Pezullimi i Dialogut Strategjik është jo vetëm për Qeverinë, por edhe për tërë klasën politike

Pezullimi i Dialogut Strategjik është jo vetëm për Qeverinë, por edhe për tërë klasën politike
Pezullimi i Dialogut Strategjik është jo vetëm për Qeverinë, por edhe për tërë klasën politike

Idriz Zeqiraj

  • 19 September 2025 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Idriz Zeqiraj

Pezullimi i Dialogut Strategjik mendoj se është përtej ndëshkimit diplomatik të Qeverisë Kurti. Ky dënim është për tërë klasën politike të Kosovës dhe më gjerë për shoqërinë kosovare. Vërtet, një popull i poshtëruar dhe i sunduar nga të huajt për shekuj, dhe i përçmuar e i maltretuar gjatë gjithë shekullit XX, ka rrënjosur ndjenjën e robit, të nënshtrimit.

 

-Pas Plenumit të 4-të të LKJ, të mbajtur në ishullin Brione të Kroacisë, në vitin 1966, presidenti jugosllav Tito i "qëroi hesapet" me klanin-bandë të serbit Aleksandër Rankoviq, ministër i Brendshëm jugosllav, dhe filloi një frymëmarrje më e lirë për shqiptarët, jo vetëm në Kosovë, por edhe në republikat e tjera, ku në trojet e tyre jeton komuniteti kolektiv shqiptar. Dhe, pas denoncimit të krimeve makabre të bëra ndaj popullit shqiptar, të cilat pushteti i quante “deformime”, kam menduar se ajo kohë e zezë nuk do të kthehej më kurrë në Kosovë.

Përgjatë atij dhjetëvjeçari, Kosova avancoi me disa të drejta elementare të munguara padrejtësisht, si e drejta e përdorimit të flamurit kombëtar, hapja e Universitetit në Prishtinë, amendamentet, ndryshimet kushtetuese të vitit 1974.

Megjithatë, të shpenguar dhe të ngazëllyer nga ajo "liri" relative, edhe pse Kosova numëronte 48 mijë studentë, Serbia, nën ombrellën e jugosllavizmit, iu kthye zanatit të vjetër: burgu, dajaku, plumbi për shqiptarët. Zullumi po trashej, deri në heqjen e asaj autonomie të vitit 1974. Vetëm 10 deputetë reaguan me trimëri dhe dinjitet. Serbia e kishte "kolonën e pestë" brenda vetë Kuvendit të Kosovës, madje edhe zyrtarë të bollshëm të shkolluar, deri në thirrjen famëkeqe: “Me ndryshimet kushtetuese, heqjen e autonomisë, Kosova nuk humbet asgjë!”

Edhe sot, me polarizimet e brendshme, klasa politike është e ndarë, e përçarë – gjithnjë në dëm të Kosovës. E ngarkuara me punë e Ambasadës Amerikane, Annu Prattipati, kumtoi vendimin e administratës amerikane për pezullimin e “Dialogut Strategjik”, i cili përfshin mbrojtjen, sigurinë, mjedisin, energjinë, bashkëpunimin diplomatik e të tjera.

“Ra ky mort e u pamë”, – thotë populli kur përballja është sy më sy. Ishte nismë e mençur dhe fisnike e Presidentes unike Vjosa Osmani, që Kosova të gëzojë Dialogun Strategjik me SHBA. Por opozita kishte planet e veta sabotuese, me qëllim ndëshkimin dhe “qërimin e hesapeve” me Albin Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje. Opozita bëri koalicionin e pashpallur, madje të paligjshëm, “të gjithë kundër njëshit”, duke bllokuar zgjedhjen e institucioneve kuvendore. Në ndihmë të opozitës ishte Vuçiq me Listën Serbe të tij, Grenell dhe Hill.

Sidomos Grenell, i mësuar me konspiracione dhe me rrëzimin e Qeverisë Kurti 1, i lidhur edhe me familjen e të parit të Shtëpisë së Bardhë, ndikoi dukshëm në masën në fjalë, sepse durimi po sosej në lidershipin aktual të Kosovës, për shkak të stërzgjatjes së bllokadës kuvendore.

