
Lexoni edhe:
Për zgjedhjen e Presidentit nevojiten 80 vota dhe këto vota nuk mund të arrihen pa një marrëveshje politike
Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri
Nëse nuk arrihet një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit/es deri në afatin e paraparë të muajit mars 2026, post për të cilin presidentja e vendit, Dr. Vjosa Osmani, ka shprehur publikisht synimin edhe për një mandat tjetër, pasi që mandati i parë i saj përfundon në pranverë të vitit 2026, atëherë gjendja e krijuar mund të çojë sërish në zgjedhje të parakohshme, akt që do të ndikonte mjaft negativisht në prishjen e imazhit të vendit në arenën ndërkombëtare dhe mund të shkaktonte edhe destabilitet të brendshëm politik të Kosovës.
-Duke pasur parasysh angazhimin e pareshtur dhe sukseset brilante të përfaqësimit të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare, nuk besoj se cilado parti politike ka arsye reale ta kundërshtojë rizgjedhjen e një presidenteje kaq të dëshmuar dhe të jashtëzakonshme në politikën e jashtme si Dr. Vjosa Osmani, e cila brenda një viti i ka sjellë vendit katër njohje të reja, ka forcuar subjektivitetin ndërkombëtar të shtetit tonë dhe ka arritur të ruajë në mënyrë shembullore baraspeshën politike të Kosovës, duke kultivuar marrëdhënie të shkëlqyera me NATO-n dhe vetë presidentin e SHBA-ve, Donald Trump, por edhe me Gjermaninë, si dhe me Shefen e BE-së, Ursula von der Leyen, në bisedimet me të cilën, në çastet e fundit, arriti t’ia heqë Kosovës edhe masat e BE-së.
Kështu që është jo vetëm e arsyeshme, por edhe e nevojshme që të arrihet shumica prej 80 votash, qoftë edhe me marrëveshje politike, për ta rizgjedhur Dr. Vjosa Osmanin edhe për një mandat, në vend të një presidenti/eje të papërvojë për përfaqësimin dhe prezantimin e vendit në politikën e jashtme, pa marrë parasysh rezultatet e zgjedhjeve dhe ndarjen e mandateve në Kuvend, derisa ekziston mundësia që presidentja Osmani të arrijë një dakordim mirëkuptues edhe me partitë e tjera për të siguruar një mandat të dytë, kur dihet mirëfilli se pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit janë zbutur qëndrimet politike të të gjitha partive dhe nuk duket të ketë më ndasi aq të thella ndërmjet segmenteve pjesëmarrëse në Kuvendin e Kosovës.
Për më tepër, nëse vijon të vlejë vendimi i Gjykatës Kushtetuese edhe për rastin e zgjedhjes së presidentit/es, i nxjerrë me rastin e ngërçit politik, se deputetët janë të obliguar të qëndrojnë në seancën e Kuvendit, atëherë ekziston mundësia që në raundin e tretë të votimit presidenti/ja të zgjidhet edhe me 61 vota, të cilat mund të sigurohen shumë lehtë nga partia Vetëvendosje dhe minoritetet joserbe, që rëndom kanë bashkëvepruar dhe, në rast nevoje, edhe bashkëvotuar me partinë qeverisëse të vendit.
Gjithsesi, siç është shprehur edhe vetë Presidentja e vendit, mbetet në vullnetin e deputetëve të vendosin nëse do ta përkrahin apo jo që ajo të vazhdojë me punët e mira për vendin, avancimin dhe forcimin e shtetësisë në arenën ndërkombëtare, si dhe mbrojtjen e interesave të qytetarëve. E nëse partitë nuk e votojnë Dr. Vjosa Osmanin që të jetë edhe për një mandat presidente e vendit, atëherë, siç ka thënë ajo, do t’i kthehet politikës dhe, njëjtë si partitë e tjera, do ta provojë besimin qytetar në zgjedhjet e radhës, me ballafaqimin e ideve, nocioneve dhe qëndrimeve, duke vazhduar punën me plot energji nëpërmjet angazhimit politik për të mirën e vendit dhe qytetarëve të Kosovës.
“Por qëllimi im është që të vazhdoj të jem e angazhuar politikisht dhe ta ndihmoj Republikën e Kosovës që të ecë përpara”, ka deklaruar presidentja Osmani. Siç dihet, mandati i presidentes Dr. Vjosa Osmani përfundon më 4 prill të vitit 2026, ndaj sipas Kushtetutës së Kosovës, një president i ri duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit aktual, që do të thotë deri më 4 mars 2026.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se e kanë parë deklarimin e presidentes, por se së pari janë tre hapa përpara: konstituimi i Kuvendit dhe i Qeverisë, si dhe miratimi i buxhetit të shtetit për vitin 2026. Andaj, sipas tij, është e rëndësishme që të ulen me presidenten Osmani dhe të diskutojnë mbi të gjitha zhvillimet, pasi kanë 61 vota, por për zgjedhjen e presidentit/es në dy raundet e para nevojitet një shumicë prej 80 votash në Kuvend, gjë që ndikon edhe në ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.
E siç dihet, bazuar në rezultatin preliminar të KQZ-së për zgjedhjet e 28 dhjetorit, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 51.11% ose 486,994 vota. Pas saj renditet Partia Demokratike e Kosovës me 20.19% ose 192,407 vota, LDK me 13.23% ose 126,102 vota dhe AAK me 5.50% ose 52,370 vota, si dhe minoritetet. Andaj, nëse në dy raundet e para nuk arrihet sigurimi i 80 votave, atëherë në raundin e tretë presidenti/ja mund të zgjidhet edhe me 61 vota. Në të kundërtën, vendi do të detyrohet të shkojë sërish në zgjedhje të reja të parakohshme, gjë që do të ishte vërtet skandaloze dhe shumë e dëmshme për Kosovën, pasi përveç shpenzimeve dhe dëmtimit të pariparueshëm të buxhetit, mund t’i nxjerrë edhe më të humbura partitë opozitare dhe të çojë në destabilitet politik të vendit.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".