputetët. Kjo është përdorur si argument për të pretenduar se Kuvendi nuk është konstituar. Por ky pretendim është i pabazuar si juridikisht, ashtu edhe politikisht.
Kuvendi është plotësisht i konstituar. Kryetari është zgjedhur, shumica e nënkryetarëve janë votuar, dhe puna legjislative mund të vazhdojë. Kushtetuta e Kosovës nuk e parashikon që moszgjedhja e një nënkryetari nga një komunitet i caktuar e bën Kuvendin jofunksional. Kjo është një shpikje politike e shndërruar në krizë artificiale.
Neni 1 i Kushtetutës e përkufizon Kosovën si shtet unitar, demokratik dhe i pandashëm, ndërsa neni 3 garanton rend demokratik dhe shoqëri shumëetnike. Asnjë nen i Kushtetutës nuk e sanksionon bllokimin e funksionimit të Kuvendit për shkak të një posti të pazgjedhur. Kushtetuta nuk garanton poste – ajo garanton procedura dhe funksionalitet institucional. E drejta për të propozuar një kandidat është e garantuar, por e drejta për t’u zgjedhur kërkon shumicën e votave. Nëse shumica mungon, kjo është pasojë politike – jo shkelje kushtetuese.
Nga aspekti i interpretimit kushtetues, termi “nënkryetarët” nuk përkufizon domosdoshmërisht numrin e kuvendarëve si kusht absolut. Nenet për konstituimin e Kuvendit duhen lexuar në harmoni me nenet 1 dhe 3 të Kushtetutës. Qëllimi i tyre është ndërtimi i institucioneve funksionale dhe jo krijimi i pengesave procedurale. Dhe, në rrafshin funksional, asnjë grup apo individ nuk mund të ketë të drejtën të bllokojë një institucion të tërë për shkak të mungesës së votave.
Argumenti për një “vakum kushtetues” është politik, jo juridik. Në çdo sistem parlamentar funksional, nëse një kandidat nuk merr votat, thjesht nuk zgjidhet – por institucioni vazhdon punën. Pezullimi i Kuvendit për një pozicion të pazgjedhur përbën abuzim të së drejtës kushtetuese, që rrezikon themelet e shtetit.
Më tej, ky vendim ka ndikim të drejtpërdrejtë në procesin politik dhe përbën përpjekje të hapur për të penguar formimin e Qeverisë dhe përparimin e institucioneve që burojnë nga vullneti i shumicës parlamentare. Kjo strategji është pjesë e një loje më të gjerë të politikës së opozitës dhe disa qarqeve ndërkombëtare, ku Lista Serbe dhe faktorë të huaj kërkojnë të ruajnë ndikimin dhe ta mbajnë Kosovën në një cikël të vazhdueshëm bllokadash dhe paqëndrueshmërie.
Republika e Kosovës duhet të ruajë unitarizmin dhe funksionalitetin e saj kushtetues. Këto janë shtylla mbi të cilat mbështetet vetë ekzistenca e saj si shtet. Nuk mund të lejohet që përfaqësimi i një komuniteti të keqpërdoret si mjet për imponim apo shantazh institucional. Barazia nuk nënkupton veto. Përfaqësimi nuk do të thotë kushtëzim.
Gjykata Kushtetuese ka dështuar të jetë gardiane e rendit kushtetues. Ajo është pozicionuar si instrument i presioneve politike, e rreshtuar në interes të Listës Serbe dhe agjenturave të huaja që kërkojnë ta dobësojnë Kosovën nga brenda. Ky është një devijim i rrezikshëm nga misioni i saj si garant i pavarësisë, funksionalitetit dhe unitetit të Republikës.
Në përfundim, institucionet e Kosovës duhet të veprojnë me vendosmëri për të mbrojtur legjitimitetin dhe stabilitetin e sistemit demokratik. Asnjë akt politik, juridik apo gjyqësor nuk mund të vendoset mbi sovranitetin e Kuvendit dhe të popullit që e zgjedh atë. Kosova nuk mund të pranojë një sistem ku pakica mund të bllokojë shumicën, dhe ku drejtësia përdoret si instrument politik.
Kuvendi duhet të vazhdojë punën me përgjegjësi dhe dinjitet. Gjykata duhet të rikthehet në rolin e saj kushtetues. Dhe Republika e Kosovës duhet të qëndrojë e bashkuar në mbrojtje të rendit, unitetit dhe të ardhmes së saj si shtet demokratik dhe sovran.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".