Këndellja e LDK-së është e domosdoshne, e menjëhershme!
Idriz Zeqiraj
Nga IDRIZ ZEQIRAJ
Humbja spektakulare e LDK-së, nuk është fundi i botës. Dhe, kjo humbje është kërkuar "me qiri dhe me pishë, - siç shprehet populli, kur e mbushë kupën. Kryetari Dr. Ibrahim Rugova e la partinë me 47 % të votave, pasuesit e tij e sollën në 9.8 %! Megjithatë, po të veprohet me gjakftohtësi dhe mençuri, LDK-ja parti e parë pluraliste në Ballkan, parti shtet-ndërtuese dhe shtet-formuese, e pacene në krime dhe hajni zyrtare, me kapacitete të bollshme intelektuale dhe atdhetare, i ka të gjitha mundësitë "të ngrihet në këmbë serishmi". Madje, jo vetëm në kuotën e përqindjes, por edhe të bëhet konkurrente serioze, për t`u bërë kryezonje si dikur.
Kryetari i komunës të Istogut dhe anëtarë i Kryesisë të LDK-së, ka një porosi racionale: "Nëse kryetari jep dorëheqjen, kryesia është në dorëheqje. Nuk do të kishte kuptim një kryetar i ri në një kryesi të vjetër". Dhe, vërtet, nëse pretendohet të bëhet retushim dhe arnime në kryesinë e LDK-së dhe në KP të LDK-së, do të këtë hatërime e zemërime, deri në përçarje, larg qoftë, edhe ndarje.
Në zgjedhjet e fundit, para ardhjes të Ilir Faratit kryetar i komunës në Istog, LDK-ja fitoi vetëm me 13 vota diferencë nga partia e dytë. Ishte një mandat i lodhtë. Sikur të mos mjaftonte kjo gjëmë, përgjatë atij mandati u penalizuan dy grupe kuadrosh, kryesisht, drejtorë të Drejtorive komunale. Si zakonisht, zvarritjet burokratike gjyqësore, arrestime e lirime, mbaroi mandati 4 (katër) vjeçar!
Ilir Ferati në zgjedhjet e vitit 2021, propozohet për kandidat për kreun komunal. Qysh në nismë të fushatës parazgjedhore, i guximshëm dhe parimor, vuri një standard të ri, i pari në nivel Kosove: "Asnjë drejtor i mandatit të kaluar, nuk do të jetë drejtor në mandatin vijues". Për Ilirin ishte një vendim i vështirë, sepse shumica e tyre kishin qenë bashkëpunëtorë të babait të tij, Fadil Feratit.
Iliri solli risi edhe në mënyrën e të bërit fushatë zgjedhore. Përjashto hapjen dhe mbylljen e fushatës, të bëra në traditën zhurmuese, me pjesëmarrjen e kryetarit të LDK-së, me shokë nga qendra. Por, përgjatë muajit fushator shpalosi programin e tij, për drejtimin dhe zhvillimin e komunës, gadi heshturazi, por bindshëm, vetëm me pak veprimtarë të LDK-së.
Kryetari i ri i komunës të Istogut, zbatoi vendimin për emërimin e drejtorëve rishtarë, i vetëdijshëm se jo të gjithë ishin mëkatarë. Por, heshtja, mos denoncimi, tërthorazi i bëjnë fajtorë. Edhe premtimet e dhëna, në fushatë i realizoi dhe zuri vendin e dytë në përformancën drejtuese të komunës në Kosovë. Në zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025 Imri Ahmeti i Lipjanit dhe Ilir Fetahu i Istogut, fituan komunat e tyre pa balotazh, pa pasur nevojë për një përballje të dytëshme elektorale.
E bëra këtë ekspoze besnike, duke qenë krejt afër të zhvillimeve të kohës.
Mirë që mbahet Mbledhja e pritshme e LDK-së të hënën, më 19 janar 2026, lë të bisedohet hapur, çiltërish e sinqerisht, për përgatitjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm Zgjedhor, sepse Kuvendi aktual nuk e ka të drejtën ligjore dhe as morale, për të zgjedhur kryetar dhe kryesi. Sepse ka heshtur për prapësitë e strukturave partiake, duke u bërë palë me opozitën destruktive e bllokuese PAN-iste. Dëmi i shkaktuar është shumë dimensional, ekonomik dhe politik.
