Në zgjedhjet e 28 dhjetorit, emrat e kandidatëve vijnë nga rrethi i afërt i kryetarëve por ka dhe parashutistë pa merita

Në zgjedhjet e 28 dhjetorit, emrat e kandidatëve vijnë nga rrethi i afërt i kryetarëve por ka dhe parashutistë pa merita
Në zgjedhjet e 28 dhjetorit, emrat e kandidatëve vijnë nga rrethi i afërt i kryetarëve por ka dhe parashutistë pa merita

Gani Qarri

  • 10 December 2025 - 07:40

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

Derisa me gjithë pretendimet publike se çdo emër në listat e të përzgjedhurve për deputet qëndron mbi vlerat dhe integritetin e kandidatit, gjoja të bazuara edhe në “besimin për shërbim ndaj qytetarëve”, partitë politike të cilat edhe aktualisht garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit për 120 vende në Kuvendin e Kosovës, po dëshmojnë publikisht qëndrime pothuajse të njëjta dhe i kanë hyrë garës kryesisht me përbërjen e vjetër të gardave të tyre të inkriminuara, të cilat lanë vendin pa institucione, pa buxhet të miratuar dhe pa marrëveshje të votuara ndërkombëtare, duke kërcënuar funksionalitetin e shtetit, shkaktimin e problemeve sociale, si dhe humbjen e qindra miliona eurove të ndara nga BE dhe Banka Botërore për Kosovën. Ndaj, votues i nderuar i Kosovës, kujdes maksimal se kujt do t’ia besoni votën kësaj radhe, në mënyrë që të mos përsëritet ngërçi i paprecedent politik dhe bllokada e turpshme mbi 9-mujore kundër krijimit të Qeverisë legjitime dhe institucioneve të shtetit të Kosovës!

-Përndryshe, edhe në garën aktuale të subjekteve politike pjesëmarrëse në zgjedhjet e 28 dhjetorit, emrat kryesorë të kandidatëve për deputet shihet se vijnë nga rrethi i afërt i kryetarëve të partive dhe njerëzve të preferuar prej tyre, apo edhe parashutistë pa merita, të katapultuar nga jashtë, e jo njerëz të dëshmuar me merita dhe të emëruar nga baza e gjerë e partisë, për të cilët çështje me prioritet mbetet sigurimi i mandatit të deputetit e jo forcimi i shtetit dhe avancimi i subjektit në emër të të cilit (padrejtësisht) garojnë.

Andaj, tashmë kur edhe zyrtarisht është tërhequr shorti dhe në listat e dorëzuara të kandidatëve për deputet për zgjedhjet e 28 dhjetorit mbizotërojnë vendimet e kryetarëve të partive politike, të cilët e kanë fjalën kryesore në përzgjedhjen e emrave të propozuar sipas pëlqimit të vet personal, premtimi i Albin Kurtit për një “fitore edhe më të madhe” me numrin 116 duhet të bëjë dallim nga të tjerët, dhe në zgjedhjet e radhës të shoqërohet me kandidatë seriozë e të besueshëm dhe me mbështetje të fortë nga votuesi. Ndryshe, siç dihet mirëfilli, në asnjë palë zgjedhje nuk mjaftojnë vetëm indiciet as sinjalet e vetëbesimit politik pa sigurimin edhe të një mbështetje solide me mobilizim të mirëfilltë të elektoratit në vend.

E njëjta vlen edhe për Bedri Hamzën, ngase nuk mund të merret si i mirëqenë vetëm numri 130, që është vetëm një numër rendor dhe nuk përbën kurrfarë shifre magjike që siguron fitoren apriori, as nuk mund ta garantojë stabilitetin, derisa siç dihet PDK-së, pikësëpari i mungon edhe stabiliteti i brendshëm partiak. Andaj, duke njohur kapacitetet aktuale të partisë në fjalë, e gjithë kjo është vetëm retorikë dhe shenjë frike e PDK-së, për të fshehur mungesën e prurjeve të reja e emrave domethënës në parti dhe pamundësinë që ta sfidojë seriozisht në zgjedhje Vetëvendosjen.

Ndërsa sa i takon LDK-së, ajo qëndron edhe shumë më keq se dy partitë tjera në prag të këtyre zgjedhjeve, e cila përkundër propagandës boshe për “listë me vlera dhe integritet”, Lumir Abdixhiku në listën e kandidatëve për deputet ka përfshirë edhe figura me të kaluar të dyshimtë për pjesëmarrje në krim të organizuar, të përcjella me procese të gjata gjyqësore deri para një muaji, nga të cilët jo vetëm që nuk mund të priten vlera as integritet, por përkundrazi LDK me kandidatë të tillë do të pësojë edhe çintegritet dhe dëmtohet rëndë në zgjedhjet e reja.

