Mekuli: Fjala, fotografia dhe kallashnikovi janë armë të fuqishme, andaj kujdes, mos luaj e mos i keqpërdor ato!
Gezim Mekuli
Nga Gëzim Mekuli
Manipulimi si mjet politik: rreziku i ri për hapësirën shqiptare
Shfaqja e fotografisë së manipuluar të Presidentes së Kosovës, një produkt i inteligjencës artificiale që e paraqet znj. Osmani pranë figurave të larta politike serbe, nuk është një incident i izoluar. Ky është një sinjal i qartë i mënyrës se si teknologjia e re po përdoret për operacione psikologjike, propagandistike, për destabilizim dhe për të fabrikuar realitete të rreme në hapësirën shqiptare.
Rasti është simptomë e një strategjie më të gjerë: përdorim i mjeteve teknologjike për të minuar besimin publik, për të delegjitimuar institucionet e Kosovës dhe për të krijuar turbullira politike të kontrolluara nga Serbia.
Kjo është arsyeja pse duhet ta shohim këtë manipulim jo si "rast të izoluar" , por si pjesë të një tradite të vjetër propagandistike serbe, të modernizuar me teknologjitë e inteligjencës artificiale.
Sa për kujtesë: që në vitin 1909, Dimitrije Tucoviqi shkruante: “Shqipëria është plot me agjentë dhe misionarë të këtyre shteteve, që po japin shuma të mëdha për blerjen e parisë e të bajraktarëve… Në 20 deri 30 vjetët e fundit në këto vise nuk qe asnjë lëvizje që nuk ishte në lidhje me planet politike të këtyre fuqive të huaja… Rëndësia e saj nuk është në fushën ekonomike, por strategjike dhe politike…”
Nëse ky tekst nuk do të kishte datë, kushdo që e lexon sot do të mendonte se flet për vitin 2025.
Kur lexojmë këtë shkrim mbi 100 vjet më vonë, kuptojmë se mjetet kanë ndryshuar, por logjika e ndikimit gjeopolitik serb ka mbetur e njëjtë. Atëherë veprohej me gazeta, agjentë dhe para për të blerë «parinë dhe bajraktarët»; sot veprohet me televizione, portale, rrjete sociale dhe produkte të AI-së.
Fotografia e manipuluar e Presidentes është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj shtetit të Kosovës
E thash edhe më sipër se qarkullimi i fotografisë së manipuluar të Presidentes së Kosovës, Osmani, ku ajo paraqitej pranë Vuçiçit dhe Brnabiqit, nuk është as hajgare, as montazh i padëmshëm, as lojë e rrjeteve sociale. Është një operacion propagandistik i mirë-koordinuar serb, i cili synon të godasë tre shtylla thelbësore:
1. Besimin ndaj institucioneve
Fotomontazhi nuk synon fytyrën e Presidentes; synon besimin e publikut, duke sugjeruar se udhëheqja është e infiltruar, e lidhur me Serbinë ose po bëjnë tradhti kombëtare. Këtu edhe fillon erozioni i rendit politik.
2. Stabilitetin e brendshëm
Në një shoqëri të polarizuar nga mediat helmuese, një fotografi e rreme ndez polemika, krijon tensione dhe ushqen dyshime. Serbia e di fort mirë se destabilizimi politik i Kosovës nuk fillon me tanke, por me media, fotografi dhe fjalë të rreme, apo jo?
3. Perceptimin ndërkombëtar
Një gjë duhet ta dimë; edhe kur dezinformimi demaskohet, dëmi fillestar mbetet: krijon dyshime në qarqe diplomatike dhe zbeh imazhin e lidershipit të Kosovës.
E ky marifet nuk është i ri; Serbia ka traditë shekullore të përdorimit të propagandës për të krijuar realitete të rreme. Nga “Naçertania” e Ilija Garashaninit te makineria e Millosheviqit, dezinformimi ka qenë arma kryesore e tyre. Sot kjo armë ka evoluar në formën e deepfake, fotografive të përpunuara nga IA dhe mediave të kontrolluara nga Serbia.
