Opozita nuk i beson Kurtit si partner institucional, ndërsa Kurti e sheh opozitën si pengesë

Opozita nuk i beson Kurtit si partner institucional, ndërsa Kurti e sheh opozitën si pengesë
Opozita nuk i beson Kurtit si partner institucional, ndërsa Kurti e sheh opozitën si pengesë

Zef Prenka

  • 01 November 2025 - 08:00

Shkruan: ANALISTI-Zef Prenka

Dështimi për formimin e Qeverisë Kurti 3 është pasqyrë e qartë e izolimit politik të Albin Kurtit dhe mospërputhjes së thellë ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe opozitës. Në thelb, ky nuk është vetëm një refuzim numerik në Kuvend, por një refuzim politik e moral ndaj mënyrës së qeverisjes që Kurti ka ndjekur gjatë dy mandateve të tij.

 

-Kurtit i mungon aftësia për të krijuar ura bashkëpunimi, pasi në vend të dialogut e kompromisit, ai ka ndërtuar një stil politik të konfrontimit dhe monopolit të së vërtetës. Kjo ka sjellë një lodhje të dukshme jo vetëm te deputetët, por edhe te qytetarët, të cilët kanë filluar ta perceptojnë atë si lider që nuk di të bashkëqeverisë, por vetëm të udhëheqë nga lart.

Në këtë kuptim, mungesa e bashkëpunimit politik është pasojë e një kulture të mungesës së besimit reciprok. Opozita nuk i beson Kurtit si partner institucional, ndërsa Kurti e sheh opozitën si pengesë, jo si mekanizëm kontrolli demokratik. Kështu, vendi hyn në një krizë të besueshmërisë politike, ku asnjëra palë nuk ka kredibilitet të plotë për të kërkuar mandatin e qytetarëve pa autokritikë. Në pamje të parë, dështimi për formimin e qeverisë duket si goditje serioze për Vetëvendosjen. Megjithatë, Albin Kurti ka shfaqur shpesh aftësi për ta kthyer humbjen në përfitim politik, duke përdorur narrativën e viktimës.

Në komunikimin e tij publik, ai e paraqet veten si lider që pengohet nga establishmenti, opozita e vjetër dhe interesat e jashtme, çka e ndihmon të ruajë emocionin e përkrahjes qytetare. Nëse ai arrin ta mbajë këtë narrativë gjallë, zgjedhjet e reja mund të shërbejnë si instrument për rigjenerim të legjitimitetit, jo si humbje.

Megjithatë, duhet theksuar se terreni politik nuk është më ai i vitit 2021. Sot ekziston një lodhje e brendshme në Vetëvendosje, një zbehje e entuziazmit qytetar dhe një kritikë e qartë ndaj mungesës së rezultateve në ekonomi, sundim të ligjit dhe dialog me Serbinë. Prandaj, nëse kjo “strategji” e Kurtit për të shkuar në zgjedhje është e qëllimshme, ajo bart rrezikun e kundërefektit, sepse qytetarët mund ta shohin si lojë taktike për pushtet, jo si reflektim politik

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".