
Lexoni edhe:
Në zgjedhjet e 28 dhjetorit, emrat e kandidatëve vijnë nga rrethi i afërt i kryetarëve por ka dhe parashutistë pa merita
Shkruan: ANALISTI-Skender Mulliqi
Pas një mjegulle të errët politike që zbriti mbi Kosovën, të shpresojmë se pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit do të gjendet një solucion politik për të formuar organet e shtetit. Pse e them këtë? Mendoj se premtimet e tre liderëve të LVV, PDK dhe LDK nuk përputhen me gjendjen reale, më shumë shkojnë në kuadër të premtimeve elektorale.
-Në bazë të zhvillimeve të deritashme politike shumë negative, me përplasje të mëdha, me zënka të papërgjegjshme dhe të pamoralshme politikisht, duke bërë lojë me qytetarë dhe me Kosovën, nuk mendoj që do të ketë dalje të madhe në zgjedhje. Kjo do të ndikojë negativisht tek njerëzit, sepse janë demoralizuar nga kjo klasë politike, e cila luftën e madhe e ka përqendruar për pushtet më shumë se për shtet.
E pamë se dalja në votime ishte e vogël në krahasim me ata që kanë të drejtë vote, në zgjedhjet e sapombaruara lokale. Numrat e përcaktuar nga KQZ për partitë politike nuk i ndihmojnë në vota; kjo është më shumë propagandë sesa lidhet me gjendjen reale, sepse gjithçka që pamë për këta muaj nuk kishte të bënte fare me realitetin dhe as nuk kishte asnjë lidhje me atë për çka deputetët i morën votat.
Qytetarët, ata që kanë dalë në votime, kanë menduar për seriozitetin e partive politike si bartëse të pushtetit për shumë kohë, e jo të bëhen lojëra të tilla të ndyta politike që nuk u shërbyen për asgjë të mirë qytetarëve dhe Kosovës. Edhe prurjet e reja të partive në listat për kuvendarë nuk janë shumë premtuese për të freskuar skenën politike. Është dashur të futen në lista për deputet figura të reja politike, me shumë kuadro akademike dhe profesorë të fakulteteve, të cilët kanë kapacitete intelektuale dhe që janë më të besueshëm për qytetarë për ndryshime përmbajtësore.
Mendoj se nuk do të kemi fitues absolut as në këto zgjedhje, dhe se do të nevojitet një koalicion më i gjerë, apo një koalicion për të arritur kuotën e votave për të formuar qeverinë e re. Gjendja, pas gjithë asaj që kemi parë deri më tash, nuk ngjall shumë optimizëm, por kësaj radhe presioni nga bashkësia ndërkombëtare që Kosova të mos mbetet në kaos politik dhe institucional do të jetë ndoshta vendimtar, edhe pse deri më tash kanë heshtur.
Çdo pritje e gjatë duhet të ketë një përfundim fatlum. Të shpresojmë të gjithë se do të gjendet një gjuhë e përbashkët politike që më në fund të fillojnë punët për se mbari. Ne e kemi fituar shtetin pas një kohe të gjatë okupimi nga Serbia dhe e kemi fituar shtetin me gjakun e shumë martirëve dhe dëshmorëve të kombit, dhe nuk besoj, tek e fundit, që populli do të lejojë në pakufi lojëra të ulëta politike në kurriz të shtetit.
Edhe lufta e ndërrimit të gjeneratave në politikë dhe lufta ideologjike të marrë fund, sepse në pyetje është e ardhmja jonë si shtet dhe si komb në Ballkan. Kosova, për shkak të tekeve politike të kujtdo qoftë ai, nuk guxon ta vërë në pikëpyetje shtetësinë e saj. Lufta për pushtet të ndërpritet një herë e përgjithmonë.
Qytetarëve, të shprehem ashtu, nuk u duhen shkopinjtë e tillë politikë që i përjetuan. Shkopinjtë u përdorën si mjet edukativ i partive për të shpëtuar “demokracinë” e tyre. Të gjithë e dimë se politikat shumëvjeçare të kuadrove të partive të caktuara në të gjitha pozicionet e rëndësishme ishin të zhytura në korrupsion.
Meqenëse partitë e forta fitojnë ende zgjedhje në vendin tonë, imagjinoni zhgënjimet dhe pritjet e qytetarëve që i përjetuan. Kjo praktikë hileqare dhe e dëmshme është dashur më në fund të ndërpritet.
Të gjitha mundësitë pas 28 dhjetorit janë për ndryshime pozitive, nëse ekziston dëshira dhe vullneti i përbashkët…
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".