LDK-ja është shquar për mençuri, urtësi dhe fisnikëri përgjatë këtyre dekadave. Devijimet, deri në degradim, ndodhën pas amshimit të Presidentit Rugova. Si bazë e kësaj të keqeje të madhe ka qenë lakmia, karrierizmi, por edhe ndërhyrja e PDK-së, me SHIK-un kriminal të saj. Ndonjërin nga kryetarët, bashkë me ndoca ministra, LDK-së ia ka zgjedhur Hashimi.
Është skajshëm urgjente këndellja e LDK-së. Ndryshimi i statutit të LDK-së është i domosdoshëm. Pisllëqet e statutit të ndryshuar, nga ai fillestar, janë bërë enkas për vazhdimin e mandatit të një kryertari klanor. Andaj, duhet ndryshuar para se të hyhet në zgjedhjet e pritshme.
Humbja e LDK-së në zgjedhjet e fundit është e thellë, prandaj edhe reforma duhet të jetë adekuate. Nëse shtrohet nevoja e dorëheqjes kolektive të kryesisë, pavarësisht se jo të gjithë kanë fajësi të barabartë, megjithatë heshtja i fajëson. Por, LDK-ja nuk duhet lejuar të dëmtohet e rrënohet më tej, për arsye të ngecjes të reformave, individëve dhe grupeve fort të varura nga PDK-ja, duke e rehabilituar atë për përgjakjen e burrave dhe të djemve të devotshëm, në veçanti, nga trungu i familjeve atdhetare.
Çmontimi i rugovizmit ka filluar me shuarjen e Aktivave, sepse këtë e projektoi Hashim Thaçi, me SHIK-un e tij kriminal. Nëse do të quhen Aktiva apo Nëndegë, tashmë, s`ka rëndësi. Por, duhet mbuluar e tërë gjeografia e Kosovës me anëtarësi. Dhe, zgjedhjet të fillojnë nga baza, deri në qendër. Votimi i fshehtë i të gjitha strukturave me kundër kandidatë.
Kompetencat e kryetarit të partisë, të cilat, aktualisht, janë tej mbretërore, duhet reduktuar, në favor të udhëheqjes kolegjiale, duke i dhënë hapësirë debatit demokratik, shprehjes së lirë të mendimeve. Sepse, dibranët kanë një urtësi: "Një mendje - asnjë mendje; dy mendje - gjysmë mendje; tri mendje - një mendje".
Vërtet, pas Dr. Rugovës, dy pasues të Tij janë larguar. Ndoshta edhe i treti, atë fat do të këtë. Megjithatë, janë largime meritore.
I pari, ndoshta, ishte më i pranueshmi, për ta trashëguar partinë, por nuk arriti ta shmangë ndarjen e saj. Rivali i tij zhgenjeu shumë, sepse lidhje me artin politik nuk kishte, ngaqë i fali, madje lehtësisht, komandantët përgjakës të LDK-së, të cilët kurrë nuk janë penduar për krimet e tyre serike!
I dyti, është katapultuar në krye të LDK-së nga Hashim Thaçi, me SHIK-un e tij, me klanin e rrënoi partinë e Rugovës.
I treti, punoi shumë, por nën ndikimin e tutorit Isë, me klanin e tij, u vu në qendër të skandalit unik - bllokim të Institucioneve, të Qeverisë dhe të vet Kosovës.
Zotëri Ilir Ferati deklaron edhe këtë: ""Praktika e eliminimit të kokave të kryetarëve mendoj që është e gabuar"!
Mendoj se kjo nuk i përket LDK-së, sepse ajo nuk ka eliminuar asnjë kryetar. Përkundrazi, me veprimet e tyre, ata janë vetëvrarë!
Ndërkohë, janë këta kryetarë, të cilët pas amshimit të Presidentit Rugova, kanë seleksionuar, larguar dhe eliminuar politikisht nga LDK-ja kuadrot dhe veprimtarët rugovistë të thekur, të përkushtuar për rugovizmin dhe Atdheun-Kosovë.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".