Në kornizën e teorive të medias, ky fenomen është i qartë. Neil Postman do ta quante këtë “dominimi i spektaklit mbi arsyen”: fotografia e rreme është një instrument vizual që anashkalon logjikën dhe i drejtohet emocionit të pastër. Mos të harrojmë se çdo fotografi mbart një politikë përfaqësimi; në këtë rast, politika është e thjeshtë; të krijohet një narrativë që e paraqet udhëheqësinë e Kosovës si të afërt me Serbinë, si të paqëndrueshme, ose si të gatshme për kompromise të fshehta e të dëmshme për Kosovën. Prandaj ne si konsumues të lajmeve duhet të vërejmë menjëherë filtrat e propagandës: kush e prodhon këtë fotografi? Kush e shpërndan? Dhe për interesin e kujt?
Historia na ka dhënë shembuj brutalë të këtyre mekanizmave propagandistik. Që nga Goebbels-i i Reich-ut hitlerian, i cili ndërtoi realitete të rreme përmes propagandës së centralizuar, e deri te aparati mediatik i Milosheviqit në vitet ’90, propaganda ka qenë mjeti më efektiv për ta shtyrë publikun drejt frikës, urrejtjes dhe gjenocidit.
Sot, Serbia vepron me mjete më të sofistikuara, por me të njëjtat synime: të modelojë perceptimin serb në rajon, të dobësojë kohezionin politik shqiptar dhe të ngjallë dyshime për çdo institucion që i kundërvihet interesave të saj.
Nuk është rastësi që fushatat e tilla synojnë elitën politike të Kosovës. Çdo sulm pamor i fabrikuar është sulm ndaj vetë legjitimitetit shtetëror të Kosovës.
Për fat të keq, një pjesë e madhe e mediave shqiptare bien pre e këtij manipulimi: jo gjithmonë për qëllime të këqija, por për shkak të mungesës së verifikimit të lajmit, garës për klikime dhe ndikimeve të jashtme ekonomike. Një fotografi e rreme, e botuar pa verifikim, bëhet fakt për lexuesin. Kështu fillon përçarja. Dhe pikërisht këtu qëndron rreziku strategjik për hapësirën shqiptare: kemi hyrë në epokën kur realiteti nuk deformohet më vetëm me fjalë, por edhe me fotografi që duken të besueshme, të natyrshme dhe të padallueshme nga e vërteta.
Prandaj nëse nuk kemi edukim mediatik dhe kundër-propagandë, atëherë shqiptarët rrezikojnë të bien në kurthën e së njëjtës makineri që dikur përdori Milosheviqi. Kjo nuk është thjesht çështje gazetarie. Është çështje sigurie kombëtare.
Dhe është koha që hapësira shqiptare ta kuptojë se lufta informative nuk është më abstraksion; ajo është këtu, konkrete, teknologjikisht e sofistikuar, dhe e drejtuar me qëllim të qartë nga struktura të interesuara që e kanë dëshmuar historikisht synimin për ta kontrolluar, pushtuar apo destabilizuar kombin shqiptar si politkë.
Përballë kësaj propagande të egër, heshtja jonë është luks. Kritika, transparenca dhe vigjilenca janë domosdoshmëri. Nëse e lëmë realitetin shqiptar të fabrikuohet nga të tjerët, atëherë humbja nuk është sall politike, por shoqërore dhe historike. Shqipëria, Kosova dhe mbarë hapësira shqiptare duhet ta kuptojnë se beteja e sotme nuk zhvillohet vetëm në terren, por në fotografi, në perceptim dhe në mendjen e qytetarit.
Dhe pyetja që duhet ta bëjmë ne shqiptarët sot, ndoshta pyetja më e rëndësishme, është kjo:
Si ka mundësi që, 115 vjet pas paralajmërimit të Tucoviqit, Shqipëria dhe Kosova sërish bien pre e të njëjtave mekanizma propagandistikë, të Serbisë dhe të të huajve, por kësaj radhe në version digjital dhe më të rrezikshëm se kurrë?
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".
