Me këtë strukturë të deputetëve një bllokadë e përsëritur si ajo që zgjati 9 muaj rrezikon përsëritjen e zgjedhjeve

Me këtë strukturë të deputetëve një bllokadë e përsëritur si ajo që zgjati 9 muaj rrezikon përsëritjen e zgjedhjeve
Me këtë strukturë të deputetëve një bllokadë e përsëritur si ajo që zgjati 9 muaj rrezikon përsëritjen e zgjedhjeve

Idriz Zeqiraj

  • 23 January 2026 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Idriz Zeqiraj

Kushtetuta e Kosovës, më saktë e Ahtisarit, është një pranim ad hoc, i imponuar dhe i pranuar nën presionin e Serbisë, të bërë ndërkombëtarëve dhe sidomos përmes shantazhimit të disa zyrtarëve kyç të Kosovës, me dosje penalizuese të krimeve faktike, gjatë luftës dhe sidomos të pasluftës, kryesisht vrasjen e kundërshtarëve politikë shqiptarë.

 

-Pengesa e ndryshimeve të domosdoshme kushtetuese, siç është zgjedhja e Presidentit me votim të drejtpërdrejtë të popullit, duke kërkuar kuotën e caktuar aprovuese të deputetëve të minoriteteve, dështimi i zgjedhjes së presidentit në mars apo në prill të këtij viti, e çon vendin në zgjedhje.

Me këtë strukturë të deputetëve të një opozite sa destruktive, aq edhe të papërgjegjshme, një bllokadë e përsëritur, si ajo që zgjati 9 muaj, rrezikon përsëritjen e zgjedhjeve. Ngulmohet për konsensus, por me subjektet politike që kanë brenda vrasës, hajna zyrtarë, haraçxhinj, makro-kontrabandistë, nuk mund të pranohet rehabilitimi i tyre. LVV-ja, me aleatë, u dha shansin e artë për spastrimin e listave të kandidatëve për deputetë. Por ata nuk lëvizën nga “istikami” i krimit dhe i përsëritën të njëjtët edhe në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025. Pamundësia e pastrimit të listave është reale, sepse kriminalizimi i subjekteve të tyre politike është masiv. Zgjidhja e vetme është riformimi i këtyre partive, prandaj porosia për Kurtin është e drejtë që këto subjekte duhet të qëndrojnë gjatë në opozitë.

Qysh kur ka filluar fushata parazgjedhore, paligjshëm, në gjysmën e dytë të nëntorit 2024 dhe zgjati 3 muaj për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, si edhe për ato të 28 dhjetorit 2025, kemi paralajmëruar të gjithë rrugaçërinë politike dhe mediatike se sforcimi i fushatës shpifëse e denigruese ndaj pozitës “do t’u kthehet në bumerang” dhe “do t’ua thellojë humbjen”, ashtu siç ndodhi realisht.

Edhe tani vazhdon i njëjti “avaz” dhe të tri partitë opozitare janë deklaruar se “pa konsensus nuk japim votë dhe as nuk bëjmë kuorumin, me qëndrimin në sallë, për zgjedhjen e presidentes Vjosa Osmani”. Kjo opozitë ka dëshmuar se nuk i intereson emri i personit konkurrues, por hallin e kanë te rikthimi në pushtet. Edhe pse tani e kanë thelluar disfavorin për rikthim, qeneria lehëse mediatike i fton qytetarët për përsëritjen e një ’97-e në Shqipëri, tani një të dytë, këtë herë në Kosovë. Një shtet i mirëfilltë ligjor, këta qenerë do t’i zinxhironte.

Dështimi i zgjedhjes së presidentit do të ndikojë fatalisht keq për stabilitetin politik të Kosovës. Marrëveshjet bankare me Evropën dhe ato ndërkombëtare presin krijimin e Qeverisë dhe të institucioneve të tjera shtetërore. Kosova do të vazhdojë të mbetet peng i kësaj opozite, të dëshmuar si kundërkombëtare dhe palë me Serbinë armike. Çdo bllokadë e përsëritur do ta godasë rëndë edhe opozitën, madje pa shpresë ngritjeje të afërt.

Megjithatë, shpresojmë të jenë këndellur, duke besuar se do të ketë reagime pozitive nga deputetë të përgjegjshëm për misionin që ka vetë emërtimi deputet.

Urojmë për reflektim, madje pavarësisht vendimit të shefave partiakë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".