A ka mbetur ndonjë fjali e mirë për LDK-në?
Zef Prenka
Po. Jo vetëm një fjali – por një argument i plotë politik dhe moral.
Shkruan : Zef Prenka
Në një klimë politike të polarizuar deri në skaj, ku propaganda është shndërruar në mjet qeverisjeje dhe linçimi politik, Lidhja Demokratike e Kosovës vazhdon të shihet – me apo pa dashje nga kundërshtarët e saj – si pengesa më serioze ndaj kapjes së plotë të shtetit. Sulmet e koordinuara “alla VV”, të fryra anash nga PDK-ja dhe struktura të tjera të interesit, nuk janë rastësi politike; ato janë dëshmi e frikës nga një LDK që, edhe e dobësuar, mbetet pengesë reale ndaj autoritarizmit dhe rrëshqitjes drejt diktaturës dhe katrahurës institucionale.
LDK-ja është e vetmja forcë politike që vazhdon rrugëtimin e saj në frymën rugoviane – në frymën e maturisë, demokracisë, dialogut dhe shtetit ligjor. Nuk është rastësi që, në përvjetorin e 20-të të ndarjes fizike nga jeta të Dr. Ibrahim Rugovës, u dëgjuan dhe u lexuan kaq shumë fjalë mirënjohjeje dhe respekti për Presidentin Historik, lisin e demokracisë, lirisë dhe pavarësisë së Dardanisë së tij. Këto fjalë nuk ishin nostalgji boshe, por rikujtim se Kosova u ndërtua mbi filozofinë e durimit politik, jo mbi thirrjet për përçarje.
Ironia qëndron te ata që sot flasin më bukur për Rugovën, por dje i kanë thyer krahët LDK-së – qoftë në emër të “reformave”, qoftë nën petkun e lëvizjeve si “Guxo”. Fjalitë brilante për Presidentin Historik nuk e fshehin dot faktin se motivi real i këtyre shkëputjeve ishte lakmia për udhëheqje personale, jo parimi rugovian. Rugova nuk ishte simbol për t’u përdorur, por filozofi për t’u jetuar.
Megjithë goditjet e pandërprera, megjithë euforinë politike që sillet si llavë vullkani dhe përpiqet të përpijë gjithçka përpara, ekziston ende një LDK që di të bëjë ballë. Një LDK që, si një trup i sulmuar nga hijenat politike, nuk është lënë kurrë rehat të implementojë programin e saj – programin e vetëm serioz dhe të qëndrueshëm për një qeverisje fatlume të shtetit, të bazuar në institucione të forta, ekonomi funksionale dhe aleanca strategjike të shëndosha.
As zërat e brendshëm nuk janë të pafajshëm. Disa janë pasojë e manipulimeve të jashtme, disa të keqbindjeve të brendshme, e disa thjesht të ambicieve personale për pushtet. Por historia politike e dëshmon se LDK-ja është ringritur gjithmonë kur ka ditur t’i shuajë egot dhe t’i vërë interesat e anëtarësisë dhe të shtetit mbi interesat individuale.
Me pak më shumë vigjilencë politike, me më shumë disiplinë të brendshme dhe me shuarjen e ambicieve personale për pozita udhëheqëse, LDK-ja jo vetëm që do ta rimarrë veten, por do ta rikthejë edhe besimin e anëtarësisë dhe të qytetarëve. Sepse, në dallim nga të tjerët, LDK-ja nuk ka prodhuar asnjë skandal shtetëror që do ta meritonte ndëshkimin me votë – përveçse ka qenë viktimë e një propagande të qëllimshme dhe dashakeqe nga LVV, PDK dhe satelitët e tyre.
Prandaj, po: ka mbetur fjala e mirë për LDK-në. Jo si nostalgji, por si domosdoshmëri politike për një Kosovë demokratike, perëndimore dhe të mbrojtur nga aventurat autoritare.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".
