
Lexoni edhe:
Analisti: Nuk mjafton vetëm dënimi gojor i kësaj praktike meskine të keqpërdorimeve të votës së lirë nga partitë
Shkruan: ANALISTI-Idriz Zeqiraj
Opozita e Kosovës e kishte parandjerë humbjen në përballjen zgjedhore të 9 shkurtit 2025. Si ngushëllim, ajo i referohej një pale zgjedhjeve të tjera, në rast të mospajtimit për zgjedhjen e Presidentit, në mars apo prill të vitit 2026. Përgjatë gjithë bllokadës 9-mujore të opozitës destruktive, për pengimin e zgjedhjeve të institucioneve kuvendore dhe të Qeverisë, është lakuar emri i presidentes Vjosë Osmani. Dhe gjithherë në kontekst negativ. Ajo, krahas Kurtit, është etiketuar si “notere e Kurtit”, është sulmuar e denigruar, madje me fyerje e sharje kriminale dhe rrugaçërore. Kjo është përsëritur edhe në paraqitjet e saj brilante presidenciale vendore dhe ndërkombëtare.
Shkëlqimi i presidentes, Vjosë Osmani-Sadriu, eklipsoi, errësoi, madje në grup, krerët e subjekteve politike. Rebelimi i saj brenda koalicionit LVV–Guxo llogaritet të ketë qenë parimor. Siç duket, ajo nuk u pajtua me sjelljet e pakujdesshme, për të mos thënë shpërfillëse, të Kurtit ndaj SHBA-së. Ndoshta edhe mungesa e konsultimit për bisedat e Kurtit në Bruksel dhe Ohër. Sidoqoftë, shpërthimi publik nuk ishte në standardin e fjalorit presidencial.
Megjithatë, kjo kundërshti e hapur dëshmon se, para interesit vetjak, është parimi dhe interesi i Kosovës. Kjo i demanton bindshëm gojëkëqijtë që flasin, gjoja, për karrierizmin e Vjosë Osmanit. Sepse, po të kishte vetëm ndjesinë e karrierizmit, ajo do të heshte dhe rrugën për një mandat të dytë do ta kishte pothuajse të siguruar. Kur qëllimet janë të mira, shtohet mundësia e një karriere të suksesshme.
Shkrimtari Gorki porosit se kurrë mos u prish me tjetrin përfundimisht, sepse duhet lënë vend për pajtim një ditë. Albin Kurti, pa mëdyshje, është i zgjuar dhe di të heshtë, edhe atëherë kur provokohet me të drejtë apo pa të. Dhe ashtu ndodhi. Vajtja e njëkohshme me Vjosën në Amerikë, takimet e ndara të bëra me personalitete të larta, deri në kupolën shtetërore, ishin domethënëse.
Në takimin e Vjosë Osmanit me presidentin Trump, ai tha: “A e shihni këtë zonjë të ulur këtu, para meje? Ajo meriton gjithë respektin tonë, sepse punon dhe mbron atdheun e saj”. Këto fjalë unike, ky vlerësim kulmor për presidenten e Kosovës, Vjosë Osmani, realisht ishin shprehje e konsideratës edhe për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ngaqë edhe ai të njëjtën gjë po e bën. Binomi Vjosa dhe Albini, nismë e vazhdim, kanë qenë dhe mbetën në një linjë, në kundërshtinë ndaj pazarxhinjve të Kosovës: Hashim Thaçit, Edi Ramës, Aleksandar Vuçiqit, Grenellit dhe opozitës destruktive, të bashkuar njësh kundër pozitës kosovare.
Presidentja Vjosë Osmani, mençurisht dhe çiltërisht, paraqiti kandidaturën për mandatin e dytë presidencial. Ajo iu drejtua klasës politike të Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi, e deputetëve të Kuvendit në veçanti, për ta votuar atë, sepse kanë përgjegjësinë e drejtpërdrejtë për rrugëtimin e mbarë të Kosovës. Ndër të tjera, kandidatja për presidente u tha deputetëve: “Të vazhdojmë me punë të mira për vendin, me mbrojtjen e interesave të qytetarëve”.
Vjosë Osmani ka një sinqeritet dhe modesti prej malsoreje fisnike, edhe pse është profesoreshë universiteti. Ajo ka dëshmuar forcë dhe qëndrueshmëri në rrugëtimin e saj politik. Në një rast ka sfiduar kundërshtarët, duke u shprehur se “nuk do të më largoni kaq lehtë”. Ndërsa tani e thotë më troç: “Më votoni, nëse jo, unë vazhdoj punën tjetër; idetë, nocionet i përballim në zgjedhje, qëndrimet, energjinë, besa edhe shumëçka tjetër”.
