Çfarë mësuam nga zgjedhjet lokale në Kosovë?!

Çfarë mësuam nga zgjedhjet lokale në Kosovë?!
Çfarë mësuam nga zgjedhjet lokale në Kosovë?!

Ismail Muçiqi

  • 11 November 2025 - 15:38

Shkruan: Ismail Muqiqi

Zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë dëshmuan se qytetarët tanë kanë vetëdije të lartë demokratike dhe kulturë politike të mjaftueshme për të kontribuar në interes të shtetit dhe demokracisë. Merita i takon popullit, i cili votoi me përgjegjësi dhe ndërgjegje, e jo me hile e kalkulime partiake. Këto zgjedhje treguan qartë se qytetarët po distancohen nga qëndrimet e liderëve partiakë, duke u rreshtuar më shumë pas kandidatëve të merituar për kryetarë komunash.

Kot u përpoqën të shfaqeshin e të imponoheshin liderët e partive politike, të cilët me bllokimin e institucioneve shtetërore i kanë bërë më shumë dëm partisë dhe strukturave të tyre, sesa që kanë arritur t’i motivojnë qytetarët të votojnë në interesin e tyre. Lidhja Demokratike e Kosovës, bashkë me tri koalicione të tjera, mezi arriti ta fitojë Komunën e Prishtinës, si pasojë e dështimeve të njëpasnjëshme të kryetarit Përparim Rama, i cili aksidentalisht, duke shfrytëzuar kaosin dhe përçarjet në skenën politike, arriti të rizgjidhet në krye të kryeqytetit. Rama i mori shumicën e votave nga elektorati i Prishtinës, përkatësisht nga votuesit e Llapit dhe Gollakut – pjesë e elektoratit që ende jeton me mendësinë e kohës së Presidentit historik Ibrahim Rugova. Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje arriti t’i fitojë shtatë komuna, duke dëshmuar fuqinë e saj politike e elektorale në shumë rajone. Veçanërisht, ajo tregoi forcën e vërtetë në Prishtinë, duke u shfaqur si forcë politike e konsoliduar dhe me mbështetje të gjerë qytetare. Partia Demokratike e Kosovës, nga ana tjetër, po përballet me probleme të brendshme strukturore, e mbi të gjitha me mungesën e lideri të vërtetë që nuk e ka. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ndërkohë, arriti t’i mbajë komunat e Dukagjinit, falë kandidatëve që gëzojnë respekt dhe autoritet lokal – jo për shkak të partisë, por për shkak të personalitetit dhe veprimtarisë së tyre në shërbim të qytetarëve.

Është me interes të theksohet se Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrit Albin Kurti, në mënyrë të vazhdueshme, u janë rritur përqindjet e mbështetjes edhe për shkak të disa mediave private dhe “analistëve” të vetëshpallur, të cilët me gjuhë denigruese, me urrejtje patologjike dhe me hile të ndryshme, janë përpjekur t’i dëmtojnë ata. Por si gjithmonë, populli është ai që gjykon drejt: reagoi ndaj këtyre strukturave televizive dhe mediatike, duke votuar edhe më shumë për kandidatët e Vetëvendosjes. Prandaj, zgjedhjet e sapopërfunduara dhanë një mesazh të qartë dhe pozitiv: populli nuk i duron më përçarjet, inatet, shpifjet e akuzat e pavërteta që e kanë bombarduar opinionin publik përmes portaleve dhe mediave të ashtuquajtura “informative”, të cilat shpesh janë themeluar nga grupe të interesit dhe struktura mafioze për mbrojtjen e interesave të tyre ekonomike e financiare. Këto media e grupe, përmes formave të ndryshme korruptive e kriminale, kanë dëmtuar jo vetëm ekonominë e Kosovës, por edhe unitetin dhe stabilitetin shoqëror të vendit. Andaj në fund më thotë mendja nëse shpallën zgjedhjet e jashtëzakonshme nacionale populli tani më e ka kuptuar situatën aktuale dhe krizën që është ndërtuar nga interesat e politikës për pushtet dhe tani është në gjendje të rezenoj, të mendoj dhe ta shpreh pavarësinë duke u përcaktuar për kandidatët për deputetë të Parlamentit të Kosovës, jashtë interesit partiak.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".