Njeriu dhe shteti etik

Njeriu dhe shteti etik
Njeriu dhe shteti etik

Skender Kapiti

  • 10 February 2026 - 16:06

Nga Skënder Sadri Kapiti

Njeriu është qenie etike; pa etikë dhe pa moral, njeriu dhe shoqëria janë në rrezik.

Mirëpo kam kuptuar se njeriu kupton kryesisht vetëm interesin e tij. Kam kuptuar se njeriu shpesh nuk dëshiron të kuptojë, madje bën sikur nuk kupton ato gjëra që mendon se nuk janë në interesin e tij. Kam kuptuar gjithashtu se nuk ka miqësi të përjetshme dhe as sinqeritet të qëndrueshëm mes njerëzve, sepse miku më i mirë mund të bëhet armiku më i madh sapo të ndryshojnë kushtet, rrethanat dhe interesi.

Prandaj, mos u beso verbërisht dhe mos ua trego as mikut e as shokut sekretet e tua. Kam kuptuar se njeriu bie lehtë në veset dhe instinktet jonjerëzore, shtazore, nëse ai nuk edukohet dhe nuk arsimohet; nëse nuk formohet nga tradita e mirë familjare dhe nga një shoqëri e kulturuar dhe e mirëarsimuar.

Njeriu ka hyrë në shoqëri nga frika, sepse i vetmuar nuk mund të mbijetojë; ka hyrë në shtet edhe për interes, sepse te shteti gjen sigurinë, kompenson mungesat e tij dhe siguron mjaftueshmërinë për të mbijetuar.

Për inteligjencën dhe për njeriun inteligjent, kërcënimet kryesore sot janë injoranca, egoizmi intelektual, inteligjenca djallëzore, si dhe pushteti i ligësisë.

Njeriu dhe shteti

Njeriun si politikan, si burrë shteti kombëtar, ndërkombëtar dhe globalisht me ndikim, e bën të tillë shteti i madh, shteti i fuqishëm ekonomikisht, financiarisht, politikisht dhe ushtarakisht, qoftë ai diktatorial apo demokratik, borgjez apo komunist. Për shembull, sado të aftë të jenë politikanë, presidentë apo kryeministra nga Shqipëria, Bullgaria, Kroacia, Serbia, Zvicra etj., ata nuk mund të kenë peshën dhe ndikimin e presidentit amerikan, francez, kinez apo të kancelarit gjerman.

Megjithatë, shteti – edhe kur është i vogël nga popullsia dhe territori – bëhet i madh dhe merret në konsideratë kur funksionon brenda vetes si shtet i lirë, i paanshëm politikisht dhe kur qeveriset nga kompetenca, ligji, drejtësia dhe inteligjenca. Shtet i madh është edhe shteti i vogël, nëse ai është i mirëorganizuar dhe funksionon organikisht me të gjitha institucionet e tij.

Historia na mëson se shtete të vogla në popullsi dhe territor, por të mirëorganizuara, kanë sunduar dhe kolonizuar vende me dhjetëra e qindra miliona banorë. Shtet “i madh” sot është shteti etik, ashtu si edhe njeriu etik: shtet që duhet të jetë moral, i virtytshëm, human dhe detyrimisht në shërbim të njerëzve dhe të interesit të përgjithshëm.

Vetëm në shtetin ligjor dhe etik njeriu arrin të realizojë individualitetin, talentin dhe dhuntinë e tij.

Shteti i madh është shtet i mirë kur ai është republikë, pra shtet i të gjithëve. Edhe pushteti është më i vogël se shteti; por kur pushteti dhe korrupsioni e kapin dhe e rrëmbejnë shtetin, ai bëhet i keq për publikun, familjen dhe individin. Shteti i mirë është atëherë kur pushteti punon për shtetin, kur ai është moral dhe ligjor.

Ky shtet moral duhet t’i respektojë dhe t’u jetë mirënjohës qytetarëve të vet; duhet të krijojë kushte lirie për të gjithë njerëzit që të arrijnë pozitën dhe karrierën politike apo intelektuale që meritojnë. Njeriu, nga ana e tij, e ka për detyrë virtytshmërinë, bindjen dhe respektimin e shtetit të mirë, të cilin e bëjnë të tillë drejtësia dhe ligji i mirë republikan.

Shteti i mirë republikan është i pasfidueshëm nga politika, partitë, antiligji, korrupsioni dhe antishteti, sepse ai mbrohet, mbahet dhe ndërtohet nga populli. Në të, vullneti i popullit dhe interesi i përgjithshëm janë të pasfidueshëm nga vullneti i interesit personal, nga pushteti dhe nga partitë politike. Këtë na e mëson përvoja dhe historia.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".