Presidentja, me këtë deklaratë, është po aq shantazhuese sa edhe Albini, kur kërcënoi opozitën në grup: “Ose votoni tani Glauk Konjufcën kryeministër, ose në zgjedhjet e dhjetorit do ta keni Qeverinë Kurti 3”. Dhe ashtu ndodhi.
Ka kaluar një vit që kur ka filluar lukunia mediatike lehaqene, në Prishtinë dhe Tiranë, e prirë nga agjenti i shumëfishtë Baton Haxhiu, me këlyshërinë e tij, duke shpifur e denigruar presidenten Vjosë Osmani. “E humbi mbështetjen e LDK-së, e humbi partinë Guxo, kundër e ka edhe LVV-në, Vjosa nuk ka shanse të marrë mandatin e dytë”, thonë ata që parashikonin rënie të përqindjes, së shumti 28–32 për qind, për LVV-në me aleatë, para zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025.
Por kolegia e saj, bashkëveprimtare për 13 vjet radhazi, Donikë Gërvalla, i demanton horrakët dhe zuzarët e çdo kallëpi, kur deklaroi se partinë Guxo e ka themeluar Vjosë Osmani dhe se ata i janë bashkangjitur asaj. Veprimtarja më e shquar në gjithë diasporën botërore shqiptare, e cila, në përballje në debatet e saj brilante, i ka mundur ambasadorë, gjeneralë, ministra, kryeministra e presidentë, akademikë ballkanikë dhe evropianë. Gërvalla e ka besnikërinë dhe fisnikërinë më të madhe se peshën e trupit.
Albin Kurti me LVV-në e tij, gjithsesi, e mbështet pa rezerva presidenten Vjosë, si dhe minoritetet bashkëpunuese në Qeverinë Kurti. Kurse opozita, ajo e subjekteve PAN-iste, nuk merakoset fare: “Rrafsh Kosova, vetëm ne të rikthehemi në pushtet”.
Ndërsa LDK-ja, pas debaklit të pësuar në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, si patericë e PDK-së, duhet të mendojë seriozisht për fatin e mëtejmë të saj, sepse ka edhe më keq. Ajo duhet ta pranojë fajësinë e rëndë, qartazi dhe me sinqeritet, t’i kërkojë falje anëtarësisë, elektoratit të LDK-së dhe shqiptarëve kudo për shqetësimin dhe dhimbjen mendore e shpirtërore të shkaktuar. Klanet brenda LDK-së duhet të pauzojnë, duke pranuar fajin-krim për degradimin dhe rrënimin e saj.
Ndërkohë, LVV-ja me aleatët e saj simpatikë, Guxo, Alternativa, PSHDK, duhet të veprojë me guximin që e karakterizon për ta nxjerrë Kosovën nga kolapsi dhe bllokada, ku e futi opozita e subjekteve politike PDK, AAK, Nisma, të koalicionuara në PAN, përmes agjentëve të shumtë të huaj që i kanë brenda subjekteve të tyre. Bashkëqeverisja e LVV-së me aleatë dhe LDK-në ka qenë dhe mbetet pa alternativë, gjithnjë me parësinë e interesit të Atdheut – Kosovës. Kjo kërkesë është gjithnjë në agjendë.
Kam besimin dhe bindjen se presidentja Vjosë, ashtu siç ka çarë çdo bllokadë të deritashme, do ta ketë forcën dhe guximin për t’i tejkaluar edhe pengesat, sa inatçore aq edhe subjektive.
Shpifja e fundit, e bërë ndaj babait të nderuar të presidentes Vjosë, Raif Osmanit, se gjoja i ka shërbyer Serbisë përmes një posti civil që kishte në komunë, nga shpifës kriminelë e rrugaçë, kondom i Baton Haxhiut, është kulmore dhe ka për qëllim goditjen e imazhit të presidentes par excellence, Dr. Vjosë Osmani.
Atdhetari i nderuar Raif Osmani ka qenë ushtar i orëve të para të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës, me akronimin FARK, të Dr. Ibrahim Rugovës, për çka edhe është burgosur dhe dënuar me grupin e parë të ushtarakëve, me komandant gjeneral Hajzer Hajzeraj. Shtrohet pyetja se ku është Prokuroria e Shtetit që hesht për rastin në fjalë, kur dihet se shpifja për kuadro të cilësuara hetohet dhe, në rast kualifikimi si shpifje, dënohet.
Ku është Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, i cili reagon vend e pavend, madje edhe atëherë kur provokohet në vendin e punës anëtari i KQZ-së, ish-i burgosuri shumëvjeçar politik Sami Kurteshi, i cili i luti gazetarët provokatorë ta lëshojnë zyrën ku kishin hyrë pa autorizimin përkatës?
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".