
Lexoni edhe:
Nëse Kosova nuk rishikon kursin politik përkrahja tradicionale amerikane nuk mund të merret si e mirëqenë
Shkruan: ANALISTI-Skender Mulliqi
Ajo që duan qytetarët janë institucione kredibile dhe politikanë që punojnë dhe arrijnë rezultate të prekshme. Ata politikanë që nuk ecin me kohën dhe nuk ndryshojnë mënyrën se si e bëjnë politikën, në fakt, do t’i japin fund karrierës së tyre politike.
-Derisa disa vende në rajon po bëjnë përparime drejt integrimit në Bashkimin Evropian, Kosova po stagnon – madje po shkon disa hapa mbrapa. Kriza politike që zgjat prej kohësh, së bashku me krizën institucionale, dhe ato sociale e ekonomike, po shkaktojnë pakënaqësi të mëdha tek qytetarët. Zhgënjimi i tyre ka arritur kulmin. Nuk po dëgjohet zëri i qytetarëve, sepse politikanët e gardës reaksionare nuk janë të interesuar të zgjidhin problemet e qytetarëve, edhe pse paguhen nga taksat e tyre.
Demokracia nuk ka të bëjë vetëm me shkuarjen në zgjedhje çdo katër vjet. Demokracia do të thotë të jesh përgjegjës dhe të dëgjosh zërin e qytetarëve ndërkohë. Parlamentarët, që shpesh sillen sikur kanë humbur kontaktin me realitetin, jo vetëm që nuk e përfillin zërin qytetar, por po rrezikojnë edhe të drejtat elementare të tyre.
Gjysma apo më shumë e kësaj elite politike nuk është fokusuar në prioritetet shtetërore, por në një luftë të egër për pushtet, të cilin e lidhin me përfitime të majme materiale. Po krijohet një hendek shqetësues midis qytetarëve dhe njerëzve të politikës aktuale në Kosovë. Në një vend ku qeveritë, deri tek kjo e fundit, kanë dështuar të adresojnë problemet kronike – papunësinë, krizën politike, varfërinë, krimin dhe korrupsionin – çfarë duhet të ndodhë tjetër në këtë vend të pafat?
Ngjarjet e fundit dhe kriza e vazhdueshme politike e institucionale po rrezikojnë edhe vetë shtetësinë e Kosovës, të fituar me gjak. Strukturat qeverisëse dhe deputetët duhet të vijnë në Kuvend për të kryer punët legjislative, jo për të prodhuar zënka të pakuptimta dhe për të vazhduar një luftë të pa parime për pushtet dhe përfitime personale.
Ka ardhur vërtetë koha për guxim dhe për një qasje të re ndaj politikës – që do të thotë t’i vësh qytetarët në plan të parë dhe të zgjidhësh problemet reale me të cilat ata përballen. Pretendimi i bllokut opozitar për të ndalur proceset e filluara për sundimin e rendit dhe ligjit në çdo cep të vendit është, para së gjithash, rrënim i kulturës politike. Është rrënim i normave demokratike të sjelljes dhe rrënim i vlerave kombëtare.
Ligjet e miratuara dhe Kushtetuta janë për të mbrojtur qytetarët e Kosovës. Qytetarët e këtij vendi duan një jetë dinjitoze, krah për krah me qytetarët e vendeve të tjera të familjes euroatlantike. Tani është koha që politikanët t’i kuptojnë qytetarët dhe t’i dëgjojnë me kujdes – gjë që nuk po ndodh për shkak të arrogancës dhe rebelimit që i ka kapluar.
Mesazhi për elitën politike të këtij vendi është vërtet shumë i thjeshtë: qytetarët po ju flasin. Dëgjojini ata dhe zgjidhni problemet për të cilat ju tregojnë. Të jesh në politikë do të thotë të bësh atë që bën çdo familje çdo ditë: të zgjidhësh problemet.
Nuk kam ndërmend ta dramatizoj, por ky është një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm për vendin. Zgjedhja është: ngecje apo përparim.
Ajo që na duhet tani është një qasje e re ndaj politikës – një qasje që do të sjellë ndryshime pozitive dhe do t’u ofrojë shpresë qytetarëve të këtij vendi. Durimi i qytetarëve është i kufizuar dhe është ndryshe nga durimi i pafund i pushtetarëve, të cilët, siç ka treguar koha, janë të gatshëm të ruajnë me çdo kusht pozitat e tyre.
Qytetarët kërkojnë institucione kredibile dhe politikanë që japin rezultate konkrete. Ata që nuk ecin me kohën dhe nuk ndryshojnë mënyrën e të bërit politikë, në fakt, do t’i japin fund vetë karrierës së tyre. Kjo është zgjedhja e tyre – por nuk ka asnjë dyshim: nuk bëhet fjalë për ta, por për drejtimin që duhet të marrë vendi.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".