Mendoj se fajësia e Albin Kurtit është e hershme, me disa qëndrime të shprehura publikisht. Kulmore dhe e paqëndrueshme është të thuhet se “partneriteti me Amerikën i përket së kaluarës dhe jo të tashmes e të ardhmes!” Por, para se ta thuash këtë, duhet të kesh siguruar një partner më të mirë, më të fuqishëm sesa Amerika e sotme! Partneriteti besnik me Amerikën fillon me Presidentin Woodrow Wilson më 1915, kur Shqipëria rrezikonte ndarjen, deri në shuarje. Lakeu serbo-rus, Enver Hoxha, rrënoi miqësinë që kishte krijuar Mbreti i Shqiptarëve, Zogu i Parë.

Realisht, e gjithë e majta shqiptare, në Kosovë dhe Shqipëri, është pro Lindjes, pro Rusisë dhe kundër Perëndimit, me Amerikën në krye. PDK-AAK-NISMA, pra PAN-i, janë pjellë e LPK-së, dhe këtë e kanë dëshmuar duke protestuar kundër rrëzimit të “Murit të Berlinit”, sepse sipas tyre “po dobësohej Rusia, përkatësisht komunizmi në shkallë botërore!”

CIA, FBI dhe shërbimet e tjera informative perëndimore mund të ofrojnë e rekrutojnë agjentë nga radhët e PAN-it, të shantazhuar me dosje penalizuese, kriminale, në këmbim të lirisë së tyre, të cilët falsifikisht janë shpallur si subjekte “të djathta”! Roli i vetëm i këtyre “biçim agjentësh” është të shpifin brenda llojit, për t’i bërryluar për çështje karriere e pushteti. Duke qenë të shantazhuar me dosje penalizuese, deri në vrasje, ata aktualisht bëhen të dëgjueshëm në dëm të Atdheut. Dhe kjo ka ndodhur: duke bërë Demarkacionin me dhënie territori, nënshkruar Asociacionin, e deri te tradhtia e madhe – ndarja e Kosovës, siç bëri Hashim Thaçi me bandën e tij PAN-iste!

Lirimi i kriminelëve faktikë, qoftë serbë, malazezë, boshnjakë apo shqiptarë, nuk u bë nder shërbimeve informative të Quint-it, përfshirë SHBA. Mjerisht, kjo ka ndodhur në të kaluarën dhe mund të përsëritet edhe në të ardhmen!

Megjithëse i vonuar, Albin Kurti ka reflektuar pozitivisht në raportet me SHBA. Padyshim, ndikim pozitiv te Albini kanë pasur Vjosa Osmani, Donika Gërvalla dhe bashkëmendimtarët e tyre të subjektit GUXO, të cilët në politikë udhëhiqen nga filozofia e Presidentit Rugova, se “shtëpia nuk mbahet pa miq”.

LDK-ja, si parti e qendrës së djathtë, e ruan dhe kultivon në mënyrën më të mirë miqësinë me Amerikën, të lënë trashëgim – deri në amanet – nga Presidenti Rugova, vizionar i pashoq.Por sot, LDK-ja po shkon “si Muqa pas daive”, duke miratuar prapësitë e partive-banda të PAN-it.

Lind dyshimi: mos vallë lidershipi aktual i LDK-së është i porositur nga ndërkombëtarët – qoftë edhe nga Grenell – që t’i bashkohet fushatës së PAN-it kundër Kurtit dhe qeverisë së tij, për ta mundur atë me bllokada, deri në ndëshkimin diplomatik siç është pezullimi i Dialogut Strategjik – pa asnjë masë tjetër paraprijëse, “si rrufeja në mot të kthjellët!” Një agjent legal, madje me pagesë nga Beogradi, siç është Richard Grenell, nuk merakoset fare për dëmin që i shkaktohet Kosovës dhe popullit të saj.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".