Kurti po tenton të rikonstruktojë figurën e tij si menaxher i ndershëm i parave publike

Kurti po tenton të rikonstruktojë figurën e tij si menaxher i ndershëm i parave publike
Kurti po tenton të rikonstruktojë figurën e tij si menaxher i ndershëm i parave publike

Zef Prenka

  • 08 November 2025 - 08:01

Shkruan: ANALISTI-Zef Prenka

Deklarata e Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, në prag të balotazhit të zgjedhjeve lokale, ku ai thotë se “nuk do t’i japë buxhetin e shtetit kryetarëve që nuk dinë të punojnë ose që janë të përfshirë në vjedhje”, nuk është thjesht një mesazh moralist. Ajo është një formulë politike me dy funksione strategjike:

 

1.Rikthimi i besimit të elektoratit që po i lëkundet, dhe

2.Vendosja e një narrative mbrojtëse përballë dështimeve të qeverisë në nivelin lokal dhe qendror.

Kurti, përmes këtij mesazhi, tenton të rikonstruktojë figurën e tij si “menaxher i ndershëm i parave publike”. Por në thelb, ky është një diskurs i dizajnuar për ta ringjallur emocionin e zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021, kur ai fitoi mbi bazën e revoltës popullore ndaj korrupsionit dhe papërgjegjësisë.

Sot, megjithatë, realiteti është tjetër. Qeveria Kurti nuk ka më atë nivel të besimit absolut. Ka lodhje elektorale, rritje të kritikave ndaj centralizimit të pushtetit, dhe zhgënjim të ndjeshëm në administratën lokale, ku Vetëvendosje nuk ka arritur ta shfaqë “modelin e qeverisjes së re”.

Prandaj, mesazhi “nuk jap buxhet për ata që nuk dinë apo vjedhin” nuk është vetëm paralajmërim është tentativë për polarizim: ta vendosë veten si simbol të “pastërtisë morale”, dhe kundërshtarët si përfaqësues të “vjetër, të korruptuar”.

Kurti kërkon nga qytetarët që të mos i votojnë ata që “nuk dinë e nuk duan punën”, duke i orientuar drejt përzgjedhjes morale, jo vetëm politike.

Kjo është një strategji klasike mobilizuese për balotazh, ku përqindjet e daljes janë zakonisht të ulëta. Me këtë gjuhë, Kurti përpiqet të zgjojë ndjenjën e përgjegjësisë te votuesit e vet pasivë, duke ua servirur zgjedhjet si test mes “të drejtës dhe të padrejtës”, jo mes partive.

Por në thelb, kjo kërkesë për “votë kundër bllokimeve e prapaskenave” është një kod politik për zgjedhjet e ardhshme nacionale. Ai po e përgatit terrenin e opinionit publik për t’u paraqitur si “lideri që lufton të korruptuarit lokalë dhe klanet që bllokojnë shtetin”, në rast se Kosova hyn në zgjedhje të jashtëzakonshme në vitin 2026.

Në realitet, buxheti i shtetit është instrument institucional, jo personal i kryeministrit. Ai nuk mund të përdoret si mjet ndëshkimi politik ndaj komunave që drejtohen nga kundërshtarë. Por në fushatë, kjo gjuhë e “moralit të punës” është efektive, sepse frymëzon, ndez emocionin dhe kujton iluzionin e vitit 2021 – atëherë kur shumëkush besonte se ndryshimi po vinte.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".