Për aq më tepër, përrallat e AAK-së për “përfaqësues të guximshëm” jo vetëm se janë narrativa irreale dhe strategji fiktive e tërësisht jopërmbajtjesore, për të kompensuar hendekun e thellë e të patejkalueshëm që e ndanë nga pragu zgjedhor kësaj partie minore, por në ballafaqim me partitë kryesore në garën e 28 dhjetorit ajo realisht pritet edhe të pensionohet përfundimisht nga politika parlamentare.

Deri më tani pothuajse asnjë parti nuk ka arritur të ofrojë një listë aq të përkryer e ideale të kandidatëve për deputet dhe atyre që vërtet na kanë bindur se besojnë në shtet, në ligj e në meritë dhe në të ardhmen euroatlantike të Kosovës, që mund të shihej apo konsiderohej edhe si lista e të ardhmes sonë, derisa të njëjtat parti dhe deputetë, për gati një vit të tërë, lanë vendin pa qeveri legjitime, pa buxhet të miratuar dhe pa marrëveshje të votuara ndërkombëtare, duke kërcënuar funksionalitetin e shtetit dhe shkaktuar probleme sociale, si dhe rrezikuar humbjen e qindra miliona eurove të ndara nga BE dhe Banka Botërore për Kosovën.

Andaj sot në Kosovë asnjë parti nuk mund të pretendojë se kanë njerëz të përkushtuar 100% për shtetin, profesionistë të dëshmuar për zhvillimin e vendit, as aktivistë të palodhur që meritojnë besimin e plotë të qytetarëve për përgjegjësi, derisa për më tepër se 9 muaj me radhë po këta njerëz ia zunë frymën shtetit të Kosovës, penguan ndërtimin e institucioneve shtetërore dhe dëmtuan rëndë imazhin politik, rrënuan ekonominë, shkatërruan arsimin e kërcënuan qëllimisht paqen sociale, rrezikuan funksionalitetin e shtetit dhe vunë në pikëpyetje edhe sigurinë e Republikës së Kosovës.

Kështu që derisa partitë e tilla politike bllokojnë qëllimisht vendin për gati një vit me ngërç politik dhe akuzojnë njëra-tjetrën për mungesë projektesh, por nuk paraqesin as vetë asnjë program për arsimin, shëndetësinë, zhvillimin ekonomik as për perspektivën dhe të ardhmen politike të shtetit të Kosovës, të tillët nuk mund të quhen njerëz që i qëndrojnë vendit në krah, por janë kllounë politikë që në asnjë rast as rrethanë nuk ia duan të mirën këtij vendi as qytetarëve të Kosovës, e që Kosova dhe qytetarët e saj më së pakti kanë nevojë për njerëz me guxim kaq negativ e kllounë kaq të pakompromis në kërcënimin publik të interesit e jetesës së qytetarëve, si dhe rrezikimin e hapur të shtetit dhe të Republikës së Kosovës. Me një fjalë, figura të njohura për të kaluar të dyshimtë, të mbarsur me akte të rënda kundërligjore dhe të përcjellë me procese të gjata gjyqësore, që dëmtojnë pariparueshëm perspektivën e vendit, zbehin vullnetin e qytetarëve për pjesëmarrje në zgjedhje dhe shkatërrojnë imazhin e shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, nuk i duhen më këtij vendi.

Dhe për rrjedhojë, me gjithë pretendimet publike se çdo emër në listat e të përzgjedhur për deputet qëndron mbi vlerat dhe integritetin e kandidatit, gjoja të bazuara në “besimin për shërbim ndaj qytetarëve”, partitë politike të cilat edhe aktualisht garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit për 120 vende në Kuvendin e Kosovës po dëshmojnë qëndrime pothuajse të njëjta dhe i kanë hyrë garës kryesisht me përbërjen e vjetër të gardave të tyre të inkriminuara të cilat lanë vendin edhe pa buxhet të miratuar dhe pa marrëveshje të votuara ndërkombëtare, duke kërcënuar funksionalitetin e shtetit, shkaktimin e problemeve sociale, si dhe duke rrezikuar qëllimisht humbjen e qindra miliona eurove të ndara nga BE dhe Banka Botërore për Kosovën. Ndaj, votues i nderuar i Kosovës, kujdes maksimal kujt do t’ia besoni votën kësaj radhe, në mënyrë që të mos përsëritet ngërçi i njohur politik dhe bllokada e turpshme mbi 9-mujore kundër krijimit të Qeverisë dhe institucioneve legjitime të shtetit të Kosovës!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".