Balotazhin në Kosovë nuk e 'vrasin' lodhja e zhgënjimi i qytetarëve, por 'pazaret' e politikës!

Balotazhin në Kosovë nuk e 'vrasin' lodhja e zhgënjimi i qytetarëve, por 'pazaret' e politikës!
Balotazhin në Kosovë nuk e 'vrasin' lodhja e zhgënjimi i qytetarëve, por 'pazaret' e politikës!

Fadil Maloku

  • 09 November 2025 - 11:26

Nga Fadil Maloku

Nga përvoja e zgjedhjeve të pasluftës, si një demokraci në ngritje, kam vërejtur një fenomen interesant: rënien e daljes në votim, sidomos kur bëhet fjalë për raundin e dytë – balotazhin!
Për vendet me traditë të gjatë demokratike, e kam përgjigjen, sepse ka mjaft studime që e shpjegojnë këtë dukuri. Por për përvojën tonë, në mungesë të këtyre studimeve, më duhet të shërbehem me hipoteza dhe ta shpjegoj këtë dalje të ulët përmes disa faktorëve sociologjikë, si: faktori i zhgënjimit politik ndaj sistemit dhe elitave të konsumuara; mungesa e një gare fair play midis kundërkandidatëve; si dhe faktori i lodhjes politike dhe i indiferencës publike që krijon raundi i dytë, kur nuk votohet për të preferuarin.

Të shkojmë me radhë.
1. Zhgënjimi dhe mosbesimi ndaj sistemit politik dhe elitave janë një kriter e një parametër matës që, në “vija të trasha”, na ndihmojnë të kuptojmë si nivelin e emancipimit politik të votuesve, ashtu edhe perceptimin që ata krijojnë në ndërkohë për partinë dhe kandidatin. Kjo klimë mosbesimi – do shtoja edhe me doza frustrimi – manifestohet përmes daljes së ulët në zgjedhje, sidomos kur votuesit e tipit militant nuk e shohin kandidatin e tyre në balotazh. Ndjesia e mospërfaqësimit në këtë fazë, sepse vota e tyre nuk i adresohet as kandidatit, as partisë që ka humbur në raundin e parë, krijon një perceptim për pafuqinë që të ndikojnë në rezultatin përfundimtar të balotazhit.
2. Një tjetër faktor, po ashtu i rëndësishëm, në gjithë “odisejadën” e uljes së daljes në raundin e dytë, është mungesa e një gare të gjerë dhe fair play midis kundërkandidatëve që nuk i takojnë preferencave të votuesit potencial. Kjo bën që balotazhi të mos perceptohet si garë ku reflektohet vullneti qytetar, por si një proces i “pazareve politike” dhe manipulimeve të hapura ndërmjet subjekteve garuese. Natyrisht, një perceptim i tillë subjektiv ndikon negativisht në legjitimitetin e procesit dhe ul entuziazmin e votuesve për pjesëmarrje masive.
3. Faktori i lodhjes politike dhe i indiferencës publike, që e krijon raundi i dytë kur nuk votohet për kandidatin e preferuar, padyshim që luan një rol të madh në uljen e daljes në zgjedhje. Kjo ndodh edhe për shkak të lodhjes që sjell mungesa e një fushate mobilizuese të balotazhit, e cila do të rriste interesimin dhe entuziazmin qytetar. Përveç që i bën këta votues apatikë dhe pasivë, kjo situatë i kthen ata edhe në “prognozues të denjë” të rezultatit final. Pra, mungesa e një presioni të theksuar publik dhe e një mobilizimi të strukturuar e vë edhe votuesin militant, por edhe atë të arsyeshëm, në “shtratin e Prokrustit”, duke e lënë në dilemë pse duhet të dalë të votojë, kur nuk ka preferenca të qarta parazgjedhore.

P.S. Sido që të jetë diapazoni i interesimit apo edhe kureshtjes për balotazhin, unë gjykoj dhe këshilloj që, pavarësisht zhgënjimit, lodhjes dhe mungesës së një gare dinamike për Juve votuesve, NESËR DILNI E VOTONI, në mos për kandidatet e partitë politike, të paktën do votoni për shtetin e Kosovës...

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".