
Lexoni edhe:
‘KOSOVA SOT ONLINE’, vazhdon të jetë shembull për gazetari të paanshme dhe të guximshme për më shumë se një çerek shekulli
"Kur të tjerët heshtnin, ajo fliste. Kur të tjerët ndaleshin, ajo vazhdonte. KOSOVA SOT– dritë në dritaren e fjalës së lirë."
Nga Afrim Tahiri, teolog
Në historinë 27-vjeçare të gazetarisë së Kosovës dhe më gjerë në hapësirën shqiptare, ka pak emra që ngjallin respekt të menjëhershëm dhe ndjesi besimi të pakushtëzuar. Një nga ata emra që qëndron lartë, i palëkundur në vlerë dhe ndikim, është padyshim KOSOVA SOT, gazeta që për më shumë se një çerek shekulli ka qenë jo vetëm kroniste e ngjarjeve, por edhe shtyllë orientuese për opinionin publik shqiptar. Për çdo media vjen një moment që shënon kulmin e ndikimit dhe suksesit. Për KOSOVA SOT, ky moment nuk është i vetëm, por një vijimësi përballje me të vërtetën në kohë të errëta e të trazuara, gjatë luftës, pas saj, dhe në rrugëtimin e ndërtimit të shtetit të Kosovës. Ajo arriti kulmin kur nuk u tremb të fliste derisa të tjerët heshtnin; kur denonconte padrejtësitë derisa të tjerët komprometonin të vërtetën; kur ngrinte zërin për qytetarin derisa të tjerët i shërbenin pushteteve. KOSOVA SOT nuk qe kurrë spektatore, ishte gjithmonë pjesë aktive e betejave për drejtësi, transparencë dhe integritet. Dhe kjo e bën kulmin e saj një histori të përhershme, jo një moment të vetëm.
Çfarë e bën KOSOVA SOT kaq të veçantë dhe të pazëvendësueshme në peizazhin mediatik shqiptar? Janë shumëçka, por, mbi gjithçka, është besnikëria ndaj lexuesit. Në një kohë kur shumë media lëkunden mes interesave të ndryshme politike apo komerciale, KOSOVA SOT ka ditur të ruajë një bosht të palëkundur etik dhe profesional. Ajo nuk i ka shërbyer pushtetit, por të vërtetës. Këtë të vërtetë e ka gjurmuar jo vetëm në Kosovë, por edhe në viset e tjera etnike. Thjesht, është shndërruar në pasqyrim të së vërtetës shqiptare. Nuk ka ndërtuar mite të rreme, por ka ndriçuar realitetin, sado i vështirë apo i papëlqyeshëm të ishte ai. Ajo është kthyer në një platformë ku qytetari shqiptar, anekënd viseve etnike, e ka ndier veten të përfaqësuar. Një gazetë që nuk ka qenë kurrë thjesht raportuese, por edhe formuese e opinionit publik, gjithnjë me përgjegjësi e maturi.
Në një botë ku gazetaria shpesh herë gjymtohet nga sensacionalizmi apo nga presioni i klikimeve, KOSOVA SOT ka ruajtur me përkushtim standardin e saj profesional, si një pasuri që nuk cenohet. Kjo gazetë ka treguar se gazetaria mund të jetë edhe e guximshme, edhe e paanshme, një kombinim i rrallë dhe i çmuar në kohët moderne. Stafi i saj, nga themelimi e deri më sot, ka ndërtuar një kulturë pune ku fjala ka peshë, ku faktet janë themeli, dhe ku guximi për të raportuar nuk zbehet as përballë kërcënimeve më të ashpra. Kjo e bën KOSOVËN SOT jo vetëm një gazetë, por një institucion të mirëfilltë të shoqërisë kosovare, një model që duhet ndjekur nga brezat e rinj të gazetarëve.
Në rrjedhën e dekadave, KOSOVA SOT ka qenë gjithmonë më shumë se një mjet informacioni. Ka qenë frymëzim për ata që e shohin gazetarinë si mision; ka qenë mbështetje për ata që kërkonin drejtësi; ka qenë pasqyrë për ata që donin të shihnin më qartë të vërtetën. Ajo nuk e ka humbur kurrë lidhjen me realitetin dhe nuk është shkëputur asnjëherë nga përgjegjësia ndaj lexuesit. Prandaj, edhe pas 27 vitesh, lexuesi i kthen gjithmonë sytë drejt saj, sepse di që aty do të gjejë një fjalë të ndershme, një mendim të thellë dhe një guxim të rrallë.
KOSOVA SOT e ka arritur këtë sukses të jashtëzakonshëm, pa dyshim, përmes një kombinimi të përkushtimit të pandërprerë ndaj etikës profesionale, integritetit të jashtëzakonshëm dhe një kulture të fortë gazetareske brenda redaksisë së saj. Gjithqysh, një faktor kyç i këtij suksesi është edhe qëndrueshmëria e stafit profesional, i cili gjithëhere është karakterizuar nga një ndjenjë e fortë përgjegjësie ndaj misionit të gazetarisë. KOSOVA SOT nuk është thjesht transmetuese e lajmeve, por, mbi të gjitha, kërkuese e së vërtetës, e gatshme të përballet me sfida, kërcënime dhe presione për të mos ndalur kërkimin dhe raportimin. Ky guxim është manifestim i një misioni të thellë qytetar, për ta mbrojtur dhe fuqizuar lexuesin përmes informacionit të saktë dhe të paanshëm.
Për më tepër, KOSOVA SOT për gjithë këta vite ka kultivuar një ambient ku vlerat e gazetarisë, objektiviteti, transparenca dhe respekti ndaj faktit, nuk janë thjesht fraza boshe, por standarde të paanashme. Kjo ka ndihmuar që lajmet dhe analizat të mos përceptohen dhe të përdoren për interesa të ngushta, por të jenë pasqyrë e realitetit në të gjitha nuancat e tij. Përmes kësaj qasjeje, KOSOVA SOT ka fituar besimin e lexuesve dhe respektin e kolegëve, duke u bërë një pikë referimi e besueshmërisë në një mjedis mediatik shpeshherë të polarizuar.
Pikërisht përkushtimi ndaj së vërtetës, guximi për të raportuar në kohë të vështira, dhe kultura profesionale e brendshme ka bërë që KOSOVA SOT të jetë një institucion i fortë dhe i qëndrueshëm, një dritë udhërrëfyese në peizazhin mediatik shqiptar për më shumë se 25 vjet.
Në 27-vjetorin e saj, kjo gazetë nuk ka nevojë për duartrokitje të zbrazëta, ajo ka fituar diçka më të madhe: besimin e njerëzve, respektin e profesionistëve, dhe vendin e saj të pakontestueshëm në historinë e medias shqiptare. Le të jetë ky përvjetor jo vetëm një festë për një gazetë, por edhe një moment reflektimi për të gjithë ata që ende besojnë në fuqinë e fjalës së lirë. KOSOVA SOT është dëshmia se gazetaria nuk është thjesht një profesion, por është mision, është shërbim, është guxim.
Urime 27-vjetorin, KOSOVA SOT dhe, faleminderit që ekziston